Shkup, 18 nëntor – Skuadra e basketbollit Shkupi të shtunën me fillim prej orës 18:00 në sallën e sporteve “Shaban Tërstena” do të përballet me “Karposh Sokoli”, ku do të jetë në kërkim të fitores së parë në Superligë, pasi deri më tani ata kanë pësuar gjashtë humbje nga po aq ndeshje të zhvilluara.
Në postimin në rrjetin social “Facebook”, KB Shkupi fton dashamirët e basketbollit sidomos grupin e tifozëve “Shvercerat Shkup” që të vijnë dhe ti përkrahin ata në tentimin për të arritur fitoren e parë këtë sezon . “Takimin e radhës do ta luajmë kundër ‘KK Karposh Sokoli’ të shtunën në ora 18.00 në palestrën ‘Shaban Tërstena’ në Çair. Kjo është ndeshja jonë e dytë para tifozëve tanë, shpresojmë me përkrahjen tuaj, ‘Shvercerat Shkup’, do t’ia dalim ta shënojmë fitore”, kanë shkruar në faqen e tyre zyrtare në “Facebook” nga KB Shkupi.