Bruksel, 1 korrik – Komisionari evropian për Politikat e Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit Oliver Varhelyi njoftoi sot se Komisioni Evropian paraqiti një projekt-kornizë negociuese për Shqipërinë dhe Maqedoninë Veriore në Këshillin e Çështjeve të Jashtme të BE-së.
Komisioni mori një ftesë në mars për ta paraqitur projektin në Këshillin e Punëve të Jashtme, kur u mor vendimi për hapjen e negociatave të pranimit, thuhet në njoftim.
Oliver Varhelyi vlerësoi se sot është një tjetër hap i rëndësishëm për rrugën e integrimit evropian të Shqipërisë dhe Maqedonisë Veriore, pasi BE-ja ka përmbushur detyrimin e saj duke siguruar një kornizë konkrete për negociatat.
“Propozimet tona bazohen në metodologjinë e rishikuar të pranimit, e cila u prezantua në shkurt, me qëllim që procesi të bëhet më i besueshëm, dinamik dhe i parashikueshëm”, tha Varhelyi.
“Mezi pres diskutimin me shtetet anëtare mbi mundësinë e mbajtjes së konferencave të para ndërqeveritare me këto dy vende sa më shpejt të jetë e mundur. E ardhmja e tyre është e qartë në BE dhe kam besim se ato do të vazhdojnë të përmbushin reformën e tyre në rrugën evropiane, siç kanë bërë deri më tani”, ka shtuar ai.
Maqedonia Veriore do të duhet të përkthejë ligjin e përbashkët evropian (acquis communautaire) në maqedonisht para anëtarësimit zyrtar në Bashkimin Evropian, thuhet në Draft Kornizën e Negociatave për vendin e miratuar sot nga Komisioni Evropian, mëson “360 gradë”.
Në Draft-Kornizën e bisedimeve për Maqedoninë Veriore, të miratuar sot nga Komisioni Evropian, përcaktuesi që do të përdoret për emërtimin e gjuhës është – maqedonisht, pa ndonjë shpjegim apo shënim shtesë, zbulon “360 gradë”.
Ky konsiderohet një akt i njohjes zyrtare të gjuhës maqedonase në nivelin e BE dhe promovimi i saj në një nga gjuhët zyrtare të Bashkimit Evropian në të ardhmen.
Siç kemi informuar tashmë, drafti i kornizës tani po shqyrtohet nga vendet anëtare të BE-së, të cilat duhet të bien dakord për tekstin përfundimtar.
Pasazhi që thotë se ligji i përbashkët evropian duhet të përkthehet në gjuhën e shtetit të ardhshëm anëtar është një element standard në kornizën e bisedimeve për të gjitha vendet kandidate që aktualisht janë duke negociuar ose janë bërë tashmë pjesë e BE-së.
Problemi i gjuhës maqedonase u mbyll zyrtarisht me Marrëveshjen e Prespës, si një përcaktues kryesor i identitetit për maqedonasit etnik në Maqedoninë Veriore.