KËRKESA E PPD-së PËR VETËVENDOSJE TË SHQIPTARËVE! Lidhja, bashkëpunimi dhe bashkëveprimi i partive politike shqiptare në Maqedoni me partitë politike shqiptare në Kosovë 1990 -1992 (2)

Partia Demokratike Popullore (PDP), doli me një deklaratë politike e cila më 19 qershor të vitit 1991, u botua në gazetën “Nova Makedonija”. Në pikën dy (2) të saj thuhej: “PDP është përcaktuar që popullsisë shqiptare në Jugosllavi t’i pranohet statusi i kombit (janë mbi 3 milionë) edhe atë si shprehje e lirisë dhe të drejtës për përcaktim të lirë nacional, për vetëvendosje dhe me të drejtë të shkëputjes nga robëria totalitare e asimiluese pan-sllaviste”

Nga Qerim LITA

(vijon nga dje)

Advertisements

Në rrethana dhe kushte përafërsisht të këtilla, dy partitë e atëhershme politike shqiptare, PPD dhe PDP, morën pjesë në zgjedhjet e para shumëpartiake në RS të Maqedonisë, të cilat filluan më 11 nëntor 1990 (raundi i parë), dhe përfunduan më 9 dhjetor 1990. Në to, PPD-ja dhe PDP-ja arritën të fitojnë 23 ulëse nga gjithsej 120 sa numëronte Parlamenti. Njëkohësisht me zgjedhjet parlamentare u mbajtën edhe zgjedhjet lokale, në të cilat koalicioni i dy partive shqiptare fitoi shumicën e këshilltarëve në tri komunat e atëhershme: Tetovën, Gostivarin dhe Dibrën.

Ndonëse shqiptarët fituan bindshëm në këto tri komuna, Qeveria e RS të Maqedonisë, suspendoi organet e dala në zgjedhjet e para postkomuniste, në komunën e Tetovës dhe të Gostivarit, dhe në vend të tyre emëroi të ashtuquajtura “këshilla ekzekutivë”, të cilët do të kryenin detyrat që ishin nën kompetencë të organeve komunale. Një vendim të tillë arbitrar, Qeveria e atëhershme e RSM-së, e mbështeste në “nenin 14-a të Ligjit Kushtetues për zbatimin e Amendamenteve Kushtetuese të RSM-së”, sipas së cilit, në ato komuna ku nuk mund të konstituoheshin kuvendet e porsazgjedhura “autorizohej Qeveria e Maqedonisë të themeloj këshilla drejtuese, të cilat do të udhëheqin me ato komuna deri në konstituimin e atyre kuvendeve”. Çuditërisht, një nen i tillë, erdhi në shprehje vetëm në dy komunat e përmendura shqiptare, ku konstituimi i kuvendeve nuk vihej në pikëpyetje, për arsye se shumicën e këshilltarëve e përbënin dy partitë politike shqiptare. Ndërkohë, kjo nuk u zbatua në një numër të madh të komunave me shumicë maqedonase, përfshi edhe Qytetin e Shkupit, ku asnjë parti nuk e kishte shumicën e nevojshme për konstituimin e kuvendeve.

Politika represive ndaj popullsisë shqiptare në RS të Maqedonisë vazhdoi edhe në pjesën e parë të vitit 1991. Kjo politikë erdhi në shprehje veçanërisht kundër arsimtarëve shqiptarë, të cilët me përkrahjen e madhe që e morën nga prindërit, në fillim të muajit mars 1991, dokumentacionin dhe evidencën pedagogjike, filluan ta udhëhiqnin në gjuhën shqipe, si dhe kundër disa personaliteteve shqiptare me ndikim, me arsyetim se “e penguakan” mbajtjen e regjistrimit të popullsisë. Kundër një politike të tillë doli udhëheqja e PPD-së, e cila përmes një shkrese kërkoi nga institucionet më të larta republikane, ndërprerjen e menjëhershme të masave represive kundër shqiptarëve, si dhe ndryshimin e dy ligjeve diskriminuese për shqiptarët: Ligji për edukimin dhe arsimimin parashkollor e fillor dhe Ligji për arsimin e mesëm të orientuar. “Organet e pushtetit të Maqedonisë shumënacionale, theksohet në shkresën e PPD-së, në vend se të gjejnë zgjidhje minimale civilizuese e demokratike të cilat të çojnë kah barazia e bashkëjetesa, ofrojnë dhe zbatojnë represion masiv mbi arsimtarët pjesëtarë të kombit shqiptar me ngritjen e padive penale e për kundërvajtje kundër tyre vetëm për shkak asaj se ashtu sikurse kolegët e tyre maqedonas evidencën pedagogjike e udhëheqin në gjuhën me të cilën zhvillohet mësimi…Duke e analizuar pozitën e shqiptarëve në Maqedoni, veçmas në fushën e arsimit Këshilli Drejtues konstatoi se shqiptarët në Maqedoni janë në pozitë më të keqe krahasuar me pozitën e shqiptarëve në Kosovë, Mal të Zi dhe Serbinë Jugore ku në shkollat në të cilat mësimi zhvillohet në gjuhën shqipe evidenca pedagogjike udhëhiqet në gjuhën e njëjtë e në të cilën gjuhë, shqiptarët shkollohen edhe në shkollimin e mesëm…”.

Kërkesa e Këshillit Drejtues të PPD-së u shqyrtua në mbledhjen e Kuvendit të RSM-së, e cila u mbajt më 24 qershor 1991, me ç’rast, grupi parlamentar shqiptarë, përkatësisht, koalicioni PPD-PDP-ë, mbrojti denjësisht kërkesën e Këshillit Drejtues të PPD-së. Pikërisht, ky qëndrim dinjitoz i deputetëve shqiptarë, qe shkas që Qeveria e RSM-së, në mbledhjen e mbajtur më 27 qershor 1991, të del me një komunikatë, përmes së cilës ajo paturpësisht, dënoi, gjoja “sjelljen e pahishme” të grupit parlamentar të PPD-PDP-së. Në komunikatë ndër të tjerave thuhej se: “…Qeveria e Republikës së Maqedonisë vlerëson se sjellja e grupit parlamentar të PPD-PDP-së në Kuvendin e Maqedonisë meriton dënim për arsye se përpiqet t’i mjegulloj situatat e vërteta në realizimin e të drejtave të pakicës shqiptare në fushën e arsimit e më gjerë. Qeveria, vlerëson se, çështja minore rreth udhëheqjes së evidencës pedagogjike, shtrohet me qëllim të mjegullimit të të drejtave të gjëra të pakicës nacionale që i gëzon në fushën e arsimit…”.

Meqenëse në atë periudhë kohore në Kosovë dhe në trevat tjera shqiptare nën Jugosllavi, qenë formuar dhe vepronin më shumë parti, me nismën e partisë më të madhe shqiptare, Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe liderit të saj historik, Prof. Dr. Ibrahim Rugova, në Prishtinë u formua Këshilli Koordinues i Partive Politike Shqiptare në RSFJ. Është me rëndësi të thuhet se, një bashkëpunim të ngushtë ky Këshill vendosi edhe me partitë politike në Shqipëri, në radhë të parë me Partinë Demokratike, por edhe me Ramiz Alinë, i cili asaj kohe mbante postin e kryetarit të shtetit. Në kuadër të këtij bashkëpunimi, në pjesën e parë të muajit maj 1991, për Tiranë udhëtoi një delegacion i lartë i PPD-së, i udhëhequr nga kryetari Nevzat Halili, nënkryetari Sami Ibrahimi dhe sekretari i përgjithshëm Mithat Emini. Në deklaratën dhënë TV Shqiptarë, Nevzat Halili, ndër të tjerave tha se në Shqipëri po “vërehen proceset demokratike dhe pluralizmi politik” dhe se këto procese paraqesin “përkrahje të madhe për PPD-në”. Sipas tij, ndër më meritorët për demokracinë në Shqipëri ishte Ramiz Alia, prandaj ai u apeloi të gjitha partive shqiptare brenda dhe jashtë Shtetit shqiptar “të mos i nënshtrohen urrejtjes ideologjike, posaçërisht tash në kohën e rëndë të krizës ekonomike…”. Vizita e kreut të PPD-së dhe takimi me Ramiz Alinë, u kritikua ashpër nga një pjesë e veprimtarëve shqiptarë të trevave lindore, veçanërisht nga ish kryetari PDP-së, Dr. Jusuf Rexhepi, i cili në Kuvendin e dytë të PDP-së dega e Tetovës, që u mbajt në fillim të muajit qershor 1991, ndër të tjerave shprehet: “….Ajo Parti, është vazhdë e politikës së Milladin Popoviqit dhe Dushan Mugoshës që shkaktuan luftën civile, është parti që në vitin 1948 kthyen ‘vaporin’ dhe u bënë stalinistët më të njohur e nga frika e destabilizimit u lidh me Kinën në vitin 1960, duke e shkëputur Shqipërinë nga procesi social. Është agoni të jetosh me dekada në një sistem totalitar që solli popullin në një situatë edhe më të mjerë. Ramiz Alia është vazhduesi i një stalinizmi ortodoks, por ai është i detyruar të fillojë me reformat që ende për fat të keq janë gjysmake….”.

Ndërkohë, gjatë muajve qershor-korrik 1991, në federatën e atëhershme jugoslllave filloi konflikti i armatosur, fillimisht në Slloveni që më pas të zgjerohet edhe në Kroaci. Për ndërprerjen e këtij konflikti, në sipërfaqe doli i ashtuquajturi “Programi politik për zgjidhjen paqësore të krizës jugosllave”, pas të cilit qëndronin kryetari i atëhershëm i Maqedonisë, Kiro Gligorov, dhe ai i Bosnjës dhe Hercegovinës, Alija Izetbegoviq. Me një program të vetin, asaj kohe doli edhe Qeveria federative e Ante Markoviqit, i cili përfshinte tre pika kryesore:

“Së pari, për vendosjen e paqes në Jugosllavi, nevojitet ndërprerja e menjëhershme e konfliktit, e njëkohësisht edhe pamundësimi i konflikteve të reja të cilat mund të ndodhin në Jugosllavi dhe të kërkohet demobilizimi i të gjithë atyre njerëzve që janë të mobilizuar, të çarmatosen formacionet paraushtarake dhe njëkohësisht të shkohet në negociata për bashkëjetesën e mëtutjeshme në Jugosllavi.

Së dyti, në tre muajt e ardhshëm si domosdoshmëri parashikohet vendosja e disa funksioneve të sistemit të cilat do të mundësonin kushte minimela për jetesë, duke filluar nga tregu, valuta, sistemi monetar, sistemi pagesor etj., deri te institucionet të cilët do ta pëmbyllnin atë rreth të funksionimit të federatës jugosllave.

Së treti, gjatë kësaj periudhe kohore të arrihet marrëveshje për marrëdhëniet e ardhshme të shtetit, duke filluar nga e drejta e çdo kombi, çdo republike, për vetvendosje dhe pavarësi dhe brenda mundësive të negociohet për disa funksione të përbashkëta të mundshme të cilët do të jenë në interesin e secilës republikë. Në rast se nuk ekzistojnë as çfarë kushtesh për këtë, atëherë ndarja të kryhet në mënyrë paqësore dhe secila republikë të konstituoj shtetin e vet”.

Është me rëndësi të vihet në dukje fakti se, si në programin politik të Qeverisë Federative për zgjidhjen e krizës jugosllave, sikurse edhe në atë të duetit Gligorov-Izetbegoviq, nuk u përfshinë as shqiptarët në përgjithësi, e as Kosova në veçanti, e cila me Kushtetutën e vitit 1974 kishte fituar statusin më të lartë të autonomisë. Lidhur me këtë, Kryesia e PPD-së, vlerësonte se “…Jugosllavia në mënyrë indolente dhe indiferente u soll ndaj zgjidhjes së problemit të Kosovës, duke i përkrahur në këtë mënyrë masat diskriminuese të Serbisë ndaj shqiptarëve, masa këto që suprimuan edhe autonominë politike të Kosovës…”. Sa i përket ardhmërisë së asaj federate, PPD-ja, shprehte mendimin , se “…Platforma Gligorov-Izetbegoviq është e mirë dhe mund të shërbejë për bisedime të mëtutjeshme, por me kusht që në këto bisedime të marrë pjesë Kosova dhe populli shqiptar”. Më tej ajo bënte me dije se në rast se Jugosllavia do të coptohej, dhe nëse nuk formohej ndonjë federatë e re ku shqiptarët do të ishin element konstituiv, atëherë “popullit shqiptar nuk do t’i mbetet asgjë, pos referendumit për të shprehur vullnetin e vet…”. Ndërkohë, kryetari i PPD-së, në intervistën dhënë revistës “Dita”, ndër të tjerave deklaroi se “…Sa i përket definimit të Republikëssë Maqedonisë si shtet, mund ta njohim vetëm me një kusht: që edhe shqiptarët të jenë element të shtetësisë së Maqedonisë. Kushtetuta eventuale që do të aprovohej me mbivotim, nuk do të konsiderohet Kushtetutë edhe e shqiptarëve”.

Në korrik të vitit 1991, një delegacioni i LDK-së i kryesuar nga kryetari Dr. Ibrahim Rugova u takua me udhëheqjen më të lartë të PPD-së në Tetovë. Menjëherë pas këtij takimi, udhëheqjae PPD-së, mbajti konferencë për shtyp, me ç’rast, sekretari i përgjithshëm, Mithad Emini, njoftoi gazetarët e pranishëm se “…emërues i përbashkët i këtyre bisedimeve ishte pozita aktuale e shqiptarëve në Jugosllavi”. “Vlerësim i përgjithshëm i këtyre bisedimeve, shprehet më tej Emini, ishte se kjo pozitë e shqiptarëve nuk është e kënaqshme. Faktet flasin se kohëve të fundit në Kosovë është bërë një grumbullim i armatimit. Prandaj kemi ardhur në përfundim se rrezikimi i cilësdo pjesë ku jetojnë shqiptarët, do të thotë atak mbi gjithë popullin shqiptar në Jugosllavi, e njëkohësisht obligim i të gjithë shqiptarëve për t’u ardhur në ndihmë vëllezërve të rrezikuar.” Në fund, ai tha se do të ishte në të mirë të Maqedonisë dhe të popullit maqedonas “që të përkrahet populli shqiptar në Kosovë, sepse çdo çrregullim i situatës në Kosovë do të reflektohet edhe në Maqedoni”.

Paraprakisht, Partia Demokratike Popullore (PDP-ë), doli me një deklaratë politike e cila më 19 qershor të vitit 1991, u botua në gazetën “Nova Makedonija”. Në pikën dy (2) të saj thuhej: “PDP është përcaktuar që popullsisë shqiptare në Jugosllavi t’i pranohet statusi i kombit (janë mbi 3 milion) edhe atë si shprehje e lirisë dhe të drejtës për përcaktim të lirë nacional, për vetëvendosje dhe me të drejtë të shkëputjes nga robëria totalitare e asimiluese pan-sllaviste”. Një qëndrim i tillë i PDP-së, thuhej në vazhdim të deklaratës, vjen si rrjedhojë e refuzimit të kërkesave të parreshtura të shqiptarëve nga udhëheqja maqedonase, e cila “në vend të progresit e zgjodhi regresin”, dhe si rrjedhoj janë bërë dhe po bëhen shumë reduktime e ndalime për shkollim në gjuhën shqipe, “…janë miratuar ligje diskriminuese në fushën e shkollimit, u mbyllën shumë shkolla të mesme në gjuhën shqipe, na urdhëruan të mësojmë në ‘paralelet e përziera’, administratën pedagogjike ta udhëheqim në gjuhë të huaj, sollën vendime për shkollim të mesëm të imponuar vetëm në gjuhën maqedonase, kërkesat gjithshqiptare për mësim në gjuhën shqipe injorohen nga ‘shteti demokratik’, pasiviteti shtetëror, që i përket shkollimit në gjuhën shqipe, paraqet një politikë aktive të denacionalizimit dhe asimilimit të kombit shqiptar…etj.”.

Deklarata Politike e PDP-së, nxiti qarqet e atëhershme shoviniste maqedonase, të involvuar brenda “qeverisë së ekspertëve” (në të cilën pa dëshirën dhe vullnetin e shqiptarëve, merrnin pjesë edhe tre shqiptarë), të ndërmarrin masa ndëshkuese kundër popullsisë shqiptare në përgjithësi, e të aktivistëve të kësaj partie në veçanti. Ministria për Informim përmes një komunikatë të lëshuar më 27 qershor, Deklaratën e PDP-së, e kualifikonte si një “pamflet” që çon, siç thuhet “kah destabilizimi i Republikës, kah cenimi i marrëdhënieve ndërnacionale…”, krejt kjo “me qëllim të arritjes së funksionit të shkëputjes së pjesëve nga Maqedonia dhe krijimin e një fiksioni për Shqipëri të madhe”. Ajo, “kulmin e agresivitetit” të PDP-së, e shihte në përpjekjet e saj, që bartës së sovranitetit të Maqedonisë të jenë edhe shqiptarët: “…Me këtë qëndrim të PDP-së, thuhet në komunikatë, në mënyrën më brutale të mundshme cenohet e drejta historike e maqedonasve të jenë bartës të sovranitetit në shtetin e tyre të vetëm kombëtar, Republikën e Maqedonisë…”. Një vlerësim i tillë, i dalë nga një qeveri, e cila pretendonte se i përfaqësonte edhe shqiptarët, ishte tendencioz dhe i paqëndrueshëm, për arsye se me Kushtetutën e vitit 1974 (neni 1), bartës të sovranitetit në RS të Maqedonisë, krahas maqedonasve ishin edhe shqiptarët dhe turqit.

Ndërkohë, Grupi parlamentar i PPD-PDP-së, më 29 korrik 1991, Kuvendit të Republikës së Maqedonisë i dorëzoi “Deklaratën për statusin e barabartë të shqiptarëve në Maqedoni”, e cila përbëhej prej 10 pikave:

“1. Në Republikën e Maqedonisë të gjithë qytetarët në aspektin individual dhe kolektiv janë të barabartë, i posedojnë të drejtat, obligimet dhe përgjegjësitë e barabarta dhe janë bartës të sovranitetit.

  1. Organizimi dhe funksionimi i pushtetit në bashkësitë lokale dhe në Republikë bazohet mbi rezultatet e zgjedhjeve të lira e demokratike.
  2. Përbërja nacionale e kuvendeve paraqet bazën themelore për përbërjen e të gjitha organeve të pushtetit shtetëror.
  3. Në Republikën e Maqedonisë gjuhë nacionale janë: gjuha maqedonase, gjuja shqipe dhe gjuha turke.
  4. Në Republikën e Maqedonisë gjuhë zyrtare janë: gjuha maqedonase dhe gjuha shqipe (në territoret ku jetojnë shqiptarët).
  5. Republika e Maqedonisë garanton barazi në sistemin administrativ, informativ, arsimor, kulturor dhe shoqëroro-politik.
  6. Të gjithë qytetarëve në Maqedoni u garantohet e drejta e shprehjes së kulturës së vet kombëtare dhe të themelojnë institucione dhe organizata për realizimin e atyre të drejtave, përfshi edhe të drejtën e shënimit të ngjarjeve dhe datave historike, si dhe të drejtën e përdorimit të simboleve kombëtare e fetare.
  7. Republika e Maqedonisë do të hartoj mekanizëm kushtetues-juridik me të cilin do të garantohet barazia kombëtare, për çka për të gjitha çështjet që u përkasin marrëdhënieve ndërnacionale dhe interesave të përbashkëta do të vendoset me konsensus.
  8. Në Republikën e Maqedonisë shqiptarët kanë të drejtë të vendosin për fatin e tyre dhe në atë kontekst të bartin pjesën e vet të përgjegjësisë për fatin e Republikës.
  9. Këto përcaktime do të inkorporohen në mënyrë përkatëse në Kushtetutën e Republikës”.

Ngjashëm sikurse Deklaratae PDP-së, edhe Deklarata e mësipërme, u hodh poshtë nga Qeveria e RSM-së, me arsyetimin se “statusi i kolektiviteteve nacionale, pakicave nacionale dhe etnike dhe pjesëtarëve të kombeve tjera” do të definohet me Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë. Sipas saj, ishte e panevojshme “sjellja e çfarëdolloj Deklarate të veçantë për trajtim të ndarë të cilitdo status të barabartë, dhe në këtë kuadër edhe statusi i shqiptarëve në Maqedoni, sepse kjo do të çonte kah krijimi i veçantë i zgjidhjeve të ndryshme dhe të një paralelizmi të pashembullt…”.

Në rrethana, kur Kosova gjendej nën pushtimin klasik ushtarako-policor serb nga njëra anë, si dhe refuzimit të vazhdueshëm për avancimin e statusit të shqiptarëve në Maqedoni nga ana tjetër, Këshilli Koordinues i partive politike shqiptare, solli dy vendime shumë me rëndësi për kohën, si vendimi për mbajtjen e Referendumit për “Kosovën si shtet sovran dhe të pavarur, me të drejtë për pjesëmarrje në lidhjen e shteteve (në Jugosllavi”, i cili u mbajt nga data 26-30 shtator 1991, si dhe vendimin për mbajtjen e “Referendumit për krijimin e Autonomisë Politike-Territoriale të Shqiptarëve në Maqedoni”, i cili u mbajt më 11-12 janar1992. Natyrisht, këto vendime, vlenin vetëm në rast ekzistimit të federatës së atëhershme jugosllave, në të kundërtën, Këshilli Koordinues i Partive Politike Shqiptare, do të angazhohej për bashkimin e të gjitha tokave shqiptare në një shtet të prbashkët. Lidhur me këtë, Ibrahim Rugova, në kongresin e parë të PPD-së, i cili u mbajt më 8-9 shkurt 1992, ndër të tjerave u shpreh se “…nuk mund të ketë Maqedoni të pavarur pa mos u respektuar vullneti i shqiptarëve për autonomi politike e territoriale, as pa pranimin e Kosovës Republikë. Nëse nuk realizohen kërkesat, vazhdon Rugova, atëherë do të kërkojmë të jemi të bashkuar…”. Në fjalën hyrëse, kryetari i PPD-së, Nevzat Halili, ndër të tjerave foli edhe për moslejimin e kuvendeve të konstituara disa herë në Tetovë dhe Gostivar, që kjo sipas tij, përbënte “shembullin klasik të aparteidit, që në Maqedoni u zyrtarizua më 16 prill 1991,me rastin e aprovimit të ligjit special që vlen për dy komuna dhe që bën dallim evident nga 32 komunat tjera po në këtë Republikë. Edhe sot e gjithë ditën, u shpreh Halili, këto dy kuvende janë nën qeverisjen e dhunshme nga ana e Republikës së Maqedonisë…”. Më pas ai u ndal në bashkëpunimin e PPD-së me partitë politike shqiptare të Kosovës dhe Shqipërisë, në radhë të parë me LDK-në dhe PDSh-në, si dhe për formimin e Këshillit Koordinues të partive politike shqiptare në territoret shqiptare të ish Jugosllavisë, i cili sipas tij:“ishte dhe mbeti nevojë imediate e bashkëpunimit dhe koordinimit të aktiviteteve ndërpartiake”.

Më 21 prill të vitit 1992, kryetari i Këshillit Koordinues të partive politike shqiptare, Dr. Ibrahim Rugova, i shoqëruar nga dy bashkëpunëtorët e tij, nënkryetarin Anton Kolaj dhe Dr. Ali Aliun, zhvilloi një takim pune me kryetarin e PPD-së, Nevzat Halilin dhe nënkryetarin Sami Ibrahimi si dhe me kryetarin e PDP-së, Iljaz Halimi. Lidhur me këtë takim, shërbimi për informim pranë PPD-së, njoftonte se: “në këtë takim, janë shkëmbyer mendime rreth gjendjes aktuale politike në republikat e ish Jugosllavisë, gjendjes aktuale të shqiptarëve në trojet e tyre etnike në këto republika si dhe më gjerë. U bë fjalë edhe për pozitën e shqiptarëve në çastin e tanishëm të krizës kur mundësia e shpërthimit të luftës sikur të hapej fronti i jugut u kanoset edhe shqiptarëve. U potencua edhe qëndrimi i Bashkësisë Evropiane dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj çështjes shqiptare…etj”.

(vijon nesër)