Populli shqiptar dhe qeveria e tij janë të bindur plotësisht se do të vij dita kur qeveria beogradase, e cila është përgjegjëse para historisë për veprimtari armiqësore konsekuente ndaj popullit të vogël shqiptar, por popull liridashës dhe trim, do të jep llogari për atë veprimtari fashiste ndaj popujve të mbarë botës, në radhë të parë ndaj popujve të Jugosllavisë…
Nga Qerim LITA
(vijon nga dje)
Në gusht të këtij viti Qeveria jugosllave në territorin e saj ka organizuar një komitet politik dhe ushtarak në krye me spiunin e njohur të servis intiligjenc Gani bej Kryeziun. Qëllimi i atij komiteti të bejlerëve dhe fashistëve është të bashkëpunoj me komitetin reaksionar “Shqipëria e Lirë”, të cilin njëkohësisht e kanë formuar imperialistët anglo-amerikan në Paris, për ta organizuar reaksionin shqiptar në emigrim, të grumbulloj të shiturit nga Kosova e Metohia dhe të nis luftën e armatosur kundër RP të Shqipërisë. Mbi bazën e fakteve që i posedon Qeveria shqiptare del se oficerët e shërbimeve të spiunazhit anglez e amerikan, si p.sh. nënkolonelët A. Herber dhe Maklin, bashkëpunojnë me shtabin e përgjithshëm jugosllav dhe komitetin reaksionar të Gani Kryeziut kundër RP të Shqipërisë. Qeveria jugosllave zbaton aksion të tillë armiqësor dhe ilegal kundër pavarësisë së popullit shqiptar me ndihmën morale, politike e materiale të imperializmit amerikan dhe në bashkëpunim të ngushtë me Qeverinë monarkofashiste të Athinës.
- Qeveria jugosllave ka zhvilluar veprimtari intensive me qëllim që përmes agjentëve të vet të kryej sabotim, diversion dhe terror në Shqipëri. Kështu në përfundim të vitit 1948 ish funksionari i Legatës jugosllave në Tiranë, Savo Bozhiçeviq në kryeqytetin shqiptar ka organizuar një grup terroristësh në krye të të cilit gjendej shtetasi jugosllav Hysen Sejdini dhe u ka dhënë për detyrë të kryejnë vrasjen e udhëheqësve të shtetit shqiptar, ta nxjerrin tradhtarin Koçi Xoxen nga banesa e tij dhe ta dërgojnë në Jugosllavi, të organizojnë grup tjetër (terroriste), për të zhvilluar agjitacion dhe propagandë subversive kundër RP të Shqipërisë dhe të organizoj arratisje në Jugosllavi. Kjo është dëshmuar tërësisht edhe gjatë procesit kundër Hysen Sejdinit i cili qe zhvilluar nga Gjyqi i Lartë Ushtarak të RP të Shqipërisë në marstë vitit 1949 i cili u dënua me vdekje. Qeveria shqiptare posedon dëshmi se UDB-ja ka organizuar grupe diversantësh si p. sh. grupin e spiunit Feti Dvoranit dhe se u ka dhënë për detyrë rrënimin e rrjetit të hekurudhës në Shqipëri. Si pasoj e asaj veprimtarie armiqësore RP e Shqipërisë ka pësuar dëm prej dhjetëra milionë lekësh si rrjedhojë e veprimtarisë së atij grupi diversantësh në sektorin hekurudhor.
- Një ndër metodat e veprimtarisë së Qeverisë jugosllave kundër RP të Shqipërisë ka qenë edhe metoda e provokimeve të armatosura. Nga 1 janari deri më 18 nëntor të vitit 1949 forcat e armatosura jugosllave kanë kryer 119 provokime të armatosura në kufijtë verior e lindor të Shqipërisë. Si pasoj e atyre provokimeve janë vrasjet e rojeve kufitare shqiptar brenda territorit shqiptar nga ana e ushtrisë jugosllave. Ato provokime të pandërprera tokësore, ajrore e detare zbulojnë koordinimin e tyre të mirë me sistemin e provokimit të monarkofashistëve grek në kufijtë jugor të Shqipërisë. Ato kanë për qëllim ta mbajnë gjallë psikologjinë e luftës.
Duke filluar nga përfundimi i muajit qershor 1949, qeveria jugosllave ka filluar përndjekjen dhe përcjelljen brutale të shtetasve shqiptarë, të cilët jetojnë në Jugosllavi. Shtetasit shqiptar në Jugosllavi janë të nëpërkëmbur, të përndjekur, të burgosur dhe mbahen nëpër burgje dhe kampet e përqendrimit nën kushtet më mizore përkundër të gjitha intervenimet e Qeverisë shqiptare, herën e fundit me notën e Ministrisë së Punëve të Jashtme të RP të Shqipërisë nga data 11 tetor 1949 dërguar Legatës jugosllave në Tiranë. Përkundër qëndrimit të drejtë të Qeverisë shqiptare ndaj qytetarëve jugosllav në Shqipëri, Qeveria jugosllave në vazhdimësi u kryen vështirësi të shumta qytetarëve shqiptar në Jugosllavi, duke mos u lejuar të jenë të riatdhesuar në Shqipëri, dhe ndaj tyre kryen presion antinjerëzor dhe kërcënime të ulëta me qëllim të refuzimit për riatdhesim. Gjatë vitit 1949 nga Shqipëria në Jugosllavi janë riatdhesuar 176 shtetas jugosllav, mirëpo, në periudhën e njëjtë nga Jugosllavia në Shqipëri nuk janë riatdhesuar më shumë se 18 vetë, ndërsa qindra shtetas tjerë shqiptarë ende gjenden në Jugosllavi, duke kërkuar riatdhesim, që Qeveria jugosllave i refuzon në mënyrë kategorike. Ka më shumë se nëntë muaj prej kur organet e UDB-së në mënyrë të padrejtë e mbajnë në burg nëpunësin e Legatës së Republikës Popullore të Shqipërisë shokun Mersi Mateun.
- Organet e UDB-së jugosllave kanë shkelur rëndë imunitetin diplomatik të Legatës së Republikës Popullore të Shqipërisë në Beograd, kur kanë hyrë me forcë në selinë e Legatës. Kështu p.sh. agjenti i UDB-së, Todor Zhivkoviq, së bashku me agjent tjetër është futur në selinë e Legatës shqiptare në Beograd dhe është përpjekur ta arrestoj shtetasin shqiptar të pafajshëm Hajredin Hica, përkundër kundërshtimit dhe protestës së funksionarëve të legatës kundër asaj sjelljeje ilegale që është në kundërshtim të plotë me të drejtën ndërkombëtare. Qeveria jugosllave gjithashtu ka penguar dhe ende po pengon, pa asnjë arsye edhe më të vogël, lidhjet e RP të Shqipërisë me botën e jashtme duke refuzuar t’u jep vizë qytetarëve shqiptarë si dhe funksionarëve më të larë të RP të Shqipërisë për udhëtim në botën e jashtme përmes Jugosllavisë. Krejt këtë Qeveria jugosllave e bënë për qëllime të caktuara e armiqësore kundër RP të Shqipërisë.
- I ashtuquajturi propozim i Qeverisë jugosllave për Qeverinë shqiptare për tharjen e liqenit të Shkodrës nuk përbën asgjë tjetër veçse një blof për mashtrimin e popullsisë së Malit të Zi, popujt e Jugosllavisë dhe popullin shqiptar. Qeveriae RP të Shqipërisë atë “propozim” të Qeverisë jugosllave e refuzoi dhe vlerëson se bashkëpunimi ekonomik të Qeverisë shqiptare me Qeverinë jugosllave nën kushtet që kjo e fundit përpiqet t’i imponoj do të ishte në dëmin e plotë për interesat e popullit shqiptar dhe deri te humbja e pavarësisë së RP të Shqipërisë. Tharja e liqenit të Shkodrës nën rrethanat e tanishme përbën utopi të cilën mund ta parafytyroj vetëm demagogu dhe megalomani.
- Qeveria jugosllave proteston te Qeveria shqiptare se e njëjta u ka ofruar strehim dhe ndihmë emigrantëve politik jugosllav të cilët kanë ikur nga Jugosllavia për arsye se kanë qenë të përndjekur nga organet policore të Qeverisë jugosllave. Qeveria shqiptare ia përkujton Qeverisë jugosllave se në Shqipëri ekziston rregullimi demokratik popullor ku njerëzit janë të lirë e jo regjim tiranik si në Jugosllavi ku njerëzit nuk kanë as të drejtat më elementare. Kushtetuta e RP të Shqipërisë garanton strehim dhe mbështetje për secilin të përndjekur politik e demokrat. Prandaj, Qeveria shqiptare u ka ofruar dhe do u ofroj edhe më tej strehim të gjithë të përndjekurve politik të cilët kanë kërkuar ose do të kërkojnë strehim e ndihmë nga Qeveria shqiptare e të cilët i respektojnë dispozitat dhe ligjet e RP të Shqipërisë.
- Duke e marrë parasysh atë që u theksua më lartë është mase e qartë se në të vërtetë Qeveria jugosllave tashmë që moti dhe në mënyrë flagrante dhe brutale e ka shkelur Marrëveshjen për miqësi dhe ndihmë të ndërsjellët midis Jugosllavisë dhe Shqipërisë. Veprimtaria e tërësishme e Qeverisë jugosllave ndaj popullit shqiptar dhe udhëheqjes së tij ka qenë në mënyrë konsekuente armiqësore dhe në kundërshtim të plotë me frymën dhe përmbajtjen e Marrëveshjes për miqësi të nënshkruar më 9 korrik të vitit 1946. Tërheqja e njëanshme nga Marrëveshja për miqësi dhe ndihmës së ndërsjellët midis Shqipërisë dhe Jugosllavisë nga ana e Qeverisë jugosllave paraqet vetëm rezultatin e politikës armiqësore konsekuente të cilën Qeveria jugosllave e ka udhëhequr ndaj RP të Shqipërisë. Në fakt Qeveria jugosllave atë Marrëveshje e ka shkelur që para tërheqjes së njëanshme nga ana e saj. Madje edhe më shumë, Qeveria jugosllave atë Marrëveshje e ka shkelur që kur ajo u nënshkrua.
Qeveria dhe populli i Shqipërisë janë tërësisht të vetëdijshëm se obligimet e veta i kanë kryer me nderë ndaj paqes dhe demokracisë, ndaj taborit socialist dhe ndaj popujve vëllezër të Jugosllavisë. Qeveria e RP të Shqipërisë merr për njohuri tërheqjen e njëanshme nga Marrëveshja për miqësi dhe bashkëpunim të ndërsjellët midis dy vendeve dhe bënë me dije se tërë përgjegjësia për pasojat që mund të burojnë nga ai veprim tërësisht dhe në mënyrë ekskluzive i bien Qeverisë jugosllave. Qeveria dhe populli i Shqipërisë janë të vetëdijshëm tërësisht se qeveria e Beogradit është shndërruar në shtab agjenturesk dhe të spiunazhit fashist në shërbim të imperializmit anglo-amerikan, i cili Jugosllavinë e ka shndërruar në aradhe të zgjatur të taborit imperialist kundër taborit socialist dhe në atë mënyrë e cenon pavarësinë e RP të Shqipërisë. Populli shqiptar dhe qeveria e tij mund të synojnë vetëm mospërfllje ndaj Qeverisë së tanishme serbomadhe-jugosllave. Populli shqiptar dhe qeveria e tij njëkohësisht kultivon dashuri të madhe ndaj popujve të Jugosllavisë dhe me ta i ndanë vuajtjet e mëdha që po i përjetojnë nën regjimin e tanishëm të terrorit të paparë të qeverisë beogradase në krye me Josip Broz Titon. Populli shqiptar dhe qeveria e tij kanë besim të paluhatshëm në forcat e veta dhe në forcat e miqve të tyre të taborit socialist në krye me BRSS-në e Madhe, shpëtimtaren e njerëzimit, garancën e rruajtjes së paqes dhe demokracisë në botë. Populli shqiptar dhe qeveria e tij në mënyrë të paluhatshme besojnë se popujt e Jugosllavisë asnjëherë nuk do të lejojnë që qeveria fashiste e Beogradit ta shkel pavarësinë e popullit shqiptar.
Populli shqiptar dhe qeveria e tij janë të bindur plotësisht se do të vij dita kur qeveria beogradase, e cila është përgjegjëse para historisë për veprimtari armiqësore konsekuente ndaj popullit të vogël shqiptar, por popull liridashës dhe trim, do të jep llogari për atë veprimtari fashiste ndaj popujve të mbarë botës, në radhë të parë ndaj popujve të Jugosllavisë.
Tiranë, 22 nëntor 1949”.
(fund)