Phenian, 1 mars – Lideri koreanoverior Kim Xhong-un dhe presidenti i SHBA-së, Donald Tramp vendosën që t’i vazhdojnë bisedimet frytdhënëse me qëllim të zgjidhjes së problemeve, për të cilat diskutuan në samitin në Hanoi, ndërsa në kuadër të përpjekjeve për denuklearizim të Gadishullit Korean dhe progresit revolucionar në marrëdhëniet mes dy vendeve, bëri të ditur mbrëmë agjencia informative koreanoveriore KCNA.
“Të dy liderët kishin këmbim konstruktiv dhe të sinqertë për qëndrimet për çështjet praktike me qëllim të hapjes së erës së re në progresin e marrëdhënieve të ndërsjella”, thekson KCNA.
Trampi dhe Kimi, sipas agjencisë koreanoveriore “e panë që përpjekjet dhe masat proaktive, që të dyja palët i ndërmorën për shkak të uljes së tensioneve dhe arritjen e paqes, ishin jashtëzakonisht të rëndësishme për progresin e besimit të ndërsjellë dhe se në mënyrë thelbësore ndryshohet mosbesimi dhe marrëdhënia armiqësore, e cila me dekada ekziston mes të dyja vendeve”.
“Të dy liderët kumtuan se takimi i tyre i dytë në Hanoi ishte mundësi e rëndësishme për ndërtimin e besimit dhe ngritjen e marrëdhënieve mes të dyja vendeve në nivel të ardhshëm”, thekson KCNA.
Samiti i dytë Tramp – Kim ishte ndërprerë pa u arritur marrëveshje, ndërsa presidenti amerikan deklaroi se kjo kishte ndodhur pasi Koreja Veriore ka kërkuar ndërprerje të plotë të sanksioneve në këmbim të mbylljes së bazës bërthamore Jongbjon.
Në kumtesën e djeshme të delegacionit koreanoverior në Hanoi theksohet se Koreja Veriore gjatë takimit mes Trampit dhe Kimit propozoi që ta demontojë kompleksin e tij bërthamor Jongbjon në këmbim për ndërprerje pjesërisht të sanksioneve.
Ministri koreanoverior i Punëve të Jashtme Ri Xhong-ho theksoi se Pheniani ka dhënë “propozim real” në samit. Ai i mohon pohimet e Trampit se Koreja Veriore kishte kërkuar tërheqjen e të gjitha sanksioneve, të cilat janë vendosur për shkak të armëve bërthamore dhe programeve për raketa balistike.
“Nëse SHBA-ja pjesërisht i tërheq sanksionet, gjegjësisht ato të cilat e rëndojnë ekonominë dhe jetën e popullatës sonë, atëherë ne menjëherë dhe plotësisht do t’i demontojmë të gjitha komplekset bërthamore në rrethinën e Jonbon edhe atë në prani të ekspertëve amerikanë”, theksoi Ri.