Bangkok, 2 nëntor – Raporti i Kombeve të Bashkuara thekson se rreth 486 milionë njerëz në Azi dhe rajonin e Oqeanit Paqësor vuajnë nga kequshqyerja dhe nuk ka përparim në zvogëlimin e urisë.
Në raportin e Organizatës për Ushqim dhe Bujqësi (FAO) edhe tre agjencive tjera të KB-së të publikuara sot thuhet se më shumë gjysma e fëmijëve në botë, të cilët ushqehen keq jetojnë në rajonin aziatik-paqësor.
Uria shkakton pengesa në zhvillim dhe invaliditet të përhershëm, ndërsa situata ndërlikohet për shkak mungesës së qasjes së vazhdueshme në ushqim dhe kushtet e këqija sanitare, madje edhe në qytetet e mëdha dhe vendet relativisht të prosperuara.
Arsye kryesore pse njerëzit ende janë të uritur është varfëria dhe qasja jo e barabartë në ushqim të mirë, uji i pastër dhe tualetet. Shumica e të prekurve nga varfëria punojnë në bujqësi apo ekonominë gri dhe nuk mund të mbështeten në asistencë sociale gjatë krizës apo të blejnë ushqim të mjaftueshëm për fëmijët e tyre.