Laura PAPRANIKU
Shkup, 21 prill – Procedurat për botimin e teksteve të reja shkollore për arsimin e mesme sipas programeve që ka përgatitur Cambridge International Examinations (Qendra Ndërkombëtare për Programe Mësimore në Kembrixh), nga e enjtja ka hyrë në një fazë të re. Thirrja e para një muaji për dorëzimin e dorëshkrimeve të librave të vitit të parë për lëndën e matematikës, fizikës, biologjisë dhe kimisë, është pasuar me një thirrje të re, shkruan gazeta KOHA. MASH, respektivisht Shërbimi pedagogjik i saj, kërkon që në afat prej 7 ditëve të sigurojë recensentët për librat e lëndëve në fjalë. Në datën 20 prill, MASH në vebfaqen zyrtare ka publikuar vetëm në gjuhën maqedonase informacionin me të cilin thirren të gjithë të interesuarit për recensentë që të konkurrojnë më së voni deri në datën 20 prill. Fletëparaqitjet, përveç se në Ministri mund të tërhiqen edhe on-line, në linkun përkatës që është dhënë në thirrjen publike për recensentët e katër librave të vitit të parë të arsimit të mesëm.
LIBRAT E KEMBRIXHIT EDHE NË ARSIMIN E MESËM
Nga viti shkollor 2017/2018, është planifikuar që reforma e librave të Kembrixhit për lëndët e matematikës dhe shkencave natyrore të zgjerohen edhe në arsimin e mesëm. Për këtë është nënshkruar paraprakisht marrëveshje bashkëpunimi me QNPMK-së, e cila edhe ka hartuar programe e të reja për të këtyre lëndëve për nxënësit e Maqedonisë. Faza në të cilën gjendet momentalisht kjo reformë, është përgatitja e librave përkatës, pra sipas programeve të reja. Ndërkaq, në thirrjen për botimin e teksteve shkollore që MASH publikoi më 17 mars të këtij viti, kërkohej që dorëshkrimet të jenë vetëm në gjuhën maqedonase, edhe pse ligjërisht në çdo komision recensues, i cili duhet të bëjë vlerësimin e dorëshkrimeve, duhet të ketë të paktën një anëtar shqiptar. “Në përbërjen e komisionit për vlerësimin profesional të librit që i dedikohet nxënësve që e ndjekin mësimin në gjuhën dhe në alfabetin e ndryshëm nga gjuha maqedonase dhe alfabetin e saj cirilik, një nga anëtarët është nga radhët e pjesëtarëve të bashkësive, të cilëve u dedikohet libri”, thuhet në nenin 16, alineja 4 e Ligjit për botimin e teksteve shkollore për arsimin fillor dhe të mesëm. Por, pavarësisht kësaj dhe shumë normave tjera juridike, të cilat njohin shqipen si gjuhë zyrtare në të cilën zhvillohet mësimi në gjuhën shqipe në Maqedoni, konkurset për botimin e teksteve shkollore vazhdojnë të mbajnë kritere diskriminuese për autorët shqiptar. Sensibilizimi i kësaj padrejtësie në gazetën KOHA dhe reagimi i ashpër i SHB “Albas” nga Tetova, sikurse mësohet jo zyrtarisht, ka shkaktuar rrëmujë në MASH. Burime të besueshme të gazetës bëjnë të ditur se ministri në detyrë, Pishtar Lufiu, ka kërkuar llogari prej këshilltarëve të kabinetit të tij që kanë lejuar t’u kalojë pa u vënë re kërkesa që “dorëshkrimet të paraqiten në gjuhën maqedonase”. Në të njëjtën kohë, thuhet që Lutfiu ka urdhëruar shërbimet përkatëse “të mos refuzohet asnjë dorëshkrim për shkak të gjuhës”. Mbetet në dorën e recensentëve, po qe se formohen komisionet, që të vendosin nëse do të kalojë ndonjëri prej dorëshkrimeve të paraqitura enkas me konkursin për botimin e librave të matematikës, fizikës, biologjisë dhe kimisë.
Driton Ajrullai, përgjegjës për Maqedoni i Shtëpisë Botuese “Albas”, konfirmon për KOHA se kanë konkurruar me dorëshkrime shqip për katër tekstet e kërkuara me konkurs, pavarësisht kërkesave të konkursit. “Ato libra edhe ashtu duhet të jenë në gjuhën shqipe. Nëse recensentët dhe MASH vlerësojnë përmbajtjen e teksteve nga ana profesionale, ne jemi në gjendje që të njëjtat t’i përkthejmë edhe në gjuhën maqedonase”, pohon Ajrullai, ndërsa sqaron se pa pasur një kërkesë nga MASH dhe një garanci se do të kalojnë ato tekste shkollore, SHB “Albas” nuk ka përse t’i përkthejë ato librat në gjuhën maqedonase. Do të ishte, thjeshtë një shpenzim dhe një kohë e harxhuar kot, nënvizon Ajrullai. Kandidatë për recensentë, sipas thirrjes së publikuar për konkurrim, duhet të jenë profesorë universitar me 10 vjet përvojë pune në lëndën të cilës i dedikohet libri, ose të jetë profesor i lëndës të paktën 10 vjet në shkollat e mesme. Nëse dështon përgatitja e librit përmes kësaj faze, MASH ka të drejtë ligjore t’i drejtohet QNPMK-së dhe të kërkojë përgatitjen e librat nga ana e saj në afat prej 180 ditë.
NË UNIVERSITETE PUNOJNË 4.114 MËSIMDHËNËS DHE BASHKËPUNËTORË
Në institucionet për arsim të lartë në vitin akademik 2016/2017 janë evidentuar 4.114 mësimdhënës dhe bashkëpunëtorë. Sipas të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikës, nga numri i përgjithshëm i mësimdhënësve dhe bashkëpunëtorëve, 2.923 apo 71,1 për qind janë mësimdhënës dhe 1.191, ose 28,9 për qind bashkëpunëtorë. Numri i mësimdhënësve dhe bashkëpunëtorëve gra në vitin akademik 2016/2017 ishte 1.910 apo 46,4 për qind.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara