Prishtinë, 26 shtator – Ndryshimi i kufijve të Kosovës nuk ka gjasa të kalojë pa dhunë. Kështu kanë vlerësuar disa ambasadorë evropianë në Prishtinë, në një raport konfidencial të hartuar për nevojat e Këshillit Evropian për Marrëdhënie të Jashtme (ECFR), një organizatë panevropiane me ndikim të madh, shkruan sot Koha Ditore.
Raporti vlerëson se edhe presidenti Hashim Thaçi ka nisur ta humbasë përkrahjen e vëzhguesve të huaj në Kosovë, ndërsa kundërshtarë të idesë së tij për ndryshimin e kufijve dhe këmbimin e territoreve i përmend të jenë kryeministri Ramush Haradinaj, kryeparlamentari Kadri Veseli dhe Lëvizja Vetëvendosje.
“Të dyja palët në debatin rreth idesë së “korrigjimit të kufijve” janë të përcaktuara qartë në Kosovë: kryeministri Ramush Haradinaj, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, dhe partia opozitare Vetëvendosje e kundërshtojnë idenë, derisa presidenti Hashim Thaçi është përkrahësi i saj kryesor”, thotë raporti.
Raporti i përbërë prej tre faqeve, është hartuar nga Norbert Roetgen, kryesues aktual i Komisionit për Politikë të Jashtme në Parlamentin e Gjermanisë, Bundestag, dhe Robert Kuper, ish-mbikëqyrës i dialogut teknik mes Kosovës dhe Serbisë, dhe trajton çështjen e referendumit për emrin e ri të Maqedonisë, si dhe debatin në Kosovë rreth ndryshimit të kufijve.