Kjo rrugë është në këtë gjendje dekada me radhë dhe pothuajse që kur janë ndërtuar shtëpitë e para, nuk ka infrastrukturë të rregulluar, respektivisht rrugë të asfaltuar apo të bekatonizuar. Që në kohën kur u asfaltua rruga tek kazerma, banorët kërkuan që të rregullohet edhe ajo pjesë, por shkaku i kontesteve pronësoro-juridike, ka mbetur pezull rregullimi i saj
Urim HASIPI
Tetovë, 1 dhjetor – Vitin e kaluar përfundoi asfaltimi i rrugës nga kazerma e deri tek stadiumi i qytetit në Tetovë, apo rrethrrotullimi që lidhet me rrugën Tetovë-Jazhincë. Por, një rrugë tjetër e cila po ashtu lidhet me rrugën Tetovë-Jazhincë, ka mbetur pa u rregulluar. Në këtë rrugë jetojnë rreth dhjetë familje, të cilat duhet që të lëvizin nëpër baltë për të dalë në rrugën kryesore. Krahas problemit të infrastrukturës, në këtë zonë ka edhe probleme tjera, si çështjet e pazgjidhura të eksproprijimit, shkruan gazeta KOHA. Ndonëse është një rrugë me një distancë të shkurtër, megjithatë ka shumë probleme duke filluar nga infrastruktura, hedhja e mbeturinave, qentë endacak dhe ujërat e zeza. Nga Komuna e Tetovës thonë se paralelisht me zgjidhjen e problemeve pronësore, është duke u rregulluar trotuari dhe ndriçimi publik.
“Aty po ashtu kemi çështje ekspoprijimi, neve aty kemi punuar në ndriçimin e asaj rruge dhe vazhdimin e trotuareve, për arsye se deri sa zgjasin çështjet e ndryshme, në bisedë me banorët kemi rënë dakord që të rrisim sigurinë duke e bërë ndriçimin dhe trotuaret, e në ndërkohë t’i vazhdojmë procedurat për sa i përket hapjes së rrugës”, deklaroi kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi. Por përderisa zgjasin çështjet e pazgjidhura rreth pronësisë, nga Komuna e Tetovës thonë se punohet në zgjidhjen e këtyre kontesteve dhe më pas të fillohet me punë.
“Kur të përfundojnë çështjet e ekspoprijimit, njërën trasë jemi duke e përfunduar, njërën jemi në bisedime. Njëra trasë është komplet e pastër dhe tjetra trasë ka dy tre probleme. Ne kemi ofruar madje që njërën trasë ta kompletojmë, mirëpo kërkesa e banorëve është që ajo të bëhet komplet”, tha kryetarja Arifi.
Që në kohën kur u asfaltua rruga tek kazerma, banorët kërkuan që të rregullohet edhe ajo pjesë, por shkaku i kontesteve pronësoro-juridike, ka mbetur pezull rregullimi i saj. Këto shtëpi ndodhen në mes të Tetovës dhe lagjes Drenovec, kurse disa herë janë ankuar se për shkak të mos rregullimit të infrastrukturës, shkaktohet pluhur, sidomos gjatë periudhës së verës, ndërsa në vjeshtë rruga vështirë kalohet nga balta. Kjo rrugë është në këtë gjendje dekada me radhë, dhe pothuajse që kur janë ndërtuar shtëpitë e para, nuk ka infrastrukturë të rregulluar, respektivisht rrugë të asfaltuar apo të bekatonizuar.
E njëjta është vënë në përdorim për drejtuesit e automjeteve gjatë vitit të kaluar, kur ishte duke u asfaltuar rruga nga kazerma e deri tek stadiumi i qytetit në Tetovë, e që është dëmtuar edhe më shumë. Kohë më parë, edhe partitë opozitare në Tetovë reaguan ndaj pushtetit lokal duke kërkuar që urgjentisht të intervenojë në këtë rrugë, e cila do të lehtësonte komunikacionin në pjesën për tek stadiumi i qytetit, sidomos gjatë fundvitit, kur e njëjta është e stërngarkuar nga ardhja e një pjese të mërgimtarëve në vendlindje. (koha.mk)