Të bëhemi bashkë në emër të së drejtës së Lumturisë, sepse ajo i përket çdokujt njësoj…ajo nuk dallon ngjyrë, gjuhë, komb, fè, ajo është e njerëzve, ndaj të gjithë për njerëzit! Norvegjezi Henrik Ibsen do të thoshte në mënyrë brilante se “Të kërkosh lumturinë në këtë jetë, është shpirti i vërtetë i revoltës”!
Nga Dr. Arben TARAVARI
Felicium omnes sunt cognati, thonë latinët që në shqip do të thotë “Të gjithë janë farefis i Fatlumëve”. Kështu mençuria epike e këtij populli që ka ngritur shtylla mbështetëse në kulturën e njerëzimit, kësaj here ka dashur të thotë se Lumturia qëndron për secilin prapa derës…vetëm se këtu tek ne dera është e padukshme ose derën e sheh po nuk i ke çelësat ose në raste edhe më të padrejta, çelësat që të takojnë ty i ka vjedhur dikush tjetër dhe të është bërë Bos i Fatit tënd! Çdo njeri nga ne lind me potencial të barabartë dhe të drejta të plota njësoj për të qenë i lumtur!
Në repartet e lindjes mjekët madje nxitojnë sa më shpejt të vendosin shiritin në krahët e bebeve për t’i identifikuar, pasi rreziku i ngatërrimit të tyre është shumë i madh! Aty ne jemi të sapoardhur në këtë jetë, jemi të ngrohtë ende nga përqafimi i Zotit, ndaj jemi në gjendjen tonë më idilike, jemi fare të pafajshëm, dhe secili nga ne është shpresa dhe gëzimi i prindërve tanë.
Po, e kuptoj që edhe Latinët do e kishin të vështirë të qartësonin ujin e turbullt politik e si pasojë ekonomik, social e psikologjik në vendin tonë, por le t’i besojmë shpresës për të cilën latinët thonë se nuk vdes asnjëherë! Kështu le të përqendrohemi tek fati i mirë, tek lumturia e të kuptojmë se ku mund të jetë fshehur apo më saktë se kush na e ka marrë?! Sigurisht që politika problematike e disa viteve që zhyti popullin në errësirë është edhe rrënuesja e lumturisë, rrënojat e saj ende rëndojnë mbi supet e brishta të popujve të kësaj ane, por kjo nuk është arsye e heqjes dorë nga e drejta për të qenë të lumtur!
Perdja gri që ka mbuluar lagje gati të boshatisura, klasat e ftohta që ngrijnë fëmijët si zogjtë në dimër, burrat e plakur para kohe por që ende ecin me kokën lart, i papuni që endet rrugëve çdo ditë për të gjetur punë, ndoshta këto janë strofullat ku është fshehur lumturia! Ndoshta tek këto fotografi gjendet sekreti apo çelësi ku duhet kërkuar ajo që do të na dhurojë një harmoni e paqe kolektive. Nëse shtëpitë do të mbusheshin plot do të nënkuptoj që familjet do të bashkohen, që njerëzit do t’i kthehen babës, nënës, fëmijëve! Që këta njerëz të kthehen duhet garantuar një sistem që i do, një sistem I drejtë e i barabartë për të gjithë, duhet investuar në vende pune që fitohen me meritokraci dhe jo me “partitokraci”!
Ai burri i papunë që nuk preferon t’i shitet asnjë partie, duhet të punojë sepse ka aftësi apo mjeshtëri të caktuara, ai ose ajo duhet të punësohen sepse vlejnë dhe jo sepse kanë lidhje partiake! Sot diplomat mbajnë ende vula të kota, vendi i punës ende shikohet si sfidë elektorale. Sa më shumë vota të mbledhësh aq më shumë të shtohet mundësia për të punuar, absurdi shkon deri aty sa nuk të pyesin çfarë shkolle ke por me cilën parti je!!! Ky mentalitet i rëndë është ende i fortë në kokat e njerëzve!
Ndërkohë në shkolla, aty ku fabrikohet e ardhmja e vendit, aty ende vazhdojnë ende të diplomohen kallëpe dinamiti, të cilat do na plasin në dorë. Absurdi i kushteve gati mesjetare nuk është aq i mprehtë sa mënyra e funksionimit të tyre! Nxënës që bëhen viktima të skoliozës, sepse pesha e librave shkollorë ndonjëherë është sa e vet tyre, mësues të cilët janë nën presionin e largimit nga puna! Nëse shkolla do të jetë një djep dije dhe edukate, një etalon i saktë i një shoqërie evropiane, atëherë arkitektët e shtetit të nesërmen do të jenë më të qartë e më të saktë në projektin e tyre. Ne jemi fis i Lumturisë, ne jemi njerëz dhe Zoti na ka krijuar duke na dhënë Lumturinë si ndjesi instiktive, vaniteti, miopia e disa personave që dinë të abuzojnë dhe manipulojnë ç’ka Zoti ka krijuar, ka bërë që të vuajmë kusuret e viteve të padrejta!
Të bëhemi bashkë në emër të së drejtës së Lumturisë, sepse ajo i përket çdokujt njësoj…ajo nuk dallon ngjyrë, gjuhë, komb, fè, ajo është e njerëzve, ndaj të gjithë për njerëzit! Norvegjezi Henrik Ibsen do të thoshte në mënyrë brilante se “Të kërkosh lumturinë në këtë jetë, është shpirti i vërtetë i revoltës”! Me punë, kurajo dhe respekt ndaj të gjithëve duhet dhe do të sjellim Lumturinë në anët tona!
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)