Kauza shqiptare në Maqedoni ka përjetuar lloj-lloj turbulencash dhe po të ishte plastelinë, ajo do ti ngjante një parku lodrash ku fëmijët do të ndërtonin shtëpiza dhe trena për të rivalizuar me jetën serioze të të mëdhenjve
Nga Emin AZEMI
Ky fundvit nuk solli asgjë spektakulare në bashkëpunimin politik brendashqiptar. Ky konstatim nuk vlen për fushën e kulturës, ku megjithatë u vërejtën disa lëvizje të vogla. Të paktën po bëhen përpjekje që të kuptohet integrimi kombëtar nuk pikon nga qielli. Projekti i fundit – opera ‘Skëndërbeu’, bashkoi artistë e krijues nga mbarë hapësira shqiptare dhe ky është një sihariq i mirë për bashkëpunimin e ardhshëm kulturor të shqiptarëve në rajon.
Gjithkush që ka pritur se kjo do të ndodhë edhe në politikë, jo vetëm që kanë mbetur të zhgënjyer, por kanë dalur edhe tepër entuziastë. Embrioni politik shqiptar në Maqedonia ende vuan nga mungesa e i një kohezioni të brendshëm dhe për këtë mund të gjenden një mijë e një arsye.
Politika si natyrë dhe si koncept, ende është larg të qenit pjesë e frymës intelektuale këtu te ne. Politikani i këtushëm ka biografi të zbehtë dhe ai zakonisht vjen nga aktivizmi partiak, pa një bagazh të theksuar profesionale intelektual. Për këtë kategori politikanësh, bashkëpunimi brendashqiptar është një nocion i huaj. Vetëm të ndarë në lagje e nahi, kjo kategori politikanësh shqiptarë e shohin veten në kulmin e karrierës, paçka se ajo karrierë mund të përfundoj në prehrin e ndonjë politikani maqedonas.
Kauza shqiptare në Maqedoni ka përjetuar lloj-lloj turbulencash dhe po të ishte plastelinë, ajo do ti ngjante një parku lodrash ku fëmijët do të ndërtonin shtëpiza dhe trena për të rivalizuar me jetën serioze të të mëdhenjve.
Fëmijët e mëdhenj të politikës te ne projektuan heronj e tradhtar varësisht kontekstit dhe interesit të tyre. Kështu që tradhtarët e djeshëm, brenda natës bëhen bashkëpunëtorë, kurse heronjtë e sotëm, nesër shndërrohen në tradhtarë.
Viti që po vjen, do të jetë edhe një moment sprovash në rrafshin e konsolidimit politik si shtet, kurse partitë politike shqiptare, kush më shumë e kush më pak, do të mundohen të forcojnë legjitimitetin e tyre përmes ofertave e aleancave. Zgjedhjet paralajmëruara për muajin prill, për shumë kënd mund të vinë me shumë të panjohura, kurse ajo pak kohë që ka mbetur do të shfrytëzohet maksimalisht për të ‘pushtuar’ sa më shumë hapësirë publike e politike në demonstrimin e aftësive më të reja në përvetësimin e njerëzve me bindje e pa bindje, e njerëzve me halle e pa halle.
Por, halli më i madh sërish do të mbetet puna e pambaruar në vitin që po lëmë pas, si në sistemin e pa reformuar të drejtësisë, ashtu edhe në çrrënjosjen e korrupsionit shtetëror. (koha.mk)