Real Madrid do të lëvizë për blerjen e Edinson Kavani gjatë merkatos së janarit, për të zgjidhur problemet në sulm. Kristiano Ronaldo, Karim Benzema dhe Geret Bejll janë shumë larg formës ideale, teksa “Los Blancos” janë në vendin e katërt të La Liga, me 14 pikë më pak se kryesuesit dhe rivalët historik të Barcelonës. “Los Blancos” kanë luajtur një ndeshje më pak Ronaldo ka humbur nuhatjen e dikurshme, ndërsa Bale dhe Benzema kanë pasur probleme të vazhdueshme me dëmtimet. Kësisoj, duke iu referuar gazetës “Don Balon”, trajneri i Real Madrid, Zinedin Zidan ka kërkuar një sulmues me peshë për pjesën e dytë të sezonit dhe është identifikuar qendërsulmuesi Edinson Kavani si emri i parë i dhënë nga francezi. Kavani ka qenë në qendër të polemikave te PSG, pas sherrit me Nejmar për ekzekutimin e penalltive dhe goditjeve standarde. Mësohet se ai ka kërkuar largimin nga Franca dhe Real Madrid do të ishte një zgjidhje ideale. Gjithsesi, Kavani ka përfunduar edhe në “radarin” e ekipeve të Premier League dhe faktikisht do të preferonte të luante te një skuadër ku të mos ishte në hijen e Ronaldos. Megjithatë, uruguaiani ka hedhur poshtë zërat për një konflikt mes tij dhe Nejmar duke thënë” “Janë gjëra që ndodhin në dhomat e zhveshjes. Gjithçka ka një zgjidhje. Tani jemi të gjithë më të qetë. Kryesoja është që të gjithë të kemi të njëjtin synim.” Nuk pritet që PSG të aprovojë largimin e tij, por nëse Real ofron 70 milionë euro, atëherë gjërat do të ndryshonin.