Athinë,13 janar 2019 – Prokurorja e Gjykatës Supreme të Greqisë, Ksenia Dimitriu urdhëroi një hetim penal për mesazhet kërcënuese që iu dërguan deputetëve të cilët e mbështesin Marrëveshjen e Prespës.
Ndërhyrja e prokurores është për të përcaktuar nëse ekziston një shkelje e të dhënave personale dhe thirrje për kryerjen e veprave penale, dhe vjen pas shkrimeve në mediat greke, por edhe pas qëndrimeve të shprehura publike nga një pjesë e deputetëve.
Pas përfundimit të votimit në Parlamentin e Maqedonisë, nga e premtja në mbrëmje në rrjetet sociale në Greqi doli një fotografi me një mesazh nga një anëtar i komitetit prefektural administrativ të Demokracisë së Re dërguar anëtarëve dhe përkrahësve të opozitës duke u kërkuar atyre që t’i kërcënojnë deputetët të cilët janë të gatshëm të votojnë për Marrëveshjen e Prespës, njofton korrespondentja e MIA-s nga Athina.
Një pjesë e deputetëve, për mediat greke konfirmuan se kanë marrë kërcënime përmes telefonit, ndërsa reaguan edhe prej kabinetit të Ciprasit, prej ku thonë se bëhet fjalë për praktikë antidemokratike.
“Mekanizmi i Demokracisë së Re, dukshëm me njohurinë dhe udhëheqjen e zoti Micotakis po tenton t’i frikësojë deputetët. Këtë në mënyrë cinike e pranoi edhe zëdhënësi i Demokracisë së Re, zoti Karanakis, i cili këto thirrje telefonike i karakterizoi si “obligim”. Deputetët do të përgjigjen duke e dhënë votën me vetëdijen e tyre për mbrojtjen e asaj që është dobi kombëtare”, kumtojnë nga kabineti i kryeministrit të Greqisë.