Nga Qerim LITA
Politika represive ndaj popullsisë shqiptare që udhëheqja politike e ekzekutive maqedonase e zbatonte gjatë muajve mars-prill 1991, në radhë të parë kundër arsimtarëve shqiptar, të cilët me përkrahjen e madhe që e morrën nga prindërit, dokumentacionin dhe evidencën pedagogjike e udhëhiqnin në gjuhën shqipe, si dhe kundër disa personaliteteve shqiptare me ndikim, me arsyetim se “e penguakan” mbajtjen e regjistrimit të popullsisë, Këshilli Drejtues i Partisë për Prosperitet Demokratik, në mbledhjen e mbajtur më 3 maj 1991, përmes një kërkese iu drejtua institucioneve më të larta politike e ekzekutive të RSM-së, në të cilën ndër të tjerave u kërkua ndërprerja e menjëhershme e masave represive kundër shqiptarëve, si dhe ndryshimi i menjëhershëm i dy ligjeve diskriminuese për shqiptarët: Ligji për edukimin dhe arsimimin parashkollor e fillor dhe Ligji për arsimin e mesëm të orientuar. Kërkesa prej dy faqesh kishte këtë përmbajtje:
“KRYETARIT TË REPUBLIKËS
KRYETARIT TË KUVENDIT TË RSM-SË
KRYETARIT TË QEVERISË SË RSM-SË
MINISTRISË SË ARSIMIT
LËNDA: KËRKESË
Këshilli Drejtues i Partisë për Prosperitet Demokratik në mbledhjen e mbajtur më 3 maj të vitit 1991 e shqyrtoi situatën e krijuar në lidhje me paditë për kundërvajtje kundër arsimtarëve shqiptar për shkak udhëheqjes në gjuhën shqipe të dokumentacionit e të evidencës pedagogjike, si dhe të qytetarëve shqiptar për shkak mospjesëmarrjes në regjistrimin e popullsisë vendosi që institucioneve të lartshënuara t’u dorëzoj kërkesë me përmbajtje me sa vijon:
Këshilli Drejtues i PPD-së vlerëson se dispozitat e ligjeve për arsimin fillor e të mesëm të cilat i përkasin mënyrës së udhëheqjes së dokumentacionit e të evidencës pedagogjike vetëm në gjuhën maqedonase, janë në kundërshtim me Konventat ndërkombëtare për përdorimin e gjuhës e të shkrimit dhe vendimeve kushtetuese të Jugosllavisë e Maqedonisë, përkatësisht në kundërshtim me nenet 170 e 171 të Kushtetutës së RSFJ-së dhe neneve 179, 180 dhe 181 ndërsa në kuptimin e nenit 3 nga Kushtetuta e RSM-së në shkollat ku mësimi zhvillohet në gjuhën mësimore shqipe përkatësisht gjuhës mësimore turke mohohet e drejta e udhëheqjes së dokumentacionit e të evidencës pedagogjike në gjuhën në të cilin zhvillohet mësimi. Duke i shfrytëzuar të drejtat e garantuara me Kushtetutë, shkollat përkatësisht arsimtarët shqiptarë me pajtueshmëri të plotë të prindërve evidencën pedagogjike e udhëheqin në gjuhën shqipe.
Organet e pushtetit të Maqedonisë shumënacionale në vend se të gjejnë zgjidhje minimale civilizuese e demokratike të cilat të çojnë kah barazia e bashkëjetesa – ofrojnë dhe zbatojnë represion masiv mbi arsimtarët pjesëtar të kombit shqiptar me ngritjen e padive penale e për kundërvajtje kundër tyre vetëm për shkak asaj se ashtu sikurse kolegët e tyre maqedonas evidencën pedagogjike e udhëheqin në gjuhën me të cilën zhvillohet mësimi.
Organet e pushtetit për “vendosjen” e “rendit e qetësisë” e të “ligjshmërisë” u vërsulën me metoda të dhunshme duke ngritur padi për kundërvajtje kundër qindra arsimtarëve.
Këshilli Drejtues i PPD-së konsideron se në këtë mënyrë dhe me metoda të këtilla Maqedonia është gjithnjë e më afër Kosovës, Kninit, Pakracit, Plitvicës, Vukovarit e vendeve tjera në të cilat marrëdhëniet ndërnacionale janë të ngjashme me këto në Maqedoni.
Duke e analizuar pozitën e shqiptarëve në Maqedoni, veçmas në fushën e arsimit Këshilli Drejtues konstatoi se shqiptarët në Maqedoni janë në pozitë më të keqe krahasuar me pozitën e shqiptarëve në Kosovë, Mal të Zi dhe Serbinë Jugore ku në shkollat në të cilat mësimi zhvillohet në gjuhën shqipe evidenca pedagogjike udhëhiqet në gjuhën e njëjtë e në të cilën gjuhë shqiptarët shkollohen edhe në shkollimin e mesëm.
Për sa u tha më sipër Këshilli Drejtues, në interes të barazisë, bashkëjetesës dhe marrëdhënieve ndërnacionale të mira, institucioneve më lart u propozon sipas të drejtave, obligimeve e kompetencave të veta të iniciojnë e të ndërmarrin masa urgjente për ndryshimin e Ligjit për edukimin e arsimimin parashkollor e fillor dhe Ligjin për arsimin e orientuar në kuptimin e sigurimit e të drejtës kushtetuese për shkollim në gjuhën amtare të mbarë qytetarëve në Maqedoni pa marrë parasysh përkatësinë nacionale dhe dokumentacioni dhe evidenca pedagogjike të udhëhiqet në gjuhën në të cilën zhvillohet mësimi.
Institucionet e lartpërmendura të ndërmarrin masa për tërheqjen dhe ndërprerjen e procedurës së padive penale e për kundërvajtje kundër arsimtarëve në shkollat në të cilat mësimi zhvillohet në gjuhën shqipe ndërsa evidenca pedagogjike udhëhiqet në atë gjuhë. Kjo aq më tepër se në kontaktet e deritanishme me organet kompetente shtetërore, represioni si metodë për zgjidhjen e çështjeve të hapura në mënyrë më të hapur qe dënuar nga ana e vet organeve kompetente.
Këshilli Drejtues i PPD-së konsideron të gjitha mosmarrëveshjet e hapura nga fusha e marrëdhënieve ndërnacionale mund të tejkalohen me metoda demokratike e civilizuese ndërsa represioni paraqet vetëm një hap më larg bashkëjetesës.
Partia për Prosperitet Demokratik
Këshilli Drejtues
Kërkesa e Këshillit Drejtues të PPD-së u shqyrtua në mbledhjen e Kuvendit të RSM-së të mbajtur më 24 qershor 1991, me çrast, grupi parlamentar shqiptar, përkatësisht, koalicionit PPD-PDP-ë, mbrojtën denjësisht kërkesën e partisë më të madhe shqiptare, e cila njëheri paraqiste kërkesë e mbarë popullit shqiptar në RS të Maqedonisë. Ndërkohë, Qeveria e RSM-së, në mbledhjen e mbajtur më 27 qershor të atij viti, doli me një komunikatë, përmes së cilës në mënyrë hapur e dënon “sjelljen” e grupit parlamentar të PPD-PDP-së. Se çfarë në të vërtetë thuhej në atë komunikatë, të njëjtën në vazhdim po e publikojmë të plotë:
“Qeveria e Maqedonisë, e motivuar nga parimet për pohimet e pavërteta e të politizuara të grupit parlamentar të PPD-PDP-së në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë të shtruara në mbledhjen e datës 24 qershor 1991, i drejtohet Parlamentit maqedonas (vetë termi “Parlamenti maqedonas” është dëshmia më e fuqishme se në ç’far pozite të palakmueshme e diskriminuese gjendeshin shqiptarët asaj kohe në atë republikë – Q.L.) dhe opinionit publik në Maqedoni me deklaratën si më poshtë:
Qeveria e Republikës së Maqedonisë vlerëson se sjellja e grupit parlamentar të PPD-PDP-së në Kuvendin e Maqedonisë meriton dënim për arsye se përpiqet t’i mjegulloj situatat e vërteta në realizimin e të drejtave të pakicës shqiptare në fushën e arsimit e më gjerë. Qeveria, pikërisht vlerëson, çështja minore rreth udhëheqjes së evidencës pedagogjike, shtrohet me qëllim të mjegullimit e të drejtave të gjëra të pakicës nacionale që i gëzon në fushën e arsimit.
Qeveria e Maqedonisë konsideron se megjithatë duhet përkujtuar realizimi dhe aspak i kontestueshëm të mësimit në gjuhën shqipe në shkollimin fillor, për çka Qeveria ofron mbështetje të gjërë dhe jo vetëm politike. Është vështirë të besohet se një Qeveri punon kundër interesave të një pakice vetëm nëse dihet, ndërsa këtë e di çdo kush, se përveç të drejtave dhe barazisë së gjuhës e shkollimit, ekzistojnë dhe me mjete shtetërore ndihmohen: edhe institucione kulturore të pakicës shqiptare, ta përmendim vetëm teatrin e kombësive në të cilin njëri nga dy ansamblet punon në gjuhën shqipe.
Qeveria e Maqedonisë në mënyrë të veçantë thekson se është e palogjikshme të besoj se Qeveria e cila krijon komisione të përziera për zbatimin e regjistrimit të popullsisë, në të cilat në mënyrë obligative përfshihet edhe anëtari shqiptar, punon kundër interesave të pakicës nacionale shqiptare vetëm për shkak problemit të shpikur të fletregjistrimit plotësues në gjuhën shqipe, që ligjërisht është e pamundur. Qeveria i shpreh, përkatësisht i përsërit këto argumente për ta dëshmuar sulmin e paargumentuar ndaj saj i cili vin nga interesat e ngushta partiake.
Sa i përket problemit të evidencës pedagogjike, i cili pa nevojë është politizuar me tendencë të zgjerimit, Qeveria e Maqedonisë nënvizon se nuk pranon dialog nën presion, e as që do të lejoj që t’i parashtrohen ultimatume.
Prandaj, Qeveria e Republikës së Maqedonisë deklaron, se ky si dhe problemet tjera të shumta të cilat shtrohen para nesh, do të përpiqet t’i zgjidh në frymën e vlerave të nënvizuara në Kushtetutë, si dhe në Deklaratën për pavarësimin e Maqedonisë, pranë së cilës do të kujdeset edhe për nevojën që zgjidhjet të përmbajnë edhe nga disa opsione, që të rruhet fryma e zhvillimit të proceseve demokratike, i cili është ringjallur fuqishëm në Republikën e Maqedonisë, për çka janë prezent edhe lëvdatat edhe nga opinioni ndërkombëtar. Lidhur me qëndrimet e këtilla të veta dhe arritjet e përgjithshme në përforcimin e të drejtave të pakicave nacionale në Maqedoni, Qeveria apelon për shkallë më të lartë të besimit e të kuptimit te të gjithë pjesëmarrësit e proceseve të demokracisë parlamentare.
- 6. viti 1991 MINISTRIA PËR INFORMIM”. (koha.mk)