Kërçovë, 13 dhjetor – Çdo vit Kryqi i Kuq i Republikës së Maqedonisë së Veriut me rastin e 5 Dhjetorit – Ditës së vullnetarizmit, ndan mirënjohje kombëtare për vullnetarët e shquar të organizatës, të cilët kanë dhënë kontribut të veçantë në shërbimin e tyre vullnetar në Kryqin e Kuq në bashkësitë lokale në vitin 2019.
Me këtë rast, për këtë vit organizata ka ndarë tre mirënjohje për vullnetarët e shquar, në mes fituesve është dhe kërçovari dr. Lulzim Jahoja nga organizata e Kryqit të Kuq të komunës së Kërçovës.
“Vullnetarizmi është një mjet i rëndësishëm i përfshirjes sociale dhe paraqet mënyrë të rëndësishme për të ndërtuar kapitalin shoqëror në komunitete. Kjo është arsyeja pse njerëzit frymëzohen vazhdimisht nga vlerat e vullnetarizmit dhe angazhimit në Kryqin e Kuq. Pikërisht ky postulat dhe natyrisht humanizmi që unë e mbaj në zemrën time, më jep motivin dhe forcën për të kontribuar si vullnetar në korniza të Kryqit të Kuq në Kërçovë”, theksoi Jahoja.
Ai u shpreh, që sinqerisht i gëzohet dhe është krenar për mirënjohjen e fituar dhe shprehu falënderimin për Kryqin e Kuq për vlerësimin.
U bëri apel deri të gjithë të rinjve për t’u kyçur sa më me masivitet në vullnetarizëm për të mirën e shoqërisë.
Ndryshe, Jahoja planifikon edhe më tej të jetë vullnetar aktiv edhe pse ai më shumë se 14 vite është aktiv si vullnetar në Kryqin e Kuq në Kërçovë.