Nga Qerim LITA
Të premten e kaluar e publikuam letrën e Këshillit të prindërve dhe të shoqatave joqeveritare shqiptare nga Shkupi, drejtuar organeve më të larta shtetëror, përmes së cilës ata protestonin kundër politikës diskriminuese ndaj shqiptarëve, i cili diskriminim asaj kohe më së shumti shprehej ndaj arsimit dhe kulturës shqiptare. Si rrjedhojë e mospërmbushjes së kërkesave të pareshtura të shqiptarëve për hapjen e paraleleve në gjuhën shqipe në të gjitha shkollat mesme, në disa qytete, si në Shkup, Kumanovë, Kërçovë, Strugë etj, me nismën e disa profesorëve shqiptarë u hapën disa paralele të gjimnazit të cilat funksiononin jashtë sistemit shkollor. Në këto rrethana, deputetët të grupit parlamentar të PPD-PDP-së: Muhamet Halili, Ismet Ramadani, Avdi Murtezani, Agim Fazliu dhe Hysni Shaqiri, më 3 tetor të vitit 1991 përmes një parashtrese, i drejtohen kryetarit të Kuvendit, Stojan Andov, nga i cili kërkuan që në mbledhjen e radhës të Parlamentit, në rend dite të përfshihet kjo pikë: “Arsimi i mesëm me mësim në gjuhën shqipe – situatat dhe problemet”. Ky problem, siç vënë në dukje deputetët shqiptarë, ishte tepër urgjente, për arsye se arsim të mesëm me mësim në gjuhën shqipe, nga viti 1983 thuajse ishte ndërprerë në tërësi “me qëndrimet partiake të ish KQ të PKM-së në kundërshtim me dispozitat e Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë dhe dispozitave të Ligjit për arsim të mesëm të orientuar…”. Më pas në të thuhej se përkundër “mirëkuptimit të lartë” të shprehur nga ana e Qeverisë dhe nga strukturat e larta të republikës, për hapjen e serishme të paraleleve me mësim në gjuhën shqipe “tërë kjo nuk u arrit, për shkak siç shprehen ata “bllokadave të mëdha të cilat vijnë nga të gjitha strukturat më të ulta, duke filluar nga Ministria e Arsimit dhe Kulturës Fizike, e deri te drejtorët me orientim burokratik të shkollave të mesme në Republikë…”. Një konstatim i tillë i grupit parlamentar të PPD-PDP-së, fare nuk korrespondonte me realitetin, për arsye se tërë kjo koordinohej nga lartë, përkatësisht nga kryetari i Republikës, Kiro Gligorov, kryetari i Kuvendit, Stojan Andov dhe kryeministri Nikolla Klusev si dhe tre partitë e atëhershme më të mëdha Maqedonase: VMRO DPMNE, LKM-PTD-ë dhe Lidhja e Forcave Reformuese. Pa dashur të futemi në një analizë më thelluar rreth problemeve të shumta që asaj kohe pati arsimi shqip në këtë republikë, në vazhdim po e paraqesim të plotë parashtresën e lartëpërmendur që deputetët shqiptarë ia dorëzuan Stojan Andovit:
“KRYETARIT TË KUVENDIT TË REPUBLIKËS SË MAQEDONISË, SHKUP
Në bazë të nenit 32 nga rregullorja për punën e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë kërkojmë që në mbledhjen e 24 të Kuvendit të Maqedonisë në rendit dite të jetë pika:
ARSIMI I MESËM NË GJUHËN MËSIMORE SHQIPE – SITUATAT DHE PROBLEMET
Arsyetimi për urgjencën e debatit për këtë pikë ju është dhënë si shtojcë të kësaj kërkese.
Deputetët e PPD-PDP:
Muhamet Halili
Ismet Ramadani
Avdi Murtezani
Agim Fazliu
Isni Shaqiri
Arsyetim
Arsimi i mesëm në gjuhën mësimore shqipe në Republikë thuajse është ndërprerë me qëndrimet partiake të ish KQ të PKM-së në kundërshtim me dispozitat e Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë dhe dispozitave të Ligjit për arsim të mesëm të orientuar. Deri në vitin shkollor 1990-91 mësim në gjuhën mësimore shqipe ekzistonte në qytetet si vijon: Shkup, Tetovë, Gostivar e Dibër me përfshirrjen e përgjithshme të nxënësve prej rreth 3%. Për këtë vit shkollor u bënë përpjekje të shumta të hapen sërish paralelet në të gjitha ato shkolla të mesme ku mësimi zhvillohej në gjuhën mësimore shqipe deri në vitin 1983. Mirëpo, edhe përkundër mirëkuptimit të lartë të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë dhe të strukturave më të larta politike në Republikë, megjithatë ekziston një obstruksion i madh në realizimin e këtyre përcaktimeve. Bllokada të mëdha të cilat vijnë nga të gjitha strukturat më të ulta, duke filluar nga Ministria e Arsimit dhe Kulturës Fizike, e deri te drejtorët me orientim burokratik të shkollave të mesme në Republikë. Duke e pas parasysh këto obstruksione e bllokada, në këtë vit shkollor përfundimisht me datë 18 shtator 1991 edhe përkundër përpjekjeve të mëdha thuajse nuk u bë asgjë në hapjen e serishme të paraleleve në gjuhën mësimore shqipe në shkollat e mesme.
Për sa më sipër shihet se në qytetet Kumanovë, Kërçovë dhe Strugë nuk është hapur asnjë paralele me mësim në gjuhën shqipe, edhe pse ekzistonte pajtueshmëri që në Kumanovë të hapen 3 paralele me mësim në gjuhën shqipe nga orientimi i gjimnazit. Grupi parlamentar i PPD-së disa herë ka vërë në pah për situatën alarmante në arsimit të mesëm me mësim në gjuhën shqipe, mirëpo përpjekje konkrete deri më tash për përballimin e këtyre vështirësive nuk dhanë rezultatin e duhur. Për arsye se në disa qytete revolta e popullatës është në rritje e sipër për shkak moshapjes së paraleleve me mësim në gjuhën shqipe, e cila revoltë, siç është paralajmëruar, do të shprehet përmes demonstratave më të ndryshme, propozojmë që në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë të hapet debat për këtë problematikë, krejt me qëllim që përmes dialogut të tejkalohen problemet e theksuara më lartë. Shpresojmë se pohimi ynë do të hasë në mirëkuptim të madh te të gjithë deputetët e Kuvendit”.