E shtunë, 20 Shtator, 2025
13.8 C
Skopje

Kauza e re

Maqedonasit s’mund të mos i dinë më përvojat e vështira të shqiptarëve që shteti ua krijonte, e shqiptarët s’mund të injorojnë më frikën dhe dyshimin e maqedonasve për dashurinë e shqiptarëve ndaj shtetit të përbashkët. Baza e re e së ardhmes, duhet të jetë tek kjo kauzë, që do ketë për bazë sinqeritetin dhe profesionalizmin. Hapur dhe sinqertë për përvojat e së kaluarës dhe bashkë e fuqishëm për të ardhmen dinjitoze për shtetin e të gjithëve!

Nga Nazim RASHIDI

Nuk më kishte ndodhur prej kohësh të shpjegoja e të përfshihesha në diskutime ku përshkruheshin çështja e të drejtave të shqiptarëve, nga vitet ’90 të shekullit të kaluar e deri më sot, kur jemi 2020, në Maqedoninë e Veriut. E bëja këtë me disa kolegë maqedonas dhe e kapa veten në emocione pikërisht si para 10-15 vjetësh kur shpjegonim me zjarr krejt çfarë ndodhte, që nga protestat, shkollat, burgosjet, vrasjet e deri tek ajo se pse duhej të kishte barazi në këtë vend. Mbase debati përgjatë drekës së punës u imponua se ishte 8 Shtatori – Pavarësia e Maqedonisë së Veriut. Por përveç “tensionit” në bisedë, ajo që më la përshtypje dhe pse, dhe e shkruaj këtë tekst, është mosnjohja dhe mosdija për njëri-tjetrin, ende.

Në çfarë kuptimi? Sot prezenca e shqiptarëve në institucione, në jetën publike apo dhe politike është tejet më e madhe se disa vite më parë, por ky moment si duket nuk ka sjellë ndërlidhjen dhe komunikimin real, por vetëm formë, në të cilin komunikim baza e tij ende duket se është paragjykimi dhe mosnjohja. Palët ende si dinë as përvojat, as frikërat dhe as vizionet e njëri-tjetrit!

Nga ai komunikim i imi kuptova një gjë, që kjo shoqëria jonë shumëetnike, ende e ka mosbesimin në mes, madje edhe mes njerëzve që janë ditë për ditë bashkë. E ndërkohë që shënohej Pavarësia e Maqedonisë e që përkon edhe me ndërtimin e Qeverisë së re, kur tashmë hymë në 30 vjetorin e kësaj pavarësie, duket se disa pyetje duhet të ribëhen e të tjera të hapen, që rritja e shtetit të bëhet mbi baza të qëndrueshme. Nga biseda që bëra me disa nga kolegët e mi, nuk e kapërdiva dot dyshimin e tyre për çdo vuajtje dhe padrejtësi që shteti e kishte bërë ndaj shqiptarëve, jo ata vetë – kuptohet, dhe tjetra dyshimin e sinqeritetit të shqiptarëve nëse vërtet e duan këtë vend dhe nëse realisht punojnë ta ndërtojnë atë. Por këto janë çështje legjitime për diskutime atëherë.

Fillimisht me të parën, mosdijen dhe mosnjohjen e diskriminimeve. Është e qartë se me vite të tëra, çështja e presioneve dhe shtypjes që shqiptarët kanë përjetuar, janë folur vetëm në qarqe e rrethe, apo dhe medie brenda shqiptare. Për këto kanë folur edhe qarqet diplomatike dhe rrethe të ngushta politike tek të cilat kanë shkuar ankesat. Por si duket tek njerëzit e zakonshëm maqedonas, pompuar edhe nga politika, çdo ankesë e situatë antishqiptare, është përkthyer si kërcënim ndaj tyre dhe jo shfaqje e realitetit. Kjo tashmë duhet të ndryshojë.

Në vitin kur vendi hyn në 30 vjetorin e Pavarësisë, me një ftohtësi e qetësi historia duhet të tregohet siç ka qenë, hapur, me diskutime e qëndrime nga të gjitha anët, por jo vetëm në ajër, në transmetime e biseda, por edhe në libra. Të tregohet në shkolla dhe universitete. Të mësohet. Kjo që të mbesë si mësim, por edhe si një moment lidhjeje mbi baza të realiteteve që kanë ekzistuar. Këto momente nuk duhet të lihen veç në interpretime personale, por duhet të dokumentohen dhe si të tilla – të përhapen e pranohen. Pas 30 vjetësh nuk duhet shoqërisë t’i lihet barra e së kaluarës mbi baza paragjykimi, prandaj ajo duhet të shkruhet në librat e shkollës. Denko Maleski, ministër në Qeverinë e parë pas Pavarësisë, në intervistën për programin që unë realizoj, thotë se librat e Historisë nuk do i shkruajnë këto momente, gabimet e kohës, ato vetëm do shënojnë momentet kulmore, por realitetet kanë qenë të ndryshme. Atëherë çështja është si të ndërmarrim hapa që realitetet tona të jenë përshkruara ashtu siç i kemi parë, pa patetizma e eufori, por për të dhënë pasqyrën e zhvillimeve siç kanë ndodhur për shqiptarët, por edhe për gjithë vendin. Në të kundërtën – përsëri do të jemi pranë kolegësh, e miqsh, e do hamë e do pimë bashkë, por do bëjmë sikur jetojmë bashkë, se në fakt – mosnjohja do jetë lidhja, jo përvojat të cilat na i kanë krijuar vlerat që kemi. Por paralelisht me këtë, duhet hapur ta flasim edhe paragjykimin e madh që maqedonasit e kanë ndaj shqiptarëve: Sa realisht e duan Maqedoninë ata?

Historia e shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut lidhet me shtypjen pas Pavarësisë, por edhe me idetë e ndryshme, qoftë edhe ata të ndarjes së Maqedonisë, që shfaqeshin e shfaqen. Po të njëjtat libra, duhet ta thonë edhe këtë. Ta sqarojnë edhe këtë moment. Paralelisht me atë se pse lindën ato ide, cili ishte konteksti, nëse konflikti i viti 2001 deshi ndarjen e vendit e deri tek e sotmja. Kur shqiptarët drejtojnë majat e shtetit, si e shohin ata Maqedoninë realisht dhe të ardhmen e saj? Këto pyetje duhet t’i bëjnë shqiptarët vetë, por dhe hapur edhe para edhe me maqedonasit.

Duke e cituar Denko Maleskin, sërish, ai thotë se shqiptarët, disa prej tyre, kanë kontribuar shumë në ekzistencën e këtij shtetit. Këtë maqedonasit duhet ta dinë, siç paralelisht të dinë se ka pasur dhe ide të tjera. Të paktën që duhet bërë është të fliten përvojat, dhe ngjarjet si janë parë nga të dy anët. Nga një vrojtim sipërfaqësor dhe jo i studiuar, sidomos brezi që ka jetuar pavarësinë si realitet, ata që janë tek të 30-at e tyre, dhe jo domosdoshmërisht janë dëshmitarë të kohës së ndryshimeve, për shkak se natyrshëm, personazhet e kohës kanë ikur nga skena politike apo edhe nga jeta vetë, po mbet një shprehje që i lidh, shprehja: “Pse shqiptarët do e bëjnë këtë shtet?”

Përgjigjja, e sinqertë, e hapur, duhet të tregojë kahjen nga do shkojë Maqedonia e Veriut. Disa shqiptarë kur e bëjnë këtë pyetje, e thonë me idenë se nuk e ndjejnë shtetin si të tyrin, për shkak të historisë, të së kaluarës, atë që se njohin maqedonasit, por edhe për shkak të së tashmes, partizimit dhe paaftësisë dhe që ua jep të njëjtën ndjesi se këtu s’ka shpresë. Kur e thonë disa nga maqedonasit “pse shqiptarët do e bëjnë këtë shtet?”, ata shprehin mombesimin ndër vite dhe dyshimin që shfaqet vazhdimisht, por edhe partizimin dhe me tej dhe paaftësinë. Por përgjigjja duhet të ndërtojë kauzën e re, të një brezi post konflikte.

E para në listën e kësaj kauze duhet të jetë sinqeriteti, njohja reale dhe diskutimi i hapur për ngjarjet e së kaluarës. Jo si peng për të ardhmen, por si çlirim.

E dyta në listën e kauzës së re, lidhet mbase më lehtë, se të “dy palët” e shprehin partizimin dhe paaftësinë. Lufta ndaj këtyre fenomeneve duhet të krijojë respektin ndaj shtetit. Shtetit të përbashkët, shtetit të ri. Shtetit ligjor me shqiptarë e maqedonas e të tjerë, të cilët duhet të besojnë në norma, rregulla dhe institucione. Shtet e shoqëri që do njohë përvojat e njëri-tjetrit ashtu siç kanë qenë. Kjo sfidë është e përbashkët. Kjo është kauza e re, çlirim nga logjika e ngushtë etnike e partiake dhe zotërimi i profesionalizmit. Maqedonasit s’mund të mos i dinë më përvojat e vështira të shqiptarëve që shteti ua krijonte, e shqiptarët s’mund të injorojnë më frikën dhe dyshimin e maqedonasve për dashurinë e shqiptarëve ndaj shtetit të përbashkët.

Baza e re e së ardhmes, duhet të jetë tek kjo kauzë, që do ketë për bazë sinqeritetin dhe profesionalizmin. Presionet do vinë natyrshëm në rritje për më shumë hapje e përgjegjësi, por ajo që duhet kuptuar është mos humbja e kohës, se siç shohim edhe nga ajo e kaluar e shkurtër, koha do sjellë vetë disa ndryshime, por përvojat s’ka pse të jenë të hidhura. Prandaj, hapur dhe sinqertë për përvojat e së kaluarës dhe bashkë e fuqishëm për të ardhmen dinjitoze për shtetin e të gjithëve!

(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)

Abonohu

Për t'u përditësuar me të gjitha lajmet e fundit, ofertat dhe njoftimet speciale.

spot_img

Artikuj të ngjajshëm