KENTINA SHEHAJ: Nuk i kam ndjerë rivalitete mes kolegësh (FOTO)

24

Lidhja e saj me muzikën është që prej vegjëlisë, madje qëkur ka qenë fare e vogël. Ky pasion i jashtëzakonshëm e bën atë të punoj fort, që nesër të rreshtohet ndër artistët më të mirë në vend. Kentina Shehaj rrëfen të thënat dhe të pathënat për produksionin e saj të fundit, për rivalitetet në muzikë dhe detaje të tjera që nuk i dinim për InfraRed të gazetës KOHA. Bukuroshja që edhe pse ka vite në skenë dhe e zotëron atë me plot besim, ngelet po prapë ajo vajza e ëmbël që e njohin të gjithë. Ketrinën e pret një rrugë e gjatë profesionale, por që premton shumë për të nesërmen

Bisedoi: Blerand REXHEPI

KOHA: Kentina, sapo ke prezantuar këngën tënde më të re me titull “Të dua”. Sa kohë tu desh për realizimin e kësaj kënge? Si u gjete me bashkëpunëtorët e kësaj kënge?

Në fakt për shkak të pandemisë mu desh të prisja pak muaj për ta realizuar këtë projekt,sepse nuk ndodhesha në Shqipëri. Me bashkëpunëtorët kam kontaktuar që para pandemisë për këtë projekt madje, mund të theksoj se më kanë trajtuar në një mënyrë fantastike dhe jam ndarë mjaft e kënaqur me ta.

KOHA: Ke shkëputur një periudhë kohe, pas klipeve që ke sjellë vetëm por dhe bashkëpunimeve, pse kjo mungesë? Ndikoi gjendja e pandemisë apo ishte zgjedhja jote?

Eh kam munguar paksa vërtetë,por kam qenë e aktivizuar gjatë gjithë kohës jashtë Shqipërisë në aktivitete të ndryshme. Të gjithë e dinë se projektet dhe gjithçka ka të bëj me muzikën kërkon kohën e vet dhe bashkëpunëtorët e duhur.

KOHA: Kënga “Të dua” duket se ka pak nota personale. Ka lidhje direkte me ty kjo këngë? I referohet në veçanti dikujt apo është meritë e tekstshkruesit që e ka jetësuar kaq shumë?

Ndoshta është personale,ndoshta dhe nuk është personale. Kemi mjaft njerëz, që i duam në jetën tonë ka dhe njerëz që i dedikohet diçka speciale. Por, tekstshkruesi ka ditur ta sjellë në mënyrë perfekte që çdo njeri që e dëgjon këngën të dijë të dashurojë në bazë të notave.

KOHA: Zemra e Kentinës është plot me “Të dua” apo jo?

Më pëlqeu shumë kjo pyetje. Unë jam njeri i tillë që i dua njerëzit dhe nuk e kam për turp të them të dua. Mendoj që dashuria që gjendet mes këtyre dy fjalëve i jep jetë njeriut,dhe kupton se të jetuarit me dashuri është ajo parajsa e bukur që ndodhet në tokë. Për mua vjersha ime e shkurtër është të dua.

KOHA: Çfarë ka ndryshuar në jetën tënde që nga momenti që nise të merreshe me muzikë?

Prej kohës që merrem me muzikë kanë ndryshuar shumë gjëra në jetën time,vetëm unë nuk kam ndryshuar. Pavarësisht të gjithave unë jam ajo Kentina e mëparshme. Nuk është e vështirë, sot të jesh artist,e vështirë është të jesh artist në shpirt. Ndryshimi im i vetëm është se mes këngës mund të shprehem e të shpalos ato që ndjej.

KOHA: A është e vështirë të mbizotërosh në një treg muzikor si ky që kemi ne?

Është shumë e vështirë sepse nuk mbetet shumë vend për talentet e reja. Mendoj që duhet të ketë më shumë hapësirë sepse nuk janë vetëm 3-4 këngëtare në të gjithë Shqipërinë, por ka talente akoma më të përsosur se aq mjafton ti hapin një derë. Dikush nuk ka mundësi, por ka talent,e dikush tjetër ka mundësi, por s’ka të bëj fare me talentin.

KOHA: Rivaliteti i madh, shpeshherë̈ i bën njerëzit edhe të urrejnë kolegët e tyre. A ka ndonjë person që, sipas teje, merret gabimisht me muzikë?

Nuk mendoj, por jam e bindur që ka. Rivaliteti është pika kryesore në këtë mes,askush nuk e do tjetrin më të mirë se vetja. Ka shumë shtysa ka shumë inate mes kolegeve gjë kjo që nuk e ndihmon askënd të ngrihet lart. Mendoj që të xhelozuarit në këtë pjesë nuk është asgjë veç se një humbje kohe në fund të fundit kush është i zoti do t’ja dale me apo pa rivalitet. Secili ka hisen e vet.

KOHA: Po më thuaj, si u lidh Kentina me muzikën?

Me muzikën është lidhja më e bukur që kam. Jam e dashuruar pas notave të pentagramit. Kam filluar që e vogël me festivalet e fëmijëve në bazë të moshës,dhe çdoherë jam kënaqur pafund. Jam rrëzuar shpesh herë, por më ka ndihmuar të jem këtu ku jam sot. Muzika ndodhet me mua kudo që shkoj,jam e bekuar dhe i falënderohem Zotit çdo ditë që më ka falur zërin.

KOHA: Ç’ndikim ushtron familja te ti?

Familja është mbështetja ime më e madhe. Pas çdo projekti që nxjerrë shtëpia ime mbushet plot ëmbëlsira për të festuar. Kam ëndërruar gjithmonë që të duartrokitem nga njerëzit, por nuk paska gjë më të bukur se të hapësh derën e shtëpisë dhe të shohësh dy prindër, që të duartrokasin plot dashuri. Jam krenare për familjen time.

KOHA: Pas performimeve skenike, shpeshherë̈ merr dhurata, duartrokitje më së shumti, sa e vlerëson këtë gjë ti?

Unë jam e thjeshtë,edhe pse këndoj në skenë në fund, të fundit unë jam njeri njësoj si ata që janë aty duke më dëgjuar mua. E vlerësoj pafund sepse kjo tregon që unë i kam lumturuar dhe kënaqur ata. Është detyra ime ti bëj ata të ndihen mirë.

KOHA: Cila është pika më e fortë e karakterit të Kentines?

Unë urrej të më tradhtojnë. Nuk do e falja kurrë tradhtinë,diçka që thyhet nuk ngjitet më. Jam njeri i vendosur dhe nuk e kthej fjalën time pas. Karakteri i njeriut është i rëndësishëm në çdo pjesë të jetës dhe në çdo sfidë, që përballesh. Unë e respektoj një njeri për aq kohë sa më respekton,në të kundërt nuk ka vend tek unë.

KOHA: Cila është skena e ëndrrave të tua?

Të këndoj në Stadium kjo është ëndrra ime më e madhe. Kam patur gjithnjë dëshirë të gjendem mes miliona njerëzve duke kënduar. Ndoshta një ditë do të realizohet, deri atë ditë për mua është akoma një ëndërr në sirtar.

KOHA: Ti ke një pamje fizike të admirueshme. A ndikon kjo në punën që bën?

Faleminderit për komplimentin. Të them të drejtën nuk jam munduar kurrë të shfrytëzoj pamjen time për të përfituar. Kam dashur gjithmonë që atë çfarë fitoj ta fitoj se e meritoj e jo prej pamjes. Por, dhe kjo ka të mirën e saj. Një pamje e mirë të bën të ndihesh akoma më e plotësuar.

KOHA: Në fund na ngeli diçka pa thënë, projekte për të ardhmen, një mesazh, një urim?

Kam projekte të tjera me kohën… Një mesazh, një urim e kam për të gjithë njerëzit: Në kohën që ndodhemi prej pandemisë dikush ka humbur arsyen e dikush tjetër ndihet me të vërtetë keq. Ju them vetëm mbrojeni veten dhe familjet tuaja, jini koshient dhe përpiquni që ta kaloni këtë fazë me qetësi. Shqipëria është vend me njerëz të fortë. Kemi kaluar shumë më shumë dhe jam e bindur që dhe këtë herë do t’ja dalim! Paçi shëndet të gjithë!

Comments are closed.