Nga gjithë liderët botërorë, kancelarja gjermane Angela Merkel e ka praktikuar kërkim-faljen ndaj votuesve aq shumë sa që dukej edhe si art. Ndërkohë, analistët dhe politologët thonë se për dallim nga politikanët në botë, në Maqedoninë e Veriut – politikanët vendorë edhe nga pushteti edhe nga opozita thuajse aspak nuk e ndjekin këtë trend
Xhenur ISENI
Shkup, 12 prill – Jeta me pandeminë ka ndryshuar shoqërinë, si dhe mënyrën sesi funksionon normalisht politika. Në mënyrë të pazakontë, kohët e fundit është bërë një trend që funksionarë shtetërorë dhe politikanë, më shumë se kurrë më parë, të praktikojnë të kërkojnë falje për gjithçka. Pavarësisht nëse janë zbatuar ose nuk janë zbatuar vendimet për t’u marrë me pasojat e Covid-19, në vendet e BE-së dhe SHBA-VE, pa marrë parasysh nëse bëhet fjalë për politika të këqija ekonomike, parashikime të gabuara, shtetarët iu kërkojnë falje qytetarëve të tyre.
Kohët e fundit ekziston një trend te politikanët botërorë që të kërkojnë falje deri te votuesit të tyre dhe deri tek opinioni, ndërsa kjo është ngushtë e lidhur me refleksionet e dëmshme ndaj mënyrës së përgjithshme të jetës që ka shkaktuar pandemia. Politikanët shpesh kanë kërkuar falje për masat rigoroze siç janë karantina, për masat e dobëta ekonomike për t’ju dalë në ndihmë më të prekurve, por edhe për mossuksesin rreth imunizimit të popullsisë. Nga gjithë liderët botërorë, kancelarja gjermane Angela Merkel e ka praktikuar kërkim faljen ndaj votuesve aq shumë sa që dukej edhe si art. Gjatë kohës së pandemisë, kancelarja Merkel ka kërkuar falje aq shpesh deri te votuesit dhe oponentëve në opozitë, duke potencuar se gabimet që janë bërë me politikat rreth ballafaqimit me virusin janë personalisht të saj, pa e fajësuar për përgjegjësi pjesën tjetër të qeverisë.
Kërkim-faljet e shpeshta të Merkelit kanë pasur edhe efekt ndaj politikanëve të taborit kundërshtarë, si për shembull të deputetes Katrin Goring-Ekard, e cila deklaroi se kjo është një praktikë e mirë dhe duhet të jetë pjesë përbërëse e demokracisë në Gjermani. Edhe presidenti Emanuel Macron, fjalimet e tij ndaj popullit i ka shfrytëzuar vetëm për të kërkuar falje për gabimet që i ka bërë gjatë qeverisjes së tij, konkretisht për ballafaqimin me pandeminë. Më tej, presidenti amerikan Xho Bajden në një paraqitje televizive në fillimin e mandatit të tij ka kërkuar falje për politikat e këqija shtetërore të paraardhësit të tij në drejtim të ballafaqimit me pandeminë dhe në të njëjtën kohë kërkoi falje edhe nga partnerët ndërkombëtar në NATO dhe BE për involvimin e dobët amerikan në proceset ndërkombëtare, e cila kishte ngecur deri sa Donald Trump ishte president i SHBA-së.
Ndërkohë, analistët dhe politologët thonë se për dallim nga politikanët në botë, në Maqedoninë e Veriut politikanët vendorë edhe nga pushteti edhe nga opozita thuajse aspak nuk e ndjekin këtë trend. Ata thonë se kërkim faljet nuk janë pjesë e mentalitetit të elitës sonë, edhe përskaj dështimit total rreth furnizimit të vaksinave dhe ballafaqimit me pandeminë. “Politikanët ballkanas vijnë nga sistemi komunistë që drejtuesit nuk e njohin fjalën “Faleminderit” dhe “Na Falni”. Këto vende ende udhëhiqen nga trashëgimtarët e diktaturë e komunizmit. Pra jemi në diktaturë demokratike ku çdo deklaratë dhe veprim i qeveritarëve kuptohet si urdhër i padiskutueshëm dhe jo detyrim ndaj votuesve. Nuk kanë ndjenjë përgjegjësie për fat të keq. Kjo gjë ndodh në Maqedoni, Shqipëri dhe më tej”, ka deklaruar për KOHA, Arben Llalla, analist.
Ndërkaq, politologu, Marjan Vuçkoviq thekson se morali dhe etika si sfidë për secilën elitë politike gjatë periudhës së kaluar e gjetën vendin e tyre në politikën botërore nën sqetullat e pandemisë. Sipas tij në shoqërinë tonë kërkim falja nënkuptohet si pranim të fajit, prandaj elita politike nuk pranon të kërkon falje. “Kërkim-falja për gabime e të tjerëve ose problemet në nivel global, në mënyrë shtesë e forcon rejtingun e politikanëve duke treguar përgjegjësi të pjesërishme për pandeminë e cila nuk është faji i tyre, por përsëri kërkojnë falje. Për fat të keq te ne arsimin politik që e kanë elitat politike, përveç se është larg nga pritjet, por edhe dëshira e tyre për mësim është thuajse zero. Por gjithashtu kërkim-falja te ne nga cilado palë nuk vlerësohen si akt moral, por si akt që krijon hapësirë për dorëheqje dhe pranim të fajit, në politikën vendore si ‘mëkat vdekje’ ose termin i panjohur. Deri sa kështu vlerësohet kërkim falja, dhe deri sa zbatohet rregulli ‘shih mos të pranosh fajin’, elita politike e vendit tonë do të ketë problem të kërkon falje, përfshirë dhe për gabimet që nuk janë të atyre, por janë pasqyrë e empatisë dhe keqardhjes me popullin. Ai që ju ka zgjedhur dhe e pret atë nga ata”. ka deklaruar për KOHA, Marjan Vuçkoviq, politolog. (koha.mk)