Shkup, 19 shkurt – Këshilli për etikë në mediumet e Maqedonisë (KEMM) e dënon, siç kumtoi, sjelljen e prëfaqësuesit të kryesisë së 1 TV, Bojan Jovanovski ndaj gazetares së Makfaksit, Meri Jordanovska me rastin e kritikave të saja për emisionin “Insajder” të emetuar në këtë televizion, njofton Koha.
“Kritikat e tilla mund të kuptohen vetëm si kërcënime ndaj gazetares dhe vlerësimit të saj kritik për mënyrën në të cilën punojnë mediumet e tjera, diçka që si bartëse e profesionit, ajo absolutisht mund ta bëjë dhe është e lejueshme me Ligjin për mediumet. Presionet e këtilla ndaj gazetarëve, qofshin të drejtpërdrejta apo jo të drejtpërdrejta, mund të ndikojnë seriozisht në mënyrën në të cilën e realizojnë veprimtarinë e tyre, zgjedhjen e storjeve për të cilat raportojnë dhe mënyrën në të cilën do të përpunojnë çështje të interesit publik”, thekson KEMM.
Liria e të shprehurit, thekson Këshilli, më gjatë kohë ishte në goditje të një numri të madh të të fuqishmëve të cilët tentuan të vendosin kontroll ndaj punës së gazetarëve dhe mediumeve. Me atë rast, cenzura ishte dhe do të mbetet formë e pashembullt e rrezikimit dhe kufizimit të lirisë së të shprehurit në profesionin gazetaresk.
“Mu pozita shoqërore e profesionit gazetaresk është indikator për vlerësim të shkallës në të cilën është garantuar liria e të shprehurit, të menduarit, informimit, kritikës apo në përgjithësi ekzistimi i jetës së lirë dhe demokratike. Presionet dhe kërcënimet ndaj gazetarëve duhet të shqyrtohen edhe nga aspekti i faktit se shteti tashmë një kohë të gjatë përballet me rënie të lirisë së të shprehurit në krahasim me rajone të tjera të botës, si dhe në raport me rekomandimet nga trupa dhe organizata relevante ndërkombëtare dhe vendore se ende duhet të punohet në këtë sferë në vendet anëtare potenciale të BE-së”, tregon Këshilli për etikë në mediume. (koha.mk)