Së fundmi, maqedonasit që “ndjehen shqiptarë” me lehtësi po kalojnë edhe intervistat për punë. Edhe pse këtu mund të testohet përkatësia e tyre etnike, një gjë e tillë qëllimshëm po tejkalohet. Madje, edhe Komisionet përzgjedhëse të kandidatëve u japin përparësi maqedonasve “shqiptarë”. Fenomeni ka prekur pothuajse çdo institucion, ndërsa në Qeveri i ngrenë duart: “Po kërkohet zgjidhje në kuadër të mekanizmave ligjore”
Destan JONUZI
Shkup, 11 shkurt – Në Maqedoni nuk ka të ndalur fenomeni ku shtetas të kombësisë maqedonase po deklarohen si shqiptarë, me të vetmin qëllim që të zënë një vend pune, e i cili sipas dispozitave për përfaqësim adekuat, u takon pjesëtarëve të komunitetit shqiptar. Edhe përkundër asaj se në Konkurset e Qeverisë dhe institucioneve tjera paraqiten shqiptarë, vendet e tyre vazhdojnë ti zënë maqedonasit, të cilët thonë se “ndjehen se janë shqiptarë”. Nga Agjencia për Administratë arsyetohen se nuk ka një mekanizëm i cili do ta frenonte këtë dukuri, pasi çdo kandidatë apo kandidate me një vërtetim të notarizuar për përkatësin etnike vërteton gjatë aplikimit në konkurs përkatësin etnike. Edhe nga Qeveria pranojnë se ekziston ky fenomen, dhe se sipas tyre, “ilaçi” për këtë duhet të kërkohet në ndryshime dhe plotësime ligjore.
Nga Ministria për Sistem Politik dhe Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive (MSPMB) thonë se po e ndjekin këtë problematik me vëmendje të madhe. “Po ndiqet kjo problematik që është paraqitur gjatë realizimit të konkurseve për punësime në sektorin publik dhe njëkohësisht ju informojmë se në bashkëpunim me institucionet përkatëse, po kërkohet zgjidhje në kuadër të mekanizmave ligjore. Njëkohësisht, MSPMB përkatësisht Qeveria e RMV është e përkushtuar në zbatimin e përfaqësim të drejtë dhe adekuat”, thonë për KOHA nga MSPMB. Por, së fundmi maqedonasit që “ndjehen shqiptarë” me lehtësi kalojnë edhe intervistat për punë. Edhe pse këtu mund të testohet përkatësia e tyre etnike, një gjë e tillë tejkalohet. Autoritetet nuk kanë shpjegim për këtë.
Nëse i referohemi strukturës së të punësuarve në Drejtorinë për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore në baza etnike, nga 60 të punësuar – vetëm njëri është shqiptar. Në këtë drejtori, me parimin e ndjeshmërisë “shqiptare” tani e pesë vite punon Biljana Jovanovska. Ajo ka pranuar se për të punësuar në këtë institucion, është deklaruar se është shqiptare, ndonëse nuk ka prejardhje të tillë. “Sipas mënyrës së punësimit, në bazë të Ligjit për nëpunësit në administratë ka principe që punësohen në vendet e punës me prioritet. Megjithëse të gjithë mund të konkurrojnë, por prioritet të punësimit kanë ata që për momentin janë të kombësisë shqiptare. Pra, të gjithë kanë të drejtë të konkurrojnë, por përparësi do të kenë ata që janë shqiptarë”, ka deklaruar për Alsat, Jovanovska. Punësimet të tilla të komuniteteve tjera në emër të shqiptarëve së fundmi u bënë edhe në Agjencinë e Kadastrës. Pas publikimit të emrave të përzgjedhur në konkursin e shpallur në Agjencinë për Kadastër të Patundshmërive, 23 administratorë morën vendet e punës të vet deklaruarit shqiptarë. Për tu punësuar më lehtë, 4 shtetasit maqedonas filluan të deklarohen se janë shqiptarë edhe gjatë konkursit për 10 zjarrfikës në Brigadën e Shkupit. Sipas Ministrisë së Administratës programi i kërkimit i quajtur “balancer” nuk është pjesë e Ligjit për të punësuarit në sektorin publik, por është pjesë e metodologjisë së Qeverisë për përfaqësim të drejtë të bashkësive etnike, i cili jep sugjerime për përkatësinë etnik për të punësuarin e radhës.
Ndryshe, në Maqedoni për të respektuar të drejtat e shqiptarëve, komuniteti i dytë më i madh në vend, ka ligje dhe rregulla që mundësojnë vende pune për punësimin e tyre.
KUR ELENA IA ZË VENDIN DHURATËS!
Që skandali të jetë edhe më i madh, ka raste kur edhe pse ka kandidat shqiptar për një vend pune, përsëri punësohet maqedonase e deklaruar se “ndjehet shqiptare”, ndërsa shqiptarja refuzohet. Në Njësinë e Drejtorisë për të Ardhura Publike në Ohër, Elena e deklaruar si “shqiptare” ka fituar në përzgjedhjen e Komisionit karshi Dhuratës me “babë e nanë” shqiptare. Komisioni përzgjedhjes, edhe pse në konkurs është kërkuar shqiptar/e, asnjë pyetje në shqip nuk ia ka bërë Elenës, ashtu siç nuk e ka pyetur asgjë në shqip edhe Dhuratën. Tragjikja e këtij rasti në Ohër është se në mesin e anëtarëve të Komisionit përzgjedhës, kishte edhe anëtarë shqiptar, por që nuk ka parashtruar asnjë pyetje në shqip për kandidatët. (koha.mk)