“Varfëria të shpie në vjedhje, të bënë që e nesërmja jote të varet nga lojërat e fatit, e kur nuk ke rrugëdalje tjetër për të arritur cakun je i gatshëm të vrasësh ose të të vrasin.”, mendon Fari Hiseni aktivist për të drejtat e njeriut.
Zenel MIFTARI
Shkup, 17 janar – Lojërat e ndryshme të fatit janë bërë pjesë e përditshmërisë sonë. Mendimi i thjeshtë që me pak investim mund të merrni vlerë të madhe parash tingëllon joshëse. Shpesh ky aktivitet del jashtë kontrollit dhe shndërrohet në pasion që çon në varësi. Së fundmi kemi një rast kur në një kazino të quajtur “Vegas” në lagjen Vizbeg të Shkupit, gjatë fundjavës ka ndodhur një plaçkitje e armatosur ku për pasojë dy të rinj janë vrarë. Viktima e parë ka qenë një klient nga Kosova 22 vjeçar V.H i cili nuk kishte arritur të ikë, ndërsa viktima tjetër ka qenë 20 vjeçari nga Shkupi i cili ishte i angazhuar si sigurim privat i kazinosë. Plaçkitësit kanë qenë të maskuar dhe dy prej tyre të armatosur me pushkë automatike, ndërsa dy të tjerët me pistoleta. Sipas informatave jo zyrtare vjedhësit i kanë marr afër 10 mijë euro dhe janë larguar nga vend-ngjarja në drejtim të panjohur.
Një dramë e ngjashme ka ndodhur në qendrën tregtare “Porta Vllae” në Shkup para tre javësh. Disa persona të armatosur kishin grabitur një kazino afër rrugës “Aradhat partizane”, të cilët pasi kanë kërcënuar të punësuarit, e kanë marrë qarkullimin ditor brenda kazinos. Personat e panjohur paratë i kishin futur në qese dhe çanta dhe janë larguar, ndërkohë që policia e kishte konfirmuar rastin, duke thënë se po ndërmarrin masa për kapjen e autorëve.
Në Maqedoninë e Veriut, kohë më parë pati filluar një nismë për dislokimin e kazinove tre kilometra larë nga vendbanimeve. Udhëheqësi i Lëvizjes anti-bizhoz, Xhemal Abdiu, thotë për gazetën KOHA se çdo herë kanë deklaruar se lojërat e fatit kanë vetëm qëllime të zeza, degjenerim dhe shkatërrim të rinisë, të cilat sjellin më pastaj pasoja të dhimbshme. “Jo rastësisht gati se 4 vite kërkojmë në mënyrë institucionale të zgjidhet problemi i dislokimit të objekteve të lojërave të fatit. Por deputetëve nuk po i bënë përshtypje degjenerimi, shkatërrimi dhe së fundmi vdekja e të rinjve pasi janë të verbuar nga interesi i tyre, njësia matëse e tyre është xhepi. Deklaratat parazgjedhore janë të tejdukshme, konkretisht e kam fjalën për deputetët e VMRO DPMNE-së dhe LSDM-së të mos sillen me diktate partiake por të votojnë dislokimin e atyre objekteve tre kilometër larg vendbanimeve ose mbyllje deri në sjelljen e ligjit”, ka thënë Abdiu. Sipas tij, nëse nuk merren masat e kërkuara nga java e ardhshme do të fillojmë organizimin për pa dëgjueshmëri qytetare (fillimisht me bllokim të pik pagesave) dhe protestës në Shkup para Parlamentit, në mënyrë që të mbrojmë harmoninë familjare dhe jetët e njerëzve.
Fari Hiseni, aktivist për të drejtat e njeriut, për gazetën KOHA, shprehet se pasojat e varfërisë dhe papunësisë po i paguajmë me jetët tona!
“Nëse për vendimmarrësit hulumtimet mbi varfërinë dhe papunësinë në vend paraqesin vetëm numra dhe përqindje, atëherë gabohen. Siguria në shoqërinë tonë dëshmon që ne si popullatë nuk jemi të sigurt në asnjë hapësirë! Varfëria të shpie në vjedhje, të bënë që e nesërmja jote të varet nga lojërat e fatit, e kur nuk ke rrugëdalje tjetër për të arritur cakun je i gatshëm të vrasësh ose të të vrasin.”, mendon Hiseni. Sipas tij, gjendja jonë është e tillë ku çdo kush duhet të kujdeset dhe ta mbroj veten e tij, pasi që mekanizmat mbrojtëse juridike nuk janë funksionale!
Sikundër dihet, lëvizja Anti-bixhoz ka paralajmëruar masa më radikale, nëse nuk miratohet Ligji i ri për lojërat e fatit, duke i përfshirë edhe kërkesat e tyre.
Xhemal Abdiu nga kjo lëvizje, tha se masa e parë që do të marrin nëse nuk miratohet ligji, do të jetë bllokimi i rrugëve.
“Gjëja e parë që Lëvizja Antibixhoz do të bëjë është të bllokojë rrugët në mënyrë që deputetët të cilët nuk janë në gjendje të sigurojnë mirëqenie për popullatën, të mos mund të shkojnë në Kuvend ose të kthehen nga Kuvendi, aty ku duhet të miratohet ligji. Plani i parë është bllokimi i rrugëve”, tha Abdiu.
Ata kërkojnë që në ligjin e ri të vendoset që objektet e lojërave të fatit të jenë të paktën tre kilometra larg vendbanimeve, si dhe një pjesë e mjeteve nga lojërat e fatit të dedikohen për rehabilitimin e personave që janë të varur nga ato.
Nëpërmjet një njoftimi në ‘Facebook’ kjo Lëvizje iu ka bërë thirrje deputetëve të Maqedonisë.
“Para se të votoni, mendohuni mirë, mos votoni ligj për lojërat e fatit i cili nuk është në përputhje me kërkesat e Lëvizjes Anti-Bixhoz dhe pritshmëritë e qytetarëve të shprehura në protesta disa herë me radhë – kërkesa e së cilës është dislokim të atyre objekteve 3 km jashtë vendbanimeve dhe i tillë nëpërmjet votës tuaj duhet të kaloj me çdo kusht”, shprehen nga kjo lëvizje. (koha.mk)