Bruksel, 5 tetor – Sipas raportit të fundit të Këshillit të Evropës mbi efektivitetin e sistemeve gjyqësore të shteteve anëtare të saj, Maqedonia shënon tendenca pozitive, dobësia e saj më e madhe është ndihma juridike. Mesatarisht në Maqedoni ndahen tetë euro për banor për sistemin gjyqësor, tregon raporti i fundit i Këshillit të Evropës, që është shumë më pak se mesatarja e vendeve të tjera anëtare në këtë organizatë – 64 euro për banor.
Megjithatë, thotë Stefan Lejenberger, një nga autorët e këtij raporti, nevojitet që kjo shumë të vihet në kontekst të Bruto Prodhimit Vendor të vendit, dhe në këtë rast Maqedonia fiton notë më të madhe, thekson autori. “Tetë euro në Maqedoni nuk e kanë vlerën e njëjtë si në vendet e pasura. Përpjekja buxhetore e cila i kushtohet sistemit gjyqësor nuk është ndër më të këqijat”, thotë Lejenberger për MIA-n. Malta, si dhe Franca, sqaron autori, proporcionalisht me BPV e tyre posedojnë më pak mjete financiare për efikasitetin e sistemit gjyqësor rreth Maqedonisë.
“Gjithsesi se nuk mjafton, që të funksionoj një sistem gjyqësor duhet të kushtohen mjete të mjaftueshme financiare dhe Maqedonia duhet të vazhdojë në drejtim të njëjtë. Pika më e dobët e vendit është ndihma juridike për qytetarët e varfër dhe qasja e sistemit gjyqësor për kategoritë më të rrezikuara të qytetarëve. Edhe Këshilli i Evropës e përshëndet faktin që kjo ndihmë përfundimisht ekziston, megjithatë, ajo nuk mjafton që sistemi gjyqësor me të vërtet të jetë efikas.
Vetëm 0,7 për qind nga buxheti publik i Maqedonisë në vitin 2016 është kushtuar për ndihmë juridike të kategorive të rrezikuara, që paraqet një nga normat më të ulëta si në rajon, ashtu edhe në Evropë. Për krahasim, në Irlandë dhe Norvegji ky numër arrin 35 dhe 38 për qind. “Është mirë që sistemi ekziston, më herët nuk ishte rasti, por sistemi është ende relativisht i dobët dhe do të duhet të rritet qasja ndaj gjyqtarëve për banorët, të vazhdojë zhvillimi i këtij sistemi që të rritet numri i njerëzve të cilët kanë nevojë për drejtësi, kurse nuk kanë mjete për atë”, thotë Lejenberger. Sipas raportit, në Maqedoni të ardhurat vjetore të cilat mundësojnë qasje në ndihmën juridike për një person janë 2087 euro.
Përveç asaj, gjyqtarët në Maqedoni relativisht janë të aftë për tu përballuar me numër të madh të lëndëve të cilët duhet të përpunohen, vë në dukje raporti, veçanërisht në lidhje me gjyqtarët civilë.
Për lëndët e qytetarëve mesatarisht nevojiten rreth 140 ditë, ndërsa për lëndët penale nevojiten 91 ditë, shkruan në raportin e KE.