Nga Qerim LITA
Planet e errëta të hartuara gjatë viteve 1945-1953 nga udhëheqja e atëhershme komuniste maqedonase, krahas shpërnguljes së popullsisë jo-sllave, përkatësisht shqiptare për në Republikën e Turqisë, parashihnin edhe asimilimin dhe tjetërsimin e kësaj popullate nga shqiptar në sllav. Një politikë e tillë asaj kohe, krahas elementit shqiptar-ortodoks, u zbatue edhe te një pjesë e popullsisë shqiptare-myslimane, siç ishin fshatrat e rretheve të Prilepit, Brodit, Krushevës, Manastirit, Kërçovës, Strugës, Velesit dhe Dibrës. Në këto zona një numër i madh i vendbanimeve i përkasin etnisë shqiptare siç janë: Debreshi, Desova, Jabollçishta e Epërme dhe e Poshtme, Drugova, Ballanca, Buzallkova, Slivniku, Kllukoveci, Zhitosha, Labunishta, Baçishta, Cërnilishta etj.. Në pjesën më të madhe të këtyre vendbanimeve deri në shpërbërjen e komunizmit, përkatësisht të RSFJ-së, shkollimi fillor zhvillohej në gjuhën jo-amtare, përkatësisht maqedonase, përkundër kërkesave dhe protestave të pareshtura të banorëve të këtyre vendbanimeve që fëmijët e tyre të mësojnë në gjuhën amtare. Sa për ilustrim, po i referohemi Raportit të inspektorit Republikan, Tehla Çela, të datës 22 maj 1947, ku ndër të tjerave thuhet se banorët e fshatit Debresh, rrethi i Prilepit, në mënyrë kategorike kanë refuzuar që fëmijët e tyre t’i dërgojnë në shkolla maqedonase. “Përkundër gjithë kësaj – thuhet në raport – në konferencë nuk e arrita suksesin e duhur, për shkak se të gjithë ishin të lidhur njëri me tjetrin dhe njëzëri brohoritnin: Ne dëshirojmë shkollë shqipe dhe në asnjë mënyrë nuk i dërgojmë fëmijët në shkollat maqedonase”. Përkundër kësaj në këtë vendbanim edhe në ditën e sotme nuk ekziston shkollë shqipe.
Situatë e ngjashme ishte edhe me Jabollçishten e Epërme e të Poshtme, dy vendbanime me një popullsi prej rreth 2.500 banorëve, edhe pse të përkatësisë etnike shqiptare, deri në vitin shkollor 1989/90 shkollimi fillor nuk zhvillohej në gjuhën shqipe por në atë maqedonase. Në prag të vitit shkollor 1990/91, banorët e këtyre dy fshatrave nga organet kompetente arsimore komunale e shtetërore, kërkuan që fëmijëve të tyre t’u sigurohet arsimim në gjuhën amtare. Kjo kërkesë nga strukturat e atëhershme arsimore maqedonase u konsiderua si “nacionaliste” dhe si rrjedhojë, u soll vendim me të cilin në tërësi u pezullua shkollimi fillor në këto dy vendbanime.
Është me rëndësi të thuhet se politika diskriminuese ndaj këtyre dy fshatrave shqiptare, nuk përfshihej vetëm në sferën e arsimit, por edhe në sferat tjera, në radhë të parë atë infrastrukturore. Tërë kjo ishte shkas që udhëheqja e atëhershme e Jabollçishtit të Epërm e të Poshtëm, përmes një letre t’i drejtohet kryetarit të Kuvendit të RS të Maqedonisë, Stojan Andovit, përmes së cilës ata shprehin revoltën dhe hidhërimin e banorëve shqiptar, ndaj pushtetit burokratik, i cili siç do të shprehen “më se 2.000 banorë” i konsideron si qytetar “të rendit të tretë”.
Letrën prej dy faqesh, e cila është nënshkruar nga përfaqësuesit e dy bashkësive lokale, në vazhdim po e publikojmë të plotë dhe pa as çfarë komentimi apo ndërhyrjeje:
“KUVENDITTËREPUBLIKËS SË MAQEDONISË
INDERUARI…
Jemi dëshmitarë se në kohën në të cilën jetojmë sëbashku është me ndryshime të bujshme e alternative dhe me trende ditore politike e ekonomike, me forma dramatike për të gjithë ne.
Ju vlerësojmë se jeni njeri me ide progresive e bashkëkohore për një të nesërme më të mirë në këtë nënqiell, për çka jemi të detyruar që të Ua përshkruajmë edhe mundimet tona në terrenin ku jetojmë.
Ne banorët e të dy fshatrave, përkatësisht bashkësive lokale të fshatrave Jabollçisht e Epërme dhe e Poshtme, rrethina e Tito Velesit (40 km larg qytetit). Duke pas besim te Ju dhe duke iu besuar sinqeritetit Tuaj vendosëm që hidhërimin tonë ta shprehim për arsye me sa vijon: qytetarët e këtyre dy fshatrave, me rreth 2.000 banorë, gjatë qeverisjes burokratike janë konsideruar si qytetar të rendit të tretë, për çka janë ballafaquar me padrejtësi, vështirësi dhe tortura të ndryshme e të shumta, me këtë edhe diskriminim të skajshëm. Indikacionet e këtilla i preokupojnë fshatrat e sipërpërmendura thuajse 50 vite. Përkundër faktit se fshati për nga numri i banorëve është i treti ende nuk i ka të zgjidhura nevojat komunale më elementare; si: mospasjen e rrugës kaluese për lëvizje normale të mjeteve bashkëkohore, që nënkuptohet edhe mospasje të lidhjes me komunikacionin e qytetit, rrjetit telefonik, problemin e punësimit ndërsa si problem më i ndishëm është arsimi fillor.
Arsimi fillor në këtë zonë u shndërrua në një problem më të madh jo vetëm në suazat e këtyre dy fshatrave, porse kjo u ridemensionua edhe në komunën mbarë. Në Jabollçisht të Poshtme mësimi zhvillohet nga klsa e I deri në të IV, ndërsa në Jabollçisht të Epërme mësimi është i organizuat nga klsa e I deri në të VIII. Kjo shkollë mësimin e zhvillonte normalisht deri më datë 10 qershor 1990. Para fillimit të vitit shkollor 1990/91 popullsia nga organet arsimore kërkoi mësimi të zhvillohet në gjuhën amtare për arsye se deri në atë periudhë mësimi zhvillohej në gjuhën maqedonase.
Kërkesat e fshatarëve nuk qenë realizuar, ndërsa organet arsimore kompetente vendosën për mënyrën më të keqe dhe shkollën e mbyllën që nënkupton se tërë viti shkollor 1990/91 nxënësit qenë përjashtuar nga bankat shkollore, ndërsa prindërve u qenë shqyptuar 259 padi kundërvajtëse me dënim në para deri më 2.050,00 dinarë, për arsye se popullsia gjendet në një gjendje më të rëndë ekzistenciale dhe dënimet nuk jemi në gjendje t’i paguajmë, ndërsa masat eventuale me dënim me burg mund t’i komentoni vetë Ju.
Më datë 18 prill 1991 qe kryer një inspektim në shkollën e fshatit Jabollçishtë e Epërme (i pari) pasi qe mbyllur shkolla. Gjatë inspektimit morri pjesë inspektori Republikan i arsimit, drejtori i SHFQ dhe sekretari për çështje shoqërore nga komuna e Tito Velesit dhe përfaqësues nga Jabollçishtja e Epërme, dhe nga bisedat e zhvilluara u konstatua se mësimi në vitin shkollor 1991/92 do të filloj të punoj nga klasa e I deri në të VIII. Mirëpo, më datë 23 maj 1991 u shpall konkursi për shkollën nga klasa e I deri në të IV, që është në kundërshtim me marrëveshjen midis fshatit dhe përfaqësuesve të arsimit, e që nënkupton se nxënësit nga klasa e V deri në të VIII do i nënshtrohen tragjedisë së vitit të kaluar.
I nderuar, mundësitë e juaja me siguri se do të jenë në interes të nxënësve, dhe kundër analfabetizmit. Me lutjen e dy vendbanimeve Ju ftojmë të vini e të ballafaqoheni me problemet e tërësishme me të cilat ballafaqohen banorët e kësaj zone. Lidhur me problemet tona do ju luteshin të jemi të pranuar edhe si delegacion te ju në një afat sa më të shkurtë. Ju përshëndesin përzemërsisht fshatrat kodrinormalore Jabollçishte e Epërme dhe e Poshtme.
10 qershor 1991
Bashkësitë Lokale të fshatit Jabollçisht e Epërme dhe fshatit Jabollçisht e Poshtme”.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.