Shqipëria U-21 po vijon përgatitjet për ndeshjen e radhës eliminatore në grup, kundër Islandës, më 10 tetor, në “Elbasan Arena”. Në konferencë për shtyp kanë dalë mesfushori Ylber Ramadani dhe sulmuesi Kristal Abazaj. I pari, që tashmë luan në Danimarkë, ka nënvizuar në fjalën e tij: “Prej fillimit të Europianit, objektivi ishte vendi i dytë, ose vendi i parë. Kemi një ekip të mirë, me një grup cilësor lojtarësh. Jemi paraqitur mjaft mirë, edhe pse në dy ndeshjet e para na ka munguar disi fati. Personalisht mendoj se kemi lojtarë shumë të mirë në ekip, që mund t’i shërbejnë edhe Kombëtares A, por është trajneri që i merr vendimet. Ne do të mendojmë të hyjmë në çdo ndeshje për të fituar dhe për të arritur objektivat tanë. Islanda është favorite përpara nesh, por ne do të hyjmë në fushë që të japim maksimumin dhe të marrim rezultat. Gjithashtu, i ftoj të gjithë tifozët që të vijnë në stadium, se janë forca jonë, lojtari i 12-të. Te skuadra ime në Danimarkë ndihem shumë mirë, sepse kam gjetur trajnerin Sormani, me të cilin kam punuar te Partizani. Ai më ka ndihmuar shumë të përshtatem me stilin e futbollit danez. Kemi zhvilluar ndeshje të mira dhe kemi pësuar vetëm një humbje. Objektivi ynë këtë vit është Superliga, sepse klubi ka bërë blerje të mëdha, ka investuar shumë dhe besoj se pas këtij sezoni do të ngjitemi mes më të mirëve. Sidoqoftë, ëndrra ime e madhe është Kombëtarja A. Partizani? E kam ndjekur, si të gjitha ndeshjet e kampionatit shqiptar. Më vjen keq që Partizani është në këtë gjendje dhe besoj se do të kthehet shumë shpejt aty ku e ka vendin. Te Partizani kam kaluar një pjesë shumë të bukur të karrierës, kam luajtur në Champions dhe “Europa League”. Me djemtë kam kaluar gjithashtu mjaft mirë dhe nuk mund të harroj vlerat e presidentit, që të ndihmonte në gjithçka dhe nuk të bënte presion”.