Këtë e kanë bërë të ditur nga Lëvizja Anti-Bixhoz, të cilët kanë mirëpritur këtë vendim të institucioneve qendrore që të mos lejohet hapja e kazinosë afër kësaj lagje, afër Universiteteve dhe shkollave të mesme
Urim HASIPI
Tetovë, 30 gusht – Para dy jave, Drejtoria për të Hyra Publike ka marrë vendim që të mos hapet kazinoja Reciçë të Vogël. Këtë e kanë bërë të ditur nga Lëvizja Anti-Bixhoz, të cilët kanë mirëpritur këtë vendim të institucioneve qendrore që të mos lejohet hapja e kazinosë afër kësaj lagje, afër Universiteteve dhe Shkollave të Mesme, shkruan KOHA në numrin e sotëm të gazetës.
Jushi Emërllahu nga Lëvizja Anti-Bixhoz, ka thënë se ditën e hënë, është mbajtur lexim i parë i propozim-ligjit për ndryshimin e Ligjit për organizimin e lojërave të fatit.
“Kërkesa jonë në këtë debat ka qenë që kazinotë të jenë larg shtëpisë së fundit të qytetit tre kilometra. Për këtë ndërhyrje në ligj, para dy muajve kemi dorëzuar edhe amendament, por oferta e koalicionit dhe partisë në pushtet – BDI, e propozuar nga Ejup Alimi dhe Rexhail Ismaili, është 500 metra vijë ajrore prej parcelës së fundit, apo 500 metra larg nga vendi ku parashihet të jetë objekti i lojërave të fatit”, deklaroi Emërllahu. Sipas tij, brenda javës do të ketë edhe një debat tjetër, në lexim të dytë dhe do të insistohet që largësia e këtyre objekteve nga institucionet të jetë tre kilometra.
“Brenda javës do të ketë debat tjetër të hapur, ku do të saktësohet se sa do të jetë largësia prej institucioneve shtetërore duke përfshirë edhe objektet fetare. Jemi të ftuar në këtë debat dhe do të kërkojmë të respektohet marrëveshja prej tre kilometrave, sepse kjo është paraparë në amendamentet e para. Mirëpo, edhe pse me 500 metra vijë ajrore largohen të gjitha objektet e lojërave të fatit nga qyteti, ne si lëvizje Anti Bizhos, do të insistojmë të jetë sa më e gjatë”, thotë Emërllahu. Ai sqaroi se me miratimin e këtij Ligji, afati për dislokimin e të gjitha objekteve të fatit është 31 dhjetori i këtij viti dhe më 1 janar, asnjë objekt i këtillë nuk duhet të jetë afër institucioneve shtetërore dhe fetare. Ne si Lëvizje do të kërkojmë që të implementohet urgjentisht ky Ligj në praktikë.
“Në të kundërtën, ne do të vazhdojmë me protestat tona para institucioneve shtetërore përgjegjëse për këtë ligj. Me këtë propozim-ligj të ri, komunave u jepet e drejta që të jenë përgjegjëse për largësinë e hapjes së kazinove dhe për dhënien e lejes definitive të lojërave të fatit, apo dokumentit final, me një fjalë komuna do të ketë të drejtë të pengojë hapjen e një veprimtarie të këtillë dhe ka të drejtë vendimmarrje”, theksoi Jushi Emërllahu.
Përndryshe, kohë më parë, edhe Komuna e Tetovës përmes Këshillit komunal kishte kërkuar përfshirjen e saj në vendimmarrje për hapjen e veprimtarive që kanë të bëjnë me lojërat e fatit. “Këshilli i Komunës së Tetovës në njërën nga mbledhjet e saj ka marrë pesë vendime që i janë dërguar institucioneve përkatëse. Nga ky vendim gjeneralisht, kërkohet involvimi i Komunës në sjelljen dhe miratimin e Ligjit të ri, i cili rregullon veprimtarinë e lojërave të fatit si dhe distancimi i këtyre veprimtarive në pjesët periferike të qytetit”, njoftohej nga Komuna e Tetovës. (koha.mk)