Mosmarrëveshjet e Edison Kavanit me shokun e skuadrës së Paris Sen-Zhermen Nejmar janë përkeqësuar pasi uruguaiani ka refuzuar 1 mln euro për t’i dorëzuar penalltitë brazilianit, sipas raporteve në Spanjë. “El Pais” pretendon se Kavanit i është ofruar një pagesë, e cila është e ngjashme me bonusin që do të merrte nëse do të dilte golashënuesi më i mirë i klubit në Ligue 1, por sulmuesi ka refuzuar ofertën.
Nasser Al-Khelaifi, presidenti i PSZH, javën e kaluar ka negociuar me Kavanin dhe përfaqësuesit e tij për të arritur një marrëveshje pas sherrit në mesin e fushës më 18 shtator në fitoren 2-0 ndaj Lion. Dy sulmuesit, të cilët së bashku kushtojnë 280 mln euro, u dukën si një dyshe e frikshme pas transferimit të brazilianit nga Barcelona këtë verë. Por “L’Equipe” raportoi se incidenti i dyshes ka ndarë në dy kampe dhomën e zhveshjes dhe mosmarrëveshjet nuk janë zgjidhur akoma. E përditshmja spanjolle pretendon se skuadra mban anën e Kavanit, pasi 30-vjeçari ishte gjuajtësi i penalltive përpara se të vinte Nejmar.