Bruksel, 6 maj – Komisioni Evropian sot porositi se Brukseli nuk është i mbyllur për diskutim për propozimin amerikan për pezullimin e patentave për pronësi intelektuale për vaksinat, por e konsideron vetëm si një prej vendimeve të mundshme, njofton korrespondentja e MIA-s nga Brukseli.
Në brifingun e rregullt për gazetarë në Bruksel, zëdhënësja Dana Spinant tha se Komisioni Evropian është njoftuar paraprakisht me nismën e administratës amerikane për t’u pezulluar patentat për vaksinat kundër Kovid-19, por tani për tani në Bruksel qëndrimi nuk është harmonizuar dhe shprehet vetëm gatishmëri për diskutimin.
Kryetari i Këshillit Evropian, Sharl Mishel, paralajmëroi se liderët e BE-së do të bisedojnë në këtë temë këtyre ditëve.
Deri më tani qëndrimi i BE-së ishte se heqja e patentave nuk është vendim dhe se fokusi duhet të jetë tek eksportimi efikas dhe i shpejtë i vaksinave që të arrihet vaksinimi masiv i popullatës globale.
Por, pas propozimit të presidentit amerikan Xho Bajden, bëhet e qartë se diskutimi do të hapet brenda institucioneve të BE-së, si edhe midis vendeve anëtare të BE-së. Franca tashmë ka shprehur gatishmëri që t’i bashkohet nismës.
Zëdhënësja e KE-së disa herë e përsëriti se është e rëndësishme të rritet eksportimi i vaksinave dhe të përforcohet prodhimi i tyre.
“Jemi të hapur për diskutim për zgjidhje të tjera pragmatike dhe jemi të gatshëm të vlerësojmë nëse propozimi i SHBA-së mund të ndihmojë, deri atëherë i inkurajojmë të gjitha vendet të lejojnë eksportin e shpejtë të vaksinave”, tha Spinant.
Organizatat joqeveritare dhe humanitare i bënë thirrje BE-së t’i bashkohen SHBA-së në këtë nismë, ndërsa industria farmaceutike e kundërshton këtë hap.