Shkup, 21 dhjetor – Komiteti ekzekutiv i VMRO-DPMNE-së mbrëmë e refuzoi iniciativën e disa funksionarëve aktual dhe të mëparshëm për shtyrjen e kongresit të jashtëzakonshëm të partisë dhe kjo iniciativë nuk do të gjendet në rend dite të seancës së sotme të Komitetit qendror të partisë.
KE i VMRO-DPMNE-së dje e ka shqyrtuar edhe informacionin rreth përgatitjeve për mbajtjen e Kongresit të 16-të të jashtëzakonshëm, që duhet të mbahet më 22 dhe 23 dhjetor në Vallandovë.
Shumë anëtarë të VMRO-DPMNE-së, midis të cilëve themelues të partisë, deputetë dhe funksionarë të tjerë, të martën, në prag të Kongresit të partisë, në letër publike theksuan se favorizohet një kandidat për kryetar të partisë. Ata kërkojnë që në takimet e ardhshme të trupave më të lartë të partisë të pranohen propozimet për rritjen e numrit të delegatëve të cilët do ta zgjedhin njeriun e parë të partisë, si dhe shtyrjen e Kongresit për muajin shkurt të vitit të ardhshëm.
KE i VMRO-DPMNE-së në seancën e djeshme i dënoi dhe, siç theksoi, “kushtet johumane në të cilat pushteti i mban mbrojtësit e kushtetutës të cilët politikisht janë paraburgosur me akuza të montuara për terrorizëm”.
Komiteti ekzekutiv i dënoi edhe “tentimet e policisë për t’i penguar protestat, me kërcënime dhe provokime, duke tentuar ta shuajë çdo shprehje të pakënaqësisë”.
KE e shqyrton dhe miraton edhe analizën për zgjedhjet e mbajtura lokale, e cila sot do të prezantohet në takimin e Komitetit qendror.