Evis HALILI
Shkup, 14 janar – Aktiviteti hulumtues dhe kërkimet shkencore bazike, të zbatuara, apo edhe eksperimentale në sfera të ndryshme më shumë sesa nga shteti financohet nga fonde private dhe nga jashtë vendit, shkruan gazeta KOHA. Institucionet shtetërore japin më pak se gjysma e të hollave që shpenzohen gjatë një viti për 116 organizatat që merren me punë kërkimore. Sipas të dhënave zyrtare mund të shihet se aktiviteti hulumtues si burim kryesor financiar ka fondet individuale dhe ato që vijnë nga jashtë. Sa i takon institucioneve shtetërore Ministria e Arsimit renditet si një prej atyre që ndan më shumë mjete financiare dhe më pak organet e pushtetit lokal. Në total, shuma e përgjithshme që është shpenzuar për hulumtime dhe zhvillim nga të pestë sektorët, qeveritar, universitar, afarist dhe joprofitabil është mbi 40 milionë euro, ku gjysma e këtyre të hollave është shpenzuar nga sektori i arsimit të lartë. Sipas të dhënave më të fundit numri i projekteve të realizuara deri në fund të vitit të kaluar është mbi 450 dhe në krye të listës renditet ato të sferës së inxhinierisë dhe teknologjisë, të pasuara nga shkencat mjekësore dhe ato shoqërore. Për projektet kërkimore është harxhuar një total prej më shumë se 10 milionë euro, ose mesatarisht një projekt kërkimor ka kushtuar rreth 17 mijë euro. Ajo që bie në sy është shpërndarja gati e barabartë e të hollave sa i takon sferave që janë dedikuar. Për shembull, nuk ka ndonjë dallim mes projekteve kërkimore në sferën e shkencave shoqërore me ato të inxhinierisë. Si më të kushtueshme, edhe pse më të vogla në numër janë ato që bëhen në sferën e bujqësisë. Sa i takon punimeve shkencore që publikohen sipas kërkime shkencore bazike, të zbatuara, apo edhe eksperimentale që janë kryer gjatë një viti (mbi 3 mijë), mund të shihet se publikimet janë më të shumta në numër në sferën e shkencave sociale (1216) dhe më pak në sferën e inxhinierisë dhe teknologjisë. Publikuesi më i madh i punimeve shkencore është sektori i arsimit të lartë, rreth 2500 tituj, gjysma e të cilave i takojnë shkencave shoqërore. Mbështetja e vogël financiare sa i takon aktivitetit kërkimor-hulumtues është kritikuar nga vetë drejtuesit e institucioneve shkencore. Pak kohë më parë, ish kreu i Akademisë së Shkencave dhe Arteve, Vllado Kambovski, deklaroi se Maqedonia renditet si një prej vendeve të fundit në rajon dhe Evropë sa i takon të hollave që ndahen nga shteti për financimin e punës kërkimore. Po pavarësisht ankesave për buxhet jo të mjaftueshëm – ka edhe institucione të tilla, buxheti i të cilave nuk i kalon një milion denarët. I tillë është Instituti i Trashëgimisë, i cili nga buxheti thuajse konstant që i ndan Ministria e Arsimit prej disa vitesh mund të paguajë vetëm faturat dhe shpenzimet e tjera teknike. Ndryshe, në të gjitha institucionet hulumtuese-kërkimore numërohen mbi 11 mijë të punësuar, ndërsa numri i atyre që merren drejtpërsëdrejti me hulumtime është mbi dy mijë, ku dominojnë gjinia mashkullore dhe grupmosha 45-49 vjeç.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.