Organizata për Dialog dhe Afirmim të Gjimnazistëve (ODAS) do t’i dërgojë një kërkesë Parlamentit dhe Qeverisë për të lehtësuar dhënien e provimit të maturës shtetërore për gjeneratën e këtij viti, ose për të shkurtuar vëllimin e materialit apo për të zvogëluar numrin e provimeve interne
Llausha ZENUNI
Shkup, 15 mars – Organizata për Dialog dhe Afirmim të Gjimnazistëve (ODAS) do t’i dërgojë një kërkesë Parlamentit dhe Qeverisë për të lehtësuar dhënien e provimit të maturës shtetërore për gjeneratën e këtij viti, ose për të shkurtuar vëllimin e materialit apo për të zvogëluar numrin e provimeve interne.
Kryetarja e ODAS-it, Anisia Ugrinovska, tha se këto janë konkluzionet nga diskutimi që e organizuan të shtunën dhe do t’i dërgohen Parlamentit dhe Qeverisë, përfshi edhe Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës. Ajo është distancuar nga protesta që gjimnazistët mbajtën dje para Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës me një kërkesë. Ugrinovska tha se ata nuk janë organizatorë dhe, me gjasë, protesta që u mbajt dje para Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, ka qenë e vetëiniciuar, por se ODAS do të organizojë edhe protestë paralajmëruese, nëse autoritetet nuk i dëgjojnë kërkesat. “Si organizatë synojmë që fillimisht gjërat të zgjidhen me diskutim dhe vetëm atëherë do të pasojnë masat më radikale. Kërkojmë ulje të sasisë së materialit të dhënë për dhënien e provimit të maturës ose shkurtim të një lënde interne. Kjo është për shkak të dy faktorëve më të mëdhenj në katër vitet e fundit – ne ishim të zënë me krizën e koronës dhe kishim një vit e gjysmë mësim në internet dhe kërcënimet me bombë. Në ndërkohë ka pasur edhe faktorë të tjerë, kështu që ne maturantët jemi gjenerata më e dëmtuar dhe nuk kemi pasur një vit të plotë shkollor të pandërprerë”, tha Ugrinovska.
Lidhur me këtë kërkesë dhe lidhur me protestën e djeshme, kryetari i Lidhjes së nxënësve të shkollave të mesme të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Luka Paviçeviq, tha se për momentin Asambleja e Përgjithshme e SSRSSM nuk ka marrë vendim dhe se duhet të merren parasysh të gjitha aspektet. “Për një deri në dy javë do të kemi Asamblenë e Përgjithshme që do të vendosë për këtë çështje dhe ne do të dalim me kërkesat zyrtare të gjimnazistëve për provimin e maturës shtetërore. Por nuk është vetëm çështja se çfarë do të dëshironte një grup gjimnazistësh, por të gjithë duhet të merren parasysh, sepse ka më shumë interesa të studentëve që janë në konflikt – ata që duan të regjistrohen jashtë vendit, ata që duan të regjistrohen në studime këtu, ata që mund të mos duan as të vazhdojnë studimet univerzitare”, përfundon Luka Paviçeviq.
Një tjetër problematikë mbi shpatullat e gjimnazistëve është edhe transporti. Sindikata e Nxënësve të Shkollave të Mesme (SNSHM) do t’i paraqesë Parlamentit propozimin për ndryshime dhe plotësime në Ligjin për arsimin e mesëm, në nenin që i referohet të drejtës së nxënësve për transport, me të cilin kërkojnë që transporti falas të zbatohet edhe për nxënësit e shkollave të mesme nga shkollat private dhe nxënësit me aftësi të kufizuara nga shkollat publike.
Sindikata ka promovuar një video me një anketë të nxënësve të shkollave private të cilët nuk kanë të drejtë në transport falas dhe konsiderojnë se janë të diskriminuar, duke theksuar se edhe prindërit e tyre janë taksapagues të vendit. Në anketë, ata theksojnë se kanë nevojë për transport për në shkollë, si dhe për aktivitete jashtëshkollore, ashtu si nxënësit e shkollave të mesme publike. “Ky ligj parashikon përfundimin e diskriminimit në bazë të distancës nga shtëpia si dhe llojit të shkollës – publike apo private. Gjithashtu, transporti ofrohet edhe për nxënësit që ndjekin trajnimin praktik gjatë pushimeve, si dhe garantohen të drejtat e nxënësve me aftësi të kufizuara. Ligji mundëson që transporti të bëhet i drejtë për të gjithë shkollarët e mesëm në vendin tonë”, shtoi kryetari i SNSHM.
Në vitin 2022, gjatë pushimit veror është siguruar transport falas për nxënësit e shkollave të mesme shtetërore – si për nxënësit e shkollave të mesme ashtu edhe për nxënësit e shkollave të mesme profesionale, i cili është krijuar me masë të miratuar me konsensus nga Këshilli i Qytetit të Shkupit. (koha.mk)