Nju-Jork, 21 tetor – Pandemia e koronavirusit kërcënon të ngadalësojë progresin drejt barazisë gjinore, një proces që tashmë po lëviz me ritëm kërmilli, njoftuan sot Kombet e Bashkuara.
Siç theksohet në raportin “Gratë në botë 2020”, dhuna me bazë gjinore, pabarazia në vendin e punës dhe pjesëmarrja e grave në udhëheqjen politike janë pothuajse po aq të këqija sa ishin 25 vjet më parë.
Sekretari i përgjithshëm i KB-së Antonio Guteresh tha se rezultate modeste ishin arritur në arsim dhe në uljen e vdekshmërisë së nënave që kur 189 anëtare të KB-së u zotuan të mbrojnë të drejtat e grave në konferencën e Pekinit në vitin 1995.
“Përparimi drejt fuqisë së barabartë dhe të drejtave të barabarta për gratë mbetet i paarritshëm. Asnjë vend nuk ka arritur barazi gjinore dhe kriza me Kovid-19 kërcënon të rrezikojë progresin e kufizuar që është bërë”, tha Guteresh në një deklaratë.
Në Raportin e KB-së thuhet se të dy vajzat dhe djemtë kanë gjasa të njëjta të ndjekin shkollën fillore dhe të mesme, por edhe pse shumë gra regjistrohen në arsimin e lartë, më pak se gjysma marrin një punë, krahasuar me tre të katërtat e burrave.
Kjo, siç u theksua, do të thotë që hendeku është i njëjtë me atë të vitit 1995.
Pjesëmarrja e grave në tregun e punës është veçanërisht e ulët, nën 30 për qind, në Azinë Jugore dhe Perëndimore dhe në Afrikën Veriore, sipas KB.
Gjithashtu, sa i përket pjesëmarrjes në jetën politike, progresi i bërë në drejtim të barazisë gjinore është i vogël, shton KB-ja, duke theksuar se sot ka vetëm tetë gra që kanë qenë kryetare shtetesh ose të qeverive që nga viti 1995.