Sofje, 21 qershor – Problemi i Bullgarisë me Maqedoninë e Veriut mbetet i paqartë për partnerët bullgarë, vlerësoi ish-zëvendësministri bullgar i Punëve të Jashtme, Milen Keremedçiev.
Ai i në deklaratë për Radion Kombëtare Bullgare (BNR) theksoi se Sofja po përballet aktualisht me “presion të dyfishtë të jashtëm”, duke shtuar se të huajt nuk e kuptojnë se çfarë donte vërtet Bullgaria.
“Ne po e transferojmë çështjen dypalëshe në nivelin e bisedimeve të të 27 vendeve (anëtare të BE-së)”, beson ish shefi i diplomacisë bullgare.
Sipas Keremedçiev, edhe nëse Bullgaria e tërheq tani veton e saj për fillimin e negociatave ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe BE-së, ajo sërish do të ketë mundësinë të pezullojë procesin e negociatave edhe 36 herë, nëse beson se vendi nuk i plotëson kërkesat bullgare.
Si shembull, ai përmend Kroacinë, negociatat e së cilës me BE-në u bllokuan nga Sllovenia për një periudhë 6-mujore për shkak të mosmarrëveshjeve mbi kapitullin “Transporti”, duke shtuar se në rastin e vendit në fund të procesit të negociatave, Bullgaria “ende e ka fjalën e fundit”.
“Është vënë kusht për ndryshimin e Kushtetutës. Nëse Maqedonia e Veriut e bën këtë, kapitulli “Të drejtat e njeriut” hapet në fillim dhe mbyllet në fund të procesit,” tha Keremedçiev, duke shpjeguar mekanizmat e negociatave të anëtarësimit në BE.
Ai beson se tani është koha për të zhbllokuar procesin e negociatave me vendin, pasi pas presidencës franceze, vijon presidenca çeke me BE-në, ndërsa pas saj edhe suedeze.
“Ndërsa Suedia nuk merret shumë me zgjerimin e Ballkanit Perëndimor,” tha Keremedçiev, duke shtuar se nëse Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria do të mbeten jashtë BE-së, kjo do të ishte në interesin e Serbisë.