Për fat të keq, Tetova, Shkupi, Kumanova, Manastiri, si katër qytetet me ndotje më të madhe, kanë probleme me ngrohjen në shtëpi. Jemi të vetëdijshëm se qytetarët nuk dëshirojnë të ndotin ambientin, por nuk kanë shumë zgjidhje për shkak të standardit social. Prandaj, ne kemi ndarë 1.2 milion euro që qytetarët të mund të shfrytëzojnë ngrohje që është më pak e dëmshme për ajrin”, tha Makraduli
Urim HASIPI
Tetovë, 23 janar – Qyteti i Tetovës vazhdon të jetë ndër qytetet më të ndotura në vend në këtë periudhë. Edhe pse vite më parë kombinati Jugohrom u mbyll, megjithatë në periudhën e dimrit ndotja sërish shfaqet në nivele të mëdha. Arsyet për këtë ndotje alarmante në Tetovë, sipas Qeverisë, janë shfrytëzimi i materialeve të ndryshme për ngrohje nga amvisëritë, shkruan gazeta KOHA. Zëvendësministri i Ambientit Jetësor, Jani Makraduli shprehet se Tetova, edhe pse ka nivel të vogël të ndotjes gjatë dy viteve, megjithatë Qeveria mbetet në qëndrimin se kombinati Jugohrom nuk do të fillojë me punë pa e vendos sistemin e filtrimit.
“Koncentrimi i ndotjes është më i vogël dhe kjo është pasojë e mos funksionimit të kombinatit Jugohrom dhe Qeveria mbetet në qëndrim të fortë se pa sistemin e filtrimit, kjo fabrikë nuk do të punojë. Mbetet problemi si edhe në qytetet tjera, ngrohja e amvisërive. Për fat të keq, Tetova, Shkupi, Kumanova, Manastiri, si katër qytetet me ndotje më të madhe, kanë probleme me ngrohjen në shtëpi. Jemi të vetëdijshëm se qytetarët nuk dëshirojnë të ndotin ambientin, por nuk kanë shumë zgjidhje për shkak të standardit social. Prandaj, ne kemi ndarë 1.2 milion euro që qytetarët të mund të shfrytëzojnë ngrohje që është më pak e dëmshme për ajrin”, tha ai.
Kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi, tha se beteja me ajrin ambiental është betejë edhe e pushtetit lokal edhe atij qendror. “Ne kemi vazhduar me implementimin e masave, me të cilët si komunë kemi qenë ndër të parët që i kemi sjellur para tre vitesh, po ashtu e vlerësojmë faktin që edhe në nivelin qendror dëshmohet një përgjegjësi për sa i përket ndarjes së mjeteve për masa afatgjate dhe afatshkurtra sa i përket problemit të ndotjes së ajrit. Kurse ndërtimi i gazifikimit mbetet si një zgjidhje e problemit ndaj ndotjes”, theksoi Arifi. Këto komente janë bërë gjatë prezantimit të pesë projekteve në kuadër të thirrjes publike që kishte Fondi për Inovacione dhe Ministria e Ambientit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor. Sipas përfaqësuesve të këtij Fondi, qëllimi është të jepet kontribut në zgjidhjen e problemit me ndotjen që është mjaft aktuale këtyre ditëve, ku kishim nivel të lartë në tërë shtetin.
Drejtori i Fondit për inovacione dhe zhvillim, Jovan Despotovski, ka përmendur pesë modele dhe propozim-vendimet e kompanive të përzgjedhura në thirrjen e tyre “02 Sfidë”. Për zgjidhje të plotë dhe përfundimtare të këtij problemi, është e nevojshme përfshirje jo vetëm e të gjitha institucioneve, por edhe e faktorëve tjerë në shoqëri duke i përfshirë edhe individët. Synimi ynë si Fond së bashku me Ministrinë kompetente është që të japim kontribut në zgjidhjen e këtij problemi që na mundon të gjithëve, sepse të dhënat tregojnë se edhe sot ajri në Tetovë sërish është i ndotur. Për këtë thirrje, kemi ndarë mjete buxhetore prej tetë milionë denarëve dhe presim se shumë shpejtë në muajt në vijim, pas përpunimit përfundimtar, një pjesë prej pesë vendimeve do të lëshohen në përdorim, por edhe në përdorim masiv”, tha Despotovski.
Nga ana tjetër, lëvizja për mbrojtjen e ambientit – “Eco Guerilla” kërkon nga Qeveria e Maqedonisë të investojë në ndërtimin e një qarkoreje Tetovë-Jazhincë, e cila sipas tyre, do të ndikojë në uljen e ndotjes së ajrit.“Segmentet rrugore me frekuencë më të madhe qarkullimi në Maqedoni janë Tetovë-Gostivar rreth 12.000 automjete në ditë dhe Tetovë-Shkup rreth 11.000 automjete në ditë. Për të qarkulluar në këto dy segmenteve, duhet të hyhet brenda qytetit të Tetovës. Me këtë shkaktohet ndotje dhe kaos i trafikut. Qeveria as në planin për vitin 2019 dhe as në planin strategjik 2019-2030 nuk ka paraparë ndërtimin e qarkores për të lidhur këto rrugë. Kërkojmë urgjentisht nga Qeveria të rishikojë planin dhe të ndërtojë qarkoren që do ndikojë dukshëm në ndotjen e ajrit në Tetovë”, thonë nga Lëvizja për mbrojtjen e ambientit “Eco Guerilla”. (koha.mk)