“Mbulojmë një territor shumë të madh, duke përfshirë fshatrat dhe qytetin e Tetovës, dhe mundohemi të japim shërbime aq sa mundemi dhe kemi kapacitete. Ne vendet periferike nuk kemi asnjë repart tjetër dhe në tërë këtë hapësirë ka vetëm një Ndihmë të Shpejtë. Kishim një bisedë me ministrin, kërkuam nga ai që të na jep dy vetura donacion, minimumi dy vetura, kemi ne veturat tona, por vështirë ia dalim”, tha Aliu
Urim HASIPI
Tetovë, 15 prill – Reparti i Ndihmës së Shpejtë në kuadër të Shtëpisë së Shëndetit në Tetovë mbulon një territor me rreth 100 mijë banorë në Tetovë dhe në komunat përreth – nga Jazhinca e deri në Pirok dhe deri në Grupçin, ndërsa krahas këtij territori kaq të madh, mbulohen edhe fshatrat e Malësisë së Tetovës. Ky ekip deri më tash mezi ka arritur të mbulojë të gjitha rastet duke dhënë ndihmë edhe në objektin ekzistues, por edhe në terren, shkruan gazeta KOHA.
Ky repart, që punon 24 orë ku pothuajse në çdo ndërrim kujdeset për rreth 100 pacientë nga vende të ndryshme, e bën mjaft të frekuentuar, ndërsa shërbime mjekësore gjithë këtij rajoni i japin rreth 10 mjekë dhe 16 motra medicinale. Nga ky shërbim thonë se mundohen të jenë sa më efikas në punën e tyre për t’ju shërbyer të gjithë atyre që kanë nevojë, mirëpo me shumë vështirësi, për shkak se kanë nevojë për më shumë autoambulanca dhe personel mjekësor, për të pasur një shërbim sa më cilësor dhe efikas. Afrim Aliu, kryeshef i repartit të Ndihmës së Shpejtë në Tetovë, deklaroi se për vështirësitë me të cilat ballafaqohet shërbimi i Ndihmës së Shpejtë, është njoftuar edhe ministri i Shëndetësisë, Venko Filipç, nga i cili është kërkuar të furnizohen me së paku dy autoambulanca të reja dhe personel mjekësor.
“Ne mbulojmë një territor shumë të madh, duke përfshirë fshatrat dhe qytetin e Tetovës, dhe mundohemi të japim shërbime aq sa mundemi dhe kemi kapacitete. Ne vendet periferike nuk kemi asnjë repart tjetër dhe në tërë këtë hapësirë ka vetëm një Ndihmë të Shpejtë. Kishim një bisedë me ministrin, kërkuam nga ai që të na jep dy vetura donacion, minimumi dy vetura, kemi ne veturat tona, por vështirë ia dalim”, tha Aliu, ndërsa shton se nevojitet edhe personel mjekësor. “Na nevojiten mjek, motra medicinale, personel mjekësor, edhe pse deri diku kemi, nuk është se nuk kemi, por na duhet numër më i madh”, theksoi Aliu. Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, ndërkohë deklaroi se tanimë ka përfunduar blerja e automjeteve, të cilat do të jenë në shërbim të Ndihmës së Shpejtë dhe do të destinohen aty ku ka nevojë.
“Tanimë blerja e automjeteve ka përfunduar, dhe i peësim këto ditë automjetet që duhet të mbërrijnë r të cilat do të jenë automjete për Ndihmën e Shpejtë. Në periudhën e ardhshme, varësisht nevojave, planifikojmë blerje shtesë të automjeteve për Ndihmën e Shpejtë”, tha gjatë vizitës në Tetovë, ministri Filipçe.
Nga Ndihma e Shpejtë njoftojnë se gjatë periudhës së verës shtohet numri i pacientëve që kërkojnë ndihmë. “Gjatë verës, nga ora 7 e mëngjesit e deri ora 19 në mbrëmje, në Ndihmën e Shpejtë në Tetovë ndihmë kërkojnë rreth 150 persona, të cilët vuajnë nga sëmundjet kronike, ata që kam problem me sheqerin, pacientët me sëmundje të zemrës, si dhe ata me tension të lartë”, pohojnë nga Ndihma e Shpejtë. Krahas kësaj situate, në shërbimin e Ndihmës së Shpejtë në Tetovë personeli mjekësor përballet edhe me dukurinë e thirrjeve të pazakonta në numrin fiks 194. Në këtë numër, thirrjet janë nga më të ndryshmet edhe atë për një kollitje të thjeshtë, për grip, apo ndonjë gërvishtje të vogël. Në këtë mënyrë komplikohet puna dhe organizimi i brendshëm i këtij shërbimi, i cili është në funksion të thirrjeve në raste urgjente. Aty theksojnë se në ditë ka deri në 15 thirrje të cilët shpeshherë nuk kanë të bëjnë me rastet urgjente, por thjeshtë janë thirrje për një kokëdhimbje. (koha.mk)