Paga minimale në Slloveni është për një herë e gjysmë më e madhe se paga mesatare tek ne. Njëherësh, paga mesatare në Slloveni në gusht të vitit të kaluar ishte 1083 euro, apo më shumë se dy herë e gjysmë se në Maqedoni.
Nga Fisnik PASHOLLI
Ballkani Perëndimor në vitet e fundit ka pasur progres dhe një opinion pozitiv ekonomik, por me normën aktuale të rritjes ekonomike, duhen 50 vjet për të arritur standardet gjermane të jetesës, theksoi në fund të janarit, Sekretarja e Përgjithshme e RCC, apo Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal , Majlinda Bregu.
Në një takim në Bruksel, organizuar nga RCC, në bashkëpunim me zyrën e Fondacionit Fridrih Ebert për Bashkimin Evropian, tema kryesore ishte rritja e qëndrueshme ekonomike dhe zhvillimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor. Në takim morën pjesë përfaqësues të shumtë të institucioneve evropiane, misionet diplomatike, qendrat analitike, organizatat joqeveritare dhe ato të biznesit, ku u theksua se shkaqe për brengosje edhe më tej janë varfëria në rajon, pabarazia gjinore, rrjedhja trurit, punësimi , dhe pjesëmarrja e të rinjve.
Në muajin gusht të vitit të kaluar, në një raport të Komitetit britanik të Punëve të Jashtme u nënvizua se Maqedonisë dhe shteteve të Ballkanit Perëndimor do t’u duhen 50 vite që të arrijnë nivelin e jetesës së vendeve të BE-së. Lidhur me anëtarësimin e rajonit në Bashkimin Evropian, në raportin e lartpërmendur, theksohen pengesa të shumta, krahas stanjacionit kronik ekonomik, si mosmarrëveshjet e vazhdueshme dypalëshe dhe konfliktet e herëpashershme ndëretnike.
Sidoqoftë, nuk janë të pakët edhe ata ekspertë që thonë se ende ka hapësirë për një optimizëm më të madh. Në qoftë se vendet e Ballkanit Perëndimor do të ndërmarrin disa hapa konkretë, sidomos, nëse do të arrijnë një rritje të Prodhimit të Brendshëm të Përgjithshëm vjetore prej pesë për qindësh, atëherë, vendet e Ballkanit perëndimor do të mund të shpresojnë me realizëm se do ta arrijnë nivelin e vendeve të BE-së mbas 25 vitesh. Por, që të ndodhë kjo, do të duhen investime të mëdha dhe një sistem juridik efikas.
Mirëpo le ti kthehemi ne, halleve dhe brengat tona, pasi si rëndom çdo kush së pari e mban gajlen e shtëpisë së tij, e pastaj interesohet për punët e “hallkit”, apo për fqinjët e tij.
Në rastin tonë , nëse e përkthejmë në gjuhën e sportit apo atletikës si mbretëreshës së sporteve , kjo nënkupton se është rritur shumë lartë shkopi në kërcimin së larti.
Shumë vështirë e kemi të arrijmë standardin gjerman në të ardhmen apo të kërcejmë më shumë se dy metra si ish-kampionia e botës në kërcim së larti, Blanka Vlashiq, e cila i ka dhënë sportit të atletikës shkëlqimin në mënyrë të njëjtë siç i dha Maria Sharapova tenisit.
Nuk mund as të hyjmë në konkurrencën për të garuar në elitën që garon për kampion evropian as botëror, në disiplinën kërcim për së larti, por duhet të vendosim një target më të kapshëm, siç është ai , që së paku të hyjmë në kualifikohemi dhe të hyjmë konkurrencën e të mëdhenjve në sportin e atletikës. Apo, nëse i kthemi sportit më të popullarizuar në botim futbollit , Shkëndija e Tetovës do të kishte të pamundur të luajë në Ligën e Kampionëve, për shkak të buxhetit tepër të madh që kërkohet në këtë edicion garash, fuqisë së dobët ekonomike të shtetit që pamundëson të kemi një ligë më të fuqishme me klube më të forta, mungesës së konkurrencës më të madhe që prodhon edhe lojtarë në cilësorë që zhvillohen në një ambient më të favorshëm. Por nesër pse jo, ajo mund të garonte me më shumë sukses në Liga Evropa, që do të garojë edhe në pranverë në këtë edicion , nëse nuk ka mundësi të garojë në Ligën e kampionëve.
Nëse i kthehemi targetit , të arrijmë së paku Slloveninë në ekonomi, në mos Gjermaninë, duhet thënë se Sllovenia në vitin 1991 ka pasur Prodhimin e Brendshëm për kokë banori katër herë më të vogël se në vitin 2017. Para gati 30 vitesh ky tregues i rëndësishëm ekonomik në shtetin alpin ishte 5100 euro për banor, ndërsa para dy vitesh arriti në 21.000 euro, me çka Sllovenia u rendit në vendin e 16-të midis 28 shteteve anëtare të BE-së. Maqedonia pas 27 vite të pavarësisë ka arritur në Prodhim të Brendshëm Bruto prej 5237 dollarë, që tregon se si shtet edhe gati pas tre dekadash të pavarësisë nuk kemi arritur të ngjitemi në pozitat më të larta të shteteve të zhvilluara mesatarisht të tranzicionit ekonomik dhe shoqëror.
Lartësia e harxhimeve minimale themelore jetësore në Slloveni para dy vitesh vlerësohej në 441 euro, ndërsa shuma e ndihmës që marrin të prekurit në aspektin social , është rritur në 331 euro. Nga ana tjetër, paga minimale që e pranojnë disa dhjetëra mijë punëtorë është 638 euro, ndërsa këtë vit pas miratimit të Parlamentit slloven do të ketë vlerën prej 667 euro. Nëse këtë e krahasojmë me pagën mesatare në Maqedoni prej 400 euro, del se paga minimale në Slloveni është për një herë e gjysmë më e madhe se paga mesatare tek ne. Njëherësh, paga mesatare në Slloveni në gusht të vitit të kaluar ishte 1083 euro, apo më shumë se dy herë e gjysmë se në Maqedoni.
Njëherazi në Slloveni, 19.055 persona pranojnë ndihma sociale prej shtetit në vlerë prej 392 euro, ndërsa 6419 përfitues të tjerë pranojnë së bashku me shtesën për mbrojtje sociale, gjithsej 577 euro në muaj, kurse pensioni mesatar neto në 621 euro në janar.
Po është e vërtetë se një sukses më të madh të Maqedonisë e kanë penguar moszgjidhja me kohë e çështjeve etnike, luftërat në hapësirën ish jugosllave, embargoja greke në vitet 90-të, lufta në Kosovë në vitin 1999, konflikti i vitit 2001 në Maqedoni, dhe problemet e tjera. Por tani, pas zgjidhjes së çështjes së emrit, anëtarësimit në NATO dhe pritjes që sivjet të nisim bisedat për anëtarësim me BE-në, mbetet imperativi i një angazhimi dhe përkushtim më të fuqishëm për reforma që të arrijmë në periudhën e ardhshme së paku mirëqenien sllovene, për shkak se ajo gjermane është shumë larg dhe na duket si ëndërr. Kemi nevojë për shpresa , por jo edhe për qëllime vështirë të arritshme , në mos edhe të pamundura. Pas zgjidhjes së problemit kryesor që bllokonte eurointegrimet, tani mbetet të gjejmë ilaç për varfërinë, papunësinë, shpërnguljen e të rinjve dhe rritjen më të madhe ekonomike që do të sjellë mirëqenie që do të jetë e kapshme dhe e prekshme për të gjithë qytetarët e Maqedonisë së veriut. (koha.mk)