Shkup, 1 nëntor – Skuadra basketbollistike Shkupi nuk e ka nisur mirë sezonin në Superligë. Në katër ndeshjet e deritanishme djemtë e trajnerit Enver Miftari kanë pësuar humbje duke mos e shijuar akoma fitoren. Ndryshe, në mungesë të palestrës e cila deri më tani nuk i plotësonte kushtet, Shkupi i ka zhvilluar ndeshjet si mysafir, por në fundjavë ata do të kenë mundësi që për herë të parë të luajnë para shikuesve të saj, si rezultat i rregullimit të disa çështjeve teknike të palestrës “Shaban Tërstena”. Lajmin se ndeshjen e ardhshme kundër Rabotniçkit, KB Shkupi do ta zhvillon para shikuesve të saj e konfirmuan edhe nga klubi bardhekaltër.
“Të shtunën KB Shkupi do të ketë mundësi të zhvillon ndeshjen e parë para publikut të tyre në Çair. Kjo u mundësua pas rregullimit të disa çështjeve teknike të cilat ishin pengesë deri më tani. Prandaj kjo do të jetë një mundësi e mirë për tu mbushur palestra ‘Shaban Tërstena’. Do të jetë edhe emri i kundërshtarit të ekipit tonë, që është kampion i shtatëfishtë i Maqedonisë, Rabotniçki. Të përkrahim Shkupin në Ligën e parë”, shkruan në faqen e klubit shqiptar në rrjetin social “Facebook”.