Pika fillestare e kontrollit të cilësisë dhe sigurisë së ushqimit duhet të jenë vetë konsumatorët, si dhe vetëdija e tyre që të informohen çka blejnë, ku blejnë dhe prej nga i marrin informacionet për atë që përdorin si ushqim
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 17 qershor – Siguria e ushqimit paraqet një çështje komplekse që përfshin më shumë fusha, megjithatë pika fillestare e kontrollit të cilësisë dhe sigurisë së ushqimit duhet të jenë vetë konsumatorët, si dhe vetëdija e tyre që të informohen për atë se çka blejnë, ku blejnë dhe prej nga i fitojnë informacionet për atë që përdorin si ushqim vlerësojnë ekspertët, shkruan gazeta KOHA.
“Një praktikë e tillë tek ne dhe në rajon tek konsumatorët që informacionet për ushqim shpesh e fitojnë nga rrjetet sociale është mjaft e gabuar. Në rrjetet sociale si zakonisht vendosen reklama, shkruhet për ndonjë ushqim çudibërës, apo ilaçe që shëndoshin miliona sëmundje. Informacione për këtë nevojitet që njerëzit ti kërkojnë në revistat shkencore, literaturën profesionale, profesionistët, institucionet relevante, ndërsa në fund të fundit çdo kush personalisht duhet të përcaktojë se cili ushqim më shumë i përgjigjet”, thotë profesori i mikrobiologjisë Vlladimir Kakurinov. Sipas tij ekziston edhe nevoja që ushqimi të jetë përkatës edhe ndaj pozitës gjeografike, apo të ushqehemi me ushqime që janë karakteristike për një rajon.
“Është një praktikë e gabuar që të përkrahet shfrytëzimi për shembull i ushqimeve të detit në një vend si Maqedonia që nuk a dalje në det. Megjithatë organizmi i jonë është i adaptuar me ushqimin e kësaj treve, si dhe prodhimet bujqësore apo pemë perimet që rriten këtu , kuptohet nëse ato janë cilësore dhe të shëndetshme për konsum”, shton më tej Kakurinov.
Lidhur me cilësinë e ushqimit në shtet, ai thotë se nevojitet që krahas rritjes së vetëdijes së konsumatorëve , nevojitet që çdo kompani që prodhon ushqim të ketë me të vërtetë një staf të trajnuar të sistemit HASAP për sigurinë e ushqimit që i njeh problemet, dhe për çdo ditë mban llogari për higjienën e vetë procesit prodhues. Lidhur me kontrollet e ushqimit tek ne, Kakurinov thotë se problem me ushqimin është ai se kemi shumë prodhues të ndryshëm sipas vëllimit nga më të vegjël deri tek më të mëdhenj. ” Praktikisht është e pamundur që agjencia kompetente e ushqimit të merr ekzemplarë dhe të kontrollojë të gjitha prodhimet për shkak se këto janë harxhime shumë të mëdha. Andaj merren mostra me përzgjedhje të rastit, apo afër dy për qind e tërë ofertës. Mirëpo shtrohet çështja se sa kjo është e mjaftueshme të konstatojmë se ushqimi është i sigurt”, shton më tej Kakurinov.
Në ndërkohë nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë thonë se në Maqedoninë e Veriut konsumohet ushqim sigurt që e dëshmojnë edhe me shifra konkrete. Në botë mesatarisht diku 600 milionë njerëz janë të goditur nga helmimi me ushqim, apo një në dhjetë njerëz sëmuren nga kequshqimi. Nga ana tjetër, në Maqedoni në vitin e kaluar janë paraqitur dhjetë raste , ndërsa vetëm në pesë raste edhe është përcaktuar shkaktari i helmimit me ushqim, ndërsa kanë qenë të prekur 173 njerëz në këto incidente.
“Në pesë muajt e parë të këtij viti kemi realizuar 50 mijë kontrolle dhe kemi parashtruar dy kallëzime penale kundër operatorëve që kanë kërcënuar shëndetin e njerëzve me lëshimin e ushqimit jot ë sigurt në qarkullim”, thotë numri një i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, Zoran Atanasov. Sipas tij ushqimi hulumtohet sipas standardeve evropiane për shkak se 88 për qind e legjislacionit të kësaj fushe është harmonizuar me legjislacionin evropian. Njëherësh ky dikaster përgatit edhe programe të veçanta për prezencën e kontaminuesve kimik, fizik dhe biologjik, ndërsa është e obliguar që edhe me ligj të bëjë kontrolle të vazhdueshme nëpër shitore ku krahas dokumentacionit merren edhe mostra që dërgohen në laboratore për analiza.
Në këtë drejtim ekzistojnë edhe problem me falsifikimin, apo përdorimin e rrejshëm të etiketave që tregojnë të dhëna jo të vërteta. Një rast i tillë u konstatua në vitin e kaluar për mashtrimin e konsumatorëve me mishin e grirë për çka u dënuan shtatë biznese. Në atë rast, kontrollet konstatuan se në mishin e gjedhit apo derrit ishte vendosur mishi jo i deklaruar i pulës. (koha.mk)