KB: Rreth 1,7 milionë njerëz të infektuar me HIV në vitin 2018

Nju-Jork, 16 korrik – Rreth 1,7 milionë persona janë infektuar me HIV në vitin 2018. Kjo paraqet ulje prej 16 për qind në krahasim me vitin 2010. Ulja ka të bëjë me masat efektive në Afrikën Lindore dhe Jugore, bëhet e ditur në raportin e KB-së.

Sipas të dhënave në Afrikën Jugore, numri i rasteve të reja të AIDS është ulur për më shumë se 50 për qind. Në të njëjtën kohë, ekziston rritje alarmante prej rreth 29 për qind në Evropën Lindore dhe Azinë Qendrore, si dhe në Lindjen e Afërt, Afrikën Veriore dhe Amerikën Latine.

“Më të prekur janë të rinjtë e moshës prej 14 deri në 24 vjet dhe kjo është e papranueshme pas aq viteve mobilizim dhe luftë”, thotë Kristin Kafando, përfaqësuese e organizatës joqeveritare.

Gjithashtu, rritje shënon edhe numri i personave të cilët i ishin nënshtruar trajtimit, kështu që vitin e kaluar ai numër është 23 milionë prej gjithsej 38 milionë njerëzve të cilët e kanë virusin. Gati 770.000 persona humbën jetën.