Keidi Bare pret një shans për të treguar vlerat në Kombëtaren A. Mesfushori, që prej një viti është pjesë e ekipit të parë të Atletiko Madrid, i dërgoi një mesazh të qartë trajnerit Panuçi nga emisioni “Zona Gol” në “Supersport”. “Më mirë vonë sesa kurrë! Unë shpresoj shumë që të grumbullohem nga Panuçi. Besoj se duhet të jem pjesë e grupit, për të treguar nëse vlej apo jo për të qenë pjesë e Kombëtares së madhe”, u shpreh Bar. Në pritje të ftesës, ndoshta prej miqësores së 13 nëntorit, në Antalia, me Turqinë, talenti nga Fieri pret të debutojë në këtë sezon në La Liga, pasi luajti ndeshjen e parë nën urdhrat e Diego Simeones në “Kupën e Mbretit”.
“Debutova në ndeshjen e Kupës. Nuk ishte debutimi më i mire, sepse barazuam. Shpresoj të debutoj sa më parë edhe në kampionat”, shtoi më tej Bare. Javët e fundit, Bare ka qenë në qendër të vëmendjes së mediave rozë edhe prej lidhjes me vajzën e trajnerit të ekipit B të Atletiko Madrid, Mono Burgos. Dashakeqët kanë spekuluar se kjo lidhje e ka ndihmuar në karrierën e tij, por kapiteni i përfaqësueses Shpresa e ka një përgjigje të qartë.
“Unë te Atletiko Madrid përpara katër vjetëve kam arritur me këmbët e mia. Sot jam, nesër nuk jam me vajzën e Mono Burgos dhe kjo nuk ka asnjë lidhje me karrierën time tek Atletiko”.
20-vjeçari kuqezi foli për rivalitetin e madh te “los colchoneros”, me emra si Koke, Saul, Karrasco e Gabi, mundësinë e huazimit në një tjetër skuadër, por edhe për objektivat e Atletikos në këtë sezon. “Huazimi? Natyrisht e kam menduar shumë këtë gjë, me të afërmit dhe klubin. Por, tani për tani jam lojtar i Atletikos. Shpresoj që në të ardhmen ndoshta të bëj një lëvizje, por për momentin jam i përqendruar këtu. Por, besoj se me punë arrihet gjithçka dhe ndoshta një ditë mund të arrij atje ku janë ata. Shanset e Atletikos në La Liga? Është ende shpejt. Nga fundi i kampionatit vendoset se në çfarë pozicioni do ta mbyllë. Objektivi është fitimi i La Ligas dhe unë besoj se këtë vit do ta fitojmë titullin”, përfundoi Bare.