Aksidente trafiku, sikurse viteve të kaluara periudha e verës shënonte viktima në komunikacion dhe në trafik. Në këtë mënyrë, këmbësorët në komunikacionin rrugor në Pollog vazhdojnë të jenë të rrezikuar
Urim HASIPI
Tetovë, 6 gusht – Shifrat e policisë tregojnë për një rritje të vazhdueshme të aksidenteve, kjo si pasojë e problemeve me sinjalizimi, mungesën e kujdesit të shoferëve dhe të këmbësorëve. Por ajo që e karakterizon këtë periudhë verore është se në Tetovë vetëm për 35 ditë, gjithsej 19 këmbësorë kanë marrë lëndime trupore në aksidente trafiku. Gjithsej, në muajin korrik dhe në ditët e para të muajit gusht janë regjistruar 99 aksidente, shkruan gazeta KOHA.
“Gjatë muajit korrik, në rajonin e Tetovës janë regjistruar 17 këmbësorë të lënduar, prej të cilëve 5 kanë përfunduar me lëndime të rënda, kurse 12 me lëndime të lehta. Në këtë fillim të muajit gusht gjithsej janë lënduar 2 persona. Pjesa më e madhe e këtyre aksidenteve kanë ndodhur në rrugët e Tetovës. Gjatë muajit korrik të këtij viti, gjithsej kanë ndodhur 99 aksidente, prej të cilëve 70 në vendbanime, kurse 29 jashtë vendbanimeve”, deklaroi Marjan Josifovski, zëdhënës i Sektorit për punë të brendshme në Tetovë.
Rrugët e Tetovës në këtë mënyrë janë mjaft të rrezikshme, sidomos në pjesën qendrore kur dihet se ka frekuentim të madh të automjeteve dhe këmbësorëve. Shifra pak më të mira regjistrohen edhe në rajonin më të gjerë të Gostivarit. Respektivisht, nga policia njoftuan se 6 këmbësorë kanë pësuar në aksidente trafiku brenda 35 ditëve. “Në ndërkohë, në rajonin e Gostivarit gjatë muajit korrik janë lënduar 4 këmbësorë prej të cilëve një me lëndime të rënda dhe tre me lëndime të lehta. Në ndërkohë, gjatë 5 ditëve të para të muajit gusht janë lënduar dy këmbësorë në aksidente trafiku, të cilët kanë patur lëndime trupore. Numri i aksidenteve gjatë muajit korrik në Gostivar është 37, prej të cilëve 29 në vendbanime dhe 8 jashtë vendbanimeve”, tha Josifovski.
Qytetarët e Tetovës dhe të Gostivarit vazhdojnë të jenë të pasigurt, sidomos kur duhet që të qarkullojnë nëpër rrugët e frekuentuara.
Viktimë të këtyre aksidenteve shpeshherë janë edhe fëmijët, por nuk përjashtohen as më të rriturit. Në Tetovë, rrugët më të rrezikshme janë bulevardi kryesor i “Ilindenit”, por edhe rruga “Industriale”. Këtë vit shënojnë rritje edhe aksidentet në rrugët rajonale, sidomos rruga Tetova-Pirok-Gostivar , ku ka qarkullim enorm të veturave dhe shtëpi pranë kësaj rruge, ku qasja e fëmijëve në korsi rrugore është shumë e lehtë. Policia kërkon që të mos lejohen fëmijët të vetëm në rrugë. “Për të parandaluar dhe të mos përsëriten këto aksidente, të cilat në të shumtën e rasteve përfundojnë me lëndime të lehta dhe të rënda të këmbësorëve, Sektori për punë të brendshme në Tetovë apelon deri tek prindërit që të mos i lënë të vetëm fëmijët e tyre që të lëvizin ose në mënyrë të pasigurt të kalojnë në rrugë, për arsye se pasojat mund që të jenë edhe më serioze, ndonjëherë edhe të pandreqshme për sigurinë e fëmijëve. Përveç kësaj, prindërit do të ballafaqohen edhe më sanksione për kundërvajtje dhe dënime varësisht rastit dhe pasojave”, njoftojnë nga policia e Tetovës.
Në ndërkohë, jo rrallë herë edhe këmbësorët janë të pakujdesshëm. Duke nisur nga kjo situatë, Sektori për punë të brendshme njofton se ka ndërmarrë aksione kontrolluese për të dënuar edhe këmbësorët.
“Në udhëkryqet kryesore të qytetit pjesëtarë të policisë çdo ditë kontrollojnë sjelljen e këmbësorëve duke shqiptuar edhe dënime për ata që nuk respektojnë rregullat” thonë nga policia e Tetovës. Ajo që është fakt inkurajues për këtë periudhë brenda 35 ditësh është se nuk ka viktima në aksidente trafiku, sikurse viteve të kaluara periudha e verës shënonte viktima në komunikacion dhe në trafik. Në këtë mënyrë, këmbësorët në komunikacionin rrugor në Pollog vazhdojnë të jenë të rrezikuar. (koha.mk)