Ciro Immobile nuk ndalet më, gola dhe rekorde ndeshje pas ndeshje. “Tripleta” përballë Verona e vendos sulmuesin e Lazios të vetëm në krye të listës së golashënuesve më të mirë në Serie A, 34 gola, plus 3 nga Ronaldo. Më shumë se sa beteja me CR7, Immobile është vënë në ndjekje të Robert Lewandowskit në garën për “Këpucën e Artë” në Evropë.
Ciro tashmë ndodhet në kuotën e 34 golave po aq sa edhe sulmuesi polak por ka në dispozicion edhe dy ndeshje të tjera. Në një intervistë për “Sky Sport”, Ciro është ndalur te ky objektiv. “Penalltia në fund? Edhe Luis Alberto është në garë për rekorde por në fund godita unë. Mungon shumë pak për ‘Këpucën e Artë’ dhe për titullin e golashënuesit më të mirë në Serie A. Jam shumë i kënaqur, kam miq të jashtëzakonshëm, ashtu si stafi dhe tifozët. Këtë vit gjithçka po shkon në mënyrën e duhur”, u shpreh Immobile duke u ndalur më pas tek një tjetër rekord, ai i Higuain me 36 gola në një sezon
“Më duhen edhe 3 gola, është pak e komplikuar. Është më e lehtë për objektivat e tjerë. Tani duhet të mbyllim mirë këtë sezon, shpresojmë të arrijmë në vendin e dytë ose të tretë”, deklaroi Immobile.