Nju-Jork, 19 tetor – Sekretari i Përgjithshëm i KB-së Antonio Guteresh ka dënuar sulmet ndaj civilëve, ndërsa Azerbajxhani dhe Armenia janë akuzuar për shkelje të armëpushimit të ri.
Guteresh dënoi “të gjitha sulmet ndaj vendbanimeve të prekura nga konflikti”.
“Vdekjet tragjike të civilëve, veçanërisht të fëmijëve, në sulmin e fundit më 16 tetor në qytetin Ganja janë plotësisht të papranueshme”, tha zëdhënësi i Gutereshit, Stefan Diszhrik.
Sekretari i Përgjithshëm i KB-së shprehu gjithashtu “keqardhje të thellë” që të dy palët në konflikt kishin “injoruar” thirrjet e përsëritura të bashkësisë ndërkombëtare për armëpushim të menjëhershëm.
Gjithsej 13 civilë, përfshirë fëmijë, u vranë në bombardimet e qytetit Ganja, qyteti i dytë më i madh i Azerbajxhanit, natën midis së premtes dhe të shtunës. Rreth 50 persona u plagosën në sulmin.
Bombardimi në qytetin Ganja erdhi një javë pas përpjekjes së parë për të ivendosur armëpushim të mbështetur nga Rusia.
Armenia dhe Azerbajxhani më pas arritën marrëveshje për armëpushim të ri, i cili hyri në fuqi në mesnatën e së shtunës, por të dy vendet vazhdojnë të akuzohen për shkeljen e marrëveshjes.
Nagorno-Karabah është enklavë armene në Azerbajxhan dhe që nga lufta në gjysmën e parë të viteve 1990, qeveria në Baku nuk ka pasur kontroll mbi territorin. Disa qindra njerëz u vranë në konfliktin, i cili filloi në fund të shtatorit.