Shkup, 9 prill – Lidhur me rastet e vetëvrasjeve dhe raportimet për to, Këshilli për etikë në mediume (KEMM) dhe Shoqata e gazetarëve të Maqedonisë (SHGM) u bëjnë thirrje mediumeve të përmbahen nga informimi senzacional dhe t’i respektojnë standardet dhe normat etike, njofton Koha.
Përkujtojnë për nenin 7 të Kodit të gazetarëve, sipas të cilit “gazetari do ta respektojë privatësinë e personit, përveç nëse ajo është në kundërshtim me interesin publik” dhe se është” i obliguar t’i respektojë dhimbjen dhe pikëllimin personal”, dhe në nenin 8 të Kodit, sipas të cilit “mënyra e informimit në raste të fatkeqësisë duhet të lirohet nga senzacionalizmi”.
Këto nene të Kodit, theksojnë nga KEMM dhe SHGM, qartë bëjnë me dije për obligimin e gazetarëve për të raportuar për rastet e vetëvrasjeve vetëm nëse bëhet fjalë për interes më të gjerë publik, apo, ndërkaq, kur bëhet fjalë për persona publik, me qëllim objektivisht të informohet opinioni dhe të evitohen spekulimet e mundshme. por edhe në ato raste gazetarët kanë përgjegjësi të raportojnë në mënyrë të balancuar, me dëshmi të sigurta të konfirmuara nga burime relevante dhe çdoherë duke i respektuar dhimbjen dhe pikëllimin personal të më të familjarëve.
“Përveç kësaj, nevojitet vëmendje e posaçme në raportimin për raste të vetëvrasjes, duke pasur parasysh mundësinë e përsëritjes së aktit të tillë nga kategoritë e ndjeshme të qytetarëve, në çka udhëzon edhe Organizata botërore e shëndetësisë. Nga ana tjetër, mediumet kanë rol të madh në atë të kuptohen faktorët që kontribuojnë për këtë problem, si dhe të edukohet opinioni, e posaçërisht ata të cilët përballen me rrezik të llojit të tillë të sjelljes me qëllim që të kërkohet ndihmë adekuate”, kumtuan KEMM dhe SHGM. (koha.mk)