Shkup, 13 shkurt – Komisioni i Antikorrupsionit do të monitorojë dhe sanksionojë keqpërdorimet eventuale gjatë fushatës zgjedhore për zgjedhjet e parakohshme parlamentare në lidhje me shfrytëzimin e hapësirave zyrtare, pajisjeve dhe automjeteve nga ana e funksionarëve dhe nëpunësit shtetëror. Do t’i monitorojë gjithashtu të gjitha format e punësimit gjatë fushatës, dhe përsëri paralajmëron për mundësinë e ndikimit ndaj votuesve në periudhën parazgjedhore me shpalljet e vazhdueshme për punësim në sektorin publik, i cili, sipas kryetares të Komisionit Biljana Ivanovska, nuk çon në proces zgjedhor korrekt, njofton KOHA.
Parregullsi të llojit fillimi i projekteve me hedhjen e lopatave, vozitjen e automjeteve zyrtare në tubime, sipas Ivanovskës, me siguri do të ketë. por, siç thotë, këtë do ta ndjekin dhe sanksionojnë së bashku me platformën e gjerë të shoqatave civile. Bën thirrje në këto aktivitete të kyçen të gjithë qytetarët.
“Pushteti fitohet, demokracia mësohet, ato që duan ta fitojnë pushtetin në çdo mënyrë do të përpiqen t’i shfrytëzojnë të gjitha mjetet sepse qëllimi i arsyeton mjetet, por nga ana tjetër demokracia dhe liria e qytetarëve duhet gjithnjë e më shpesh dhe çdo ditë të praktikohet”, tha Ivanovska në konferencë për media, duke u përgjigjur në pyetjet e gazetarëve.
Siç përkujtoi, nëse ka keqpërdorime, janë paraparë dispozita kundërvajtëse.
Ivanovska saktësoi se gjithashtu si edhe në ciklet e zgjedhjeve të kaluara, kështu edhe në këto zgjedhje KSHPK do të monitorojë nëse respektohet ndalesa për shfrytëzimin e hapësirave zyrtare, pajisjet e zyrave dhe automjetet zyrtare të organeve shtetërore. Me qëllim të ndjekjes më efikase të veprimit të organizatorëve gjatë fushatës zgjedhore, KSHPK së bashku me platformën e organizatave civile për luftë kundër korrupsionit për shkak definimit të informacioneve dhe të dhënave do të ndërmarrë një sërë masash dhe aktivitetesh për përforcimin e mekanizmave për monitorimin e procesit.
Sa i përket monitorimit të shpenzimeve gjatë fushatës zgjedhore, organizatorët do të monitorojnë transportin, materialin reklamues, reklamimin e pllakatave dhe tabelat reklamuese si dhe billordet. Gjithashtu gjatë këtyre zgjedhjeve, njoftoi Ivanovska, në ueb faqen e KSHPK-së do të jetë në dispozicion ueb aplikacioni me të dhënat e azhurnuar për gjendjen e automjeteve zyrtare motorike, gjegjësisht të dhëna të azhurnuara me informacione për automjetet e blera ose të çlajmëruara, si dhe formular për paraqitjen e çdo lloj pakënaqësie dhe veprimi të kundërligjshëm nga ana e institucioneve dhe të punësuarve në sektorin publik, të cilën mund ta shfrytëzojnë të gjithë qytetarët.
Antikorrupsioni, nëpërmjet Agjencisë për punësim, Inspektoratit shtetëror të punës dhe Inspektoratit shtetëror të arsimit do t’i ndjekin të gjitha format e punësimit gjatë procesit zgjedhor.
Ivanovska nuk i lidh shpalljet e fundit të publikuara për punësim me shtyrjen e shpërndarjes së Kuvendit, sepse edhe më herët ka pasur numër të madh shpalljesh. Edhe më herët, përkujtoi kemi bërë apel se kjo nuk duhet të ndodhë posaçërisht në periudhën para zgjedhjeve sepse disa nga proceset e filluara nuk do të përfundojnë, por i mbajnë njerëzit në gjendje të varur, gjegjësisht ndikojnë në trupin votues.
“Kjo nuk është e ndaluar me ligj, por drejtpërdrejtë ka ndikim në trupin votues që thjesht nuk çon drejtë zgjedhjeve korrekte”, potencoi Ivanovska.
Në prag të zgjedhjeve nga Komisioni shtetëror për parandalimin e korrupsionit, vëmendje i kushtohet veprimeve të të punësuarve në sektorin publik lidhur me respektimin e ndalimeve nga nenet 8a dhe 8b të Kodit Zgjedhor, si dhe nenet 34 dhe 35 të Ligjit për parandalimin e korrupsionit dhe konfliktit të interesave. Nga dita e vendimit për shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare deri në ditën e mbarimit të zgjedhjes së deputetëve në Kuvend dhe zgjedhjen e Qeverisë është e ndaluar, pra ndërtimi i objekteve të reja në infrastrukturë siç janë rrugët, ujësjellës, kanalizime, largpërçues. … si dhe shkollat, kopshtet dhe objektet e tjera, përveç nëse fondet buxhetore janë paraparë më parë për atë qëllim. Kjo do të thotë që për këto qëllime nuk mund të shfrytëzohen Buxheti dhe mjetet tjera të fondeve publike apo të ndërmarrjeve publike.
Gjithashtu, nga mjetet e Buxhetit apo fondet publike nuk mund të bëhen pagesa e pagave, pensionet dhe asistencat sociale dhe pagesa të tjera që nuk bëjnë pjesë në kategorinë e pagesave të rregullta mujore. Transfere të njëfishta nuk mund të bëhen, asnjë kapital shtetëror nuk mund të tjetërsohet, dhe marrëveshjet kolektive nuk mund të nënshkruhen. Nuk mund të fillohet procedurë për punësimin e personave të rinj ose procedurë për ndërprerjen e marrëdhënieve të punës në institucionet shtetërore dhe publike, ndërkaq procedurat e filluara vendosen në pritje. Përjashtim, theksoi Ivanovska, janë rastet e çështjeve urgjente dhe që nuk mund të shtyhen. (koha.mk)