Mijëra njerëz dolën në rrugët e kryeqytetit të Malit të Zi për të protestuar kundër qeverisë. Kërkesa kryesore e tyre: zgjedhje të parakohshme parlamentare.
Demonstruesit, shumica të mbuluar me flamuj të vendit të tyre, u mblodhën përballë ndërtesës së parlamentit në Podgoricë duke kënduar këngë patriotike dhe ndezur flakadanë.
Që prej zgjedhjeve të 2020-ës, Mali i Zi ka njohur një sërë krizash politike, me rrëzimin e qeverisë së parë dhe formimin e një mazhorance të re.
Por edhe kjo e fundit, me kryeministër shqiptarin Dritan Abazoviç, nuk ia doli të mbijetonte duke humbur votëbesimin në kuvend pas nënshkrimit të një marrëveshje me Kishën Ortodokse Serbe për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve.
Politika ka qenë gjithmonë e përçarë në shtetin me 625 mijë banorë, me një betejë tepër të ethshme mes partive pro europiane dhe atyre pro serbe dhe ruse.