Kryetari i Komisionit Evropian Zhan-Klod Junker nuk do të japë dorëheqje, deklaroi sot një përfaqësues anonim i trupit ekzekutiv të BE-së.
Ai theksoi, se informatat për dorëheqjen e Junkerit, të cilat u publikuan në disa media, janë të njëanshme dhe të nxjerra nga konteksti.
Nga fundi i javës së kaluar, disa media evropiane lajmëruan se në rreth të ngushtë Junkeri është kërcënuar se do ta braktisë Komisionin Evropian para fundit të mandatit në vitin 2019, nëse kryetari i Parlamentit Evropian Martin Shulc detyrohet të tërhiqet nga funksioni i tij.
Shulc ishte zgjedhur për kryetar në Parlamentin Evropian pas zgjedhjeve të vitit 2014 me vërejtje, se mandati do t’i zgjasë dy vjet e gjysmë, gjegjësisht gjysmë nga mandati në Parlament.
Ai afat skadon, dhe mbetet mundësia që Shulc të rizgjidhet deri në vitin 2019 apo të kthehet në Gjermani dhe ta vazhdojë atje karrierën e tij.
Edhe pse Shulc është socialdemokrat, ndërsa Junker është përfaqësues i Partisë Popullore Evropiane (EPP), ata nuk janë kundërshtarë dhe punojnë në mënyrë të harmonizuar.
Nëse në funksionin kryetar i KE qëndron përfaqësues i EPP-së, siç do të ishte radha pas largimit të Shulcit, atëherë të djathtit do t’i udhëheqin tre institucionet kryesore në BE – Parlamentin Evropian, Komisionin Evropian dhe Këshillin Evropian.