Po të kthehej Berisha në krye të partisë, çka do të thoshte kjo për raportet e PD-së me SHBA-të me në krye “të padëshirueshmin”? Njësoj do të ishte edhe nëse në krye të partisë do të sillte një tjetër “Bashë”, i cili do të obligohej ta merrte Berishën nën mbrojtje partiake? Keq me Bashën, ndoshta edhe më keq me një Berishë të kthyer të listës së zezë…
Nga Daut DAUTI
Para disa vitesh bëra një seri shkrimesh me një mbititull “të mos jesh (Filan Fisteku)”, që ua kushtova aktorëve politikë në periudhën pas Gruevskit. Të jesh ndonjëri prej aktorëve, kishte ndonjë benefit, por dhe shumë pikëpyetje të tjera, pothuajse për asnjërin nuk ishte gjithçka e relaksuar. Në këtë shkrim, tash për aktorët politikë të Shqipërisë, mund të shkruhet se Rama është ai që i shkon në favor të jetë Rama, duke pasur parasysh se pas përjashtimit të Sali Berishës nga grupi parlamentar i PD-së, vetëm për të është perspektiva e ndritur, vetëm ai nuk është që mund të humbë!
Kauza e Bashës: Lulzim Basha, gjatë kohë u mundua t’i ikë vendimit, dhe në fund nuk mundi, dhe me gjasë do të digjet. “Vrasja” politike e “babait” politik, Sali Berishës, do ta ketë çmimin e lartë. Kështu thonë analistët. Pas serisë së humbjeve zgjedhore dhe gabimeve strategjike(djegia e mandateve para tri-katër vitesh),kur nuk e luajtën nga posti i liderit të PD-së-së, me largimin e Berishës, përfundimisht Basha rrezikon karrierën politike.
Objektivisht, Lulzim Basha, me gjithë kundërthëniet e vendimit të tij, mori një hap pragmatik. Vendim me kusht dhe me afat kohor: largon Berishën deri sa të sqarohet çështja e tij. Kështu duket bukur në shikim të parë dhe parimisht në rregull. Objektivi personal i tij është që të mbetet në krye të PD-së, dhe ta ruajë karrierën politike, me shpresë se një ditë e zbret nga froni dushmanin e tij, Edi Ramën. Në anën tjetër, është edhe kauza më e lartë që e çoi në vendimin e rëndë, që ta ruajë PD-në nga pasojat e mundshme të izolimit politik nga ana e administratës së SHBA-ve.
Gjëja më pozitive dhe nga aspekti strategjik ose taktik, është pikërisht marrja mbi vete e gjithë përgjegjësisë dhe vrerit të Berishës, duke e lënë mënjanë partinë për të mos u involvuar në debate të pakëndshme. Në një situatë ku përgjegjësinë do ta kishte ndarë me forumet partiake, do të rrezikonte një rreshtim “të gabuar” në anën e Berishës, e me këtë, kundër qëndrimit amerikan, me çka PD-ja do të zhytej me vetëdije në një rërë të gjallë. Në këtë mënyrë, edhe gjasat për të hyrë në listën e zezë të subjekteve ekstremistë, do të përbënte çështje ekzistenciale, siç u shpreh një aktivist partiak.
Një PD, e trajtuar si subjekt ekstremist, do ta rrezikonte perspektivën e saj, por dhe do t’i shuante ambiciet e Bashës. Në situatë të këtillë, vendimi i largimit “me kusht” deri sa të sqarohet, sado taktik, sado i menduar mirë edhe me faktin që ta marrë përgjegjësinë mbi vete e për të mos e djegur partinë(organet, anëtarësinë), nuk u kuptuan drejtë nga vetë mentori i tij, Berisha dhe tash me situatë të re, kur atë do ta ketë përballë, lufta e tij në dy fronte, edhe kundër Ramës në Parlament dhe kundër Berishës në PD, i bëjnë me pikëpyetje të gjitha kauzat e Bashës.
Një perspektivë e errët për të.
Kauza e Berishës: Berisha në këtë lojë është lojtari që s’ka çka të humbë më! Një betejë e re, në të cilën vështirë se fiton, atij nuk i pengon. Vetëm që të dalë faqebardhë para shqiptarëve.
Beteja e tij është personale, por ai ka ngritur në nivel të ruajtjes së sovranitetit të veprimit politik të partisë së tij dhe për të vërtetën rreth papërshtatshmërisë. Betejën për të vërtetën ai e nisi me padinë për shpifje kundër sekretarit amerikan Blinken në një gjykatë të Parisit dhe me paraqitjet mediatike të pareshtura, sidomos pas përjashtimit nga grupi parlamentar, ka hyrë në betejën e dytë, jo atë për të vërtetën e tij rreth akuzave për korrupsion n(për çka është shpallur nongrata nga SHBA-të), por në një betejë sizifiane brenda PD-së për ta shfronësuar Lulzim Bashën. Kjo betejë që filloi të enjten me ithtarët e tij, vazhdoi trendin e paraqitjeve mediatike ku gjitha dështimet e PD-së qe tetë vjet liderizmi, ia adreson Lulzim Bashës. Edhe humbjet zgjedhore, edhe djegien e mandateve, edhe marrëveshjet me Ramën, edhe shkeljet statutare me përjashtimin e tij nga grupi parlamentar, sepse e akuzon Bashën që ka uzurpuar pushtetin partiak, duke sjellë vendime që duhet t’i sjellin organet partiake, para së gjithash Këshilli Kombëtar i PD-së…
Po ku do të çojë kjo betejë e tij? Përplasjet e vazhdueshme me ambasadorët amerikanë, qoftë duke qenë në pushtet, qoftë në opozitë, e kanë sjellë Berishën në këtë situatë që gjendet sot, një Don Kishot që lufton me mullinjtë e erës. Edhe pse i deklaruar si pro-amerikan, ai pothuajse nuk ka histori idilike me ambasadorët amerikanë, përveç ndoshta nga fillimi i mandatit të parë. Në këtë histori, ku ai nuk e akuzon drejtpërdrejtë shtetin amerikan, veçmas spikat taktika për t’i mëshuar samarit për ta relativizuar dhe personalizuar dhe këtu samari është Edi Rama dhe Xhorxh Sorosi (Opsesioni me Sorosin i ngjan atij të Gruevskit në Maqedoni!), duke i akuzuar se denoncimin e kanë bërë ata. Ndryshe nga ai, ambasadorja Juri Kim do të shprehet se për një vendim si ky për Berishën, është marrë pas shumë procedurash dhe verifikimesh, gjë që nuk paraqet ndonjë rastësi…
Por situata në të cilën është Berisha është edhe e pa shpresë, edhe shumë shpresëdhënëse, po me rezultat përfundimtar fatal ndash kështu, ndash ashtu!!!
Duke qenë themelues dhe lider historik i Partisë Demokratike, por dhe lider historik i lëvizjes që shembi komuzimin, duke qenë pjesë e memories, ai sot luan në kartën e sentimentit të çdo demokrati, i cili nuk mund të mendojë një Parti Demokratike pa simbolin e saj, Sali Berishën. Në këtë drejtim, nisma e tij ka gjasë të madhe të mbledhë rreth vetes të pakënaqurit me liderin Basha dhe ithtarët sentimentalë pro Berishës, por rezultati i kësaj sigurisht është një dëshpërim i ri.
Kauza e PD-së:Pikërisht ashtu, një rezultat dëshpërues me shumë pikëpyetje. Deri në ç’shkallë mund ta zhvillojë Berisha betejën, sa mund ta mobilizojë anëtarësinë kundër kryetarit të partisë dhe çka do të arrihej me këtë? Me një vlerësim provizor, analistët në Tiranë thonë se që tash ithtarët pro njërit apo tjetrit, janë 50-50. Një përçarje e thellë. Enigma më e madhe është çka nëse pjesa dërmuese e anëtarësisë do të rreshtohej me Berishën? A do të kthehej Berisha në krye të partisë, ambicie kjo që ai nuk e ka shprehur në mënyrë të qartë. Po ta ketë një ambicie të këtillë dhe e realizon t’ia marrë partinë Bashës, çka do të thoshte kjo për raportet e PD-së me SHBA-të me në krye “të padëshirueshmin”? Me supozim se Berisha për shkak të moshës, nuk do ta realizonte një opsion të tillë, atëherë në krye të partisë duhet të sjellë një tjetër “Bashë”, i cili do të duhej të obligohej ta merrte Berishën nën mbrojtje partiake? Prapë një qorrsokak i ri. Një fitore e Pirros! Një satisfaksion për Berishën dhe një paudhësi për partinë.
Hip se të vrava, zbrit se të vrava. Keq me Bashën, ndoshta edhe më keq me një Berishë të kthyer të listës së zezë amerikane… Kauza e Ramës: Duket se në këtë situatë, i vetmi fitues është Rama. Jo që është e vërtetë akuza e Berishës se Basha është rreshtuar me Ramën, se mendoj se kjo nuk është e vërtetë, se s’fiton asgjë, po pse Ramai shtrirë nën hije,/Salën e Lulin i vështron/As rrufe e murtajë s’i bie/gjersa Sala e Berisha goditen me gjon.
Ah, Çajupi m’i mori mendimet! Vërtet kjo situatë më së shumti i përgjigjet Ramës, i cili fiton një PD oponente të përçarë me dy taborë, pa forcë të mirëfilltë politike, që do t’i mundësohej një pushtet gjer në pension! Më saktë, ashtu siç është skena politike anemike opozitare në Serbi, njësoj do të ishte në Shqipëri. Prej një PD-je do të dilnin dy të tjera, plus ato të mëhershmet (të Jozefina Topallit, Astrit Patozit, Dashmir Shehit…) që s’paraqesin kurrfarë force, me një LSI tashmë të çorientuar, Rama do të shndërrohej në një Vuçiq të dytë që do të kishte pushtet absolut, pa opozitë!
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)