Trajneri i Kosovës, Bernard Challandes, ka folur në lidhje me shortin e hedhur në Dublin për eliminatoret e Europianit 2020. Ndeshjet kualifikuese do të luhen vitin tjetër dhe tekniku zviceran ka besim se skuadra e tij mund t’ia dalë. Në një prononcim për sajtin zyrtar të Federatës së Futbollit të Kosovës, ai u shpreh se nëse nuk ia dalin nga grupet, atëherë mund të arrihet kualifikimi nga ‘Play-Off’ i Ligës së Kombeve.
“Nuk është grup i lehtë, por ne jemi Kosova. Nuk është e pamundur dhe e dimë se Anglia është një ekip shumë i mirë dhe i fortë, por edhe Bullgaria e Mali i Zi janë të forta, por është e mundur. Ne duhet të bëjmë ndeshje të mëdha dhe të kemi besim. Duhet të bëjmë përgatitje të mëdha dhe më pas kemi ndeshjen me Maqedoninë.
Është një shans për kualifikim, pasi tani kemi ndeshjet në grupe. Ne e nisim këtë kompeticion duke menduar se mund t’ia dalim dhe më pas kemi rrugën e Ligës së Kombeve. Nëse nuk ia dalim në këtë rrugë nga grupet, kemi kompeticionin tjetër. Mendoj se Kosova mund të tregojë se çfarë është në gjendje të bëjë”, u shpreh Challandes.