As jam me Gerovskin, as me kundërshtarët e tij, por jam në vijën e informimit objektiv që duhet të jetë mbi gjithçka, ndaj dhe do të doja të besoja që gjithë këtë betejë e ka për motive profesionale, e jo për hire a sedër, aq më pak se e kanë “blerë” për t’iu ndihmuar njerëzve të “ish-regjimit”, që të shpëtojnë nga drejtësia, siç e akuzojnë
Nga Daut DAUTI
Në një tregim, shumë vite më pare, kisha shkruar për një personazh nga bransha ime profesionale dhe ata që e kishin lexuar, kishin menduar se është rrëfim autobiografik. Duke përjashtuar profesionin dhe ndonjë element tjetër, çdo ngjashmëri e personazhit ishte e rastit. Ajo që nuk është e rastit, e që ia kisha ngjeshur këtij personazhi, ishte motivi i tij, që përmes shkrimeve të veta ta ndryshojë botën…A nuk është kjo ëndërr e çdo gazetari? A nuk e kanë quajtur gazetarinë “fuqi e shtatë” pikërisht për shkak të këtij ndikimi?
Pse m’u kujtua ky personazh, në lëkurën e të cilit është çdo gazetar i cili ka motiv të pastër profesional. E ai motiv, “për të ndryshuar botën”, është i ngjashëm me atë të mjekëve, “për ta shëruar” njerëzinë nga çdo sëmundje. Në këtë kontekst, gazetari ka mundësi ndikimi që “të shërojnë” shoqërinë nga anomalitë e shumta. Dhe ai personazh është i ndërgjegjshëm se për të qenë i suksesshëm, e di se do të ketë shumë miq, por dhe shumë armiq… E, gazetarët vërtet kanë miq e armiq, varësisht se kujt i përgjigjen shkrimet e tyre. Dhe ndër të gjithë ata emra që lëvrijnë nëpër gazeta, portale e media elektronike, kohëve të fundit më së shumti personazhit të përmendur i ngjan një koleg nga fakulteti, Branko Gerovski. Ai në vitet 90-të, themeloi gazetën e parë të pavarur në gjuhën maqedonase, “Dnevnik”. Falë tij, një kohë kjo gazetë ishte më e lexuara dhe konsiderohej më objektivja. Më vonë iu shit VAZ-it gjerman, ndërkaq rreth një dekadë të fundit, u përpëlit midis të qenit gazetë e pavarur dhe zëdhënëse politike, ndërroi shumë pronarë dhe në fund u mbyll. Ish themeluesi dhe pronari i saj, Gerovski, shpesh shprehej se nuk është aspak i lumtur për këtë rrugëtim të ish gazetës së tij. Si temperament i parehatshëm, themeloi edhe disa gazeta të tjera, gjithnjë në përpjekje për të qenë objektiv dhe kritik për realitetin shoqëror (duke i marrë këto nocione si relative, natyrisht).
Merita më e madhe e tij dhe portalit Plusinfo, është se e paralajmëroi dhe nxiti aferën e njohur “Reket”, ku si të dyshuar janë afro dhjetë persona. Këto ditë Branko Gerovski kishte edhe dy kolumna të reja, që të dyja në frymën luftarake si e atij personazhit të tregimit! Në njërën anë, është kauza e tij(profesionale, sigurisht) duke e marrë në shënjestër establishmentin politik në pushtet (LSDM-në dhe qeverinë e Zaevit), dhe në anën tjetër është publiku i ndarë për kauzën e tij, ata që i duartrokasin për guximin dhe ata tjerët që e shajnë “për ndërrim tabori”! Pra, atij i shkojnë pas miqtë dhe armiqtë e tij, çfarë dëshironte t’i kishte ai personazhi i tregimit, sepse me ta ai ndjehej gjallë. Dhe Gerovski ndjehet më gjallë se kurrë. Qëkurse e mori pushtetin kjo qeveri, pata prognozuar diçka që pikërisht te Branko Gerovski doli e saktë. Të përkujtoj: disa herë pata shkruar se Qeveria nuk duhet të llogarisë në përkrahjen e parezervë të atyre që e kanë përkrahur dikur për të ardhur në pushtet. O-së), shumë shpejtë e prishi “idilin”. Pikërisht në njërin nga dy shkrimet “rrëfyese” tash me fillimin e janarit, zbulon atë që ndoshta nuk ka nevojë, se gjatë gjithë viteve të demokracisë, ka votuar pro LSDM-së, sepse më programin e saj ka gjetur afërsi me pikëpamjet e tij rreth ndërtimit të shoqërisë, porse tash ka ardhur koha të votojë “për ndryshime”. Kundërshtarët e tij këtë gjest e quajtën pakt me djallin, ose shitje të vetvetes për t’u ulur në prehrin e atij, kundër të cilit, për dhjetë vjet luftonte për ta zbritur nga pushteti! Ai ishte shumë kritik ndaj qasjes së gabuar për kontestin me Greqinë për emrin e shtetit dhe për një serë çështjesh tjera që e përshkuan atë periudhë. Nëse do të vlerësohej me numër, ai ishte Armiku nr.1 i qeverisë së Greuvskit.
Nëse ka ndonjë aleat më të madh të opozitës në luftën kundër pushtetit, atëherë pa dyshim ky do të ishte Branko Gerovski. Tash edhe vetë e pranon se ai e ka ndihmuar Gruevskin të vijë në pushtet më 2004-tën, por njëkohësisht, i ka ndihmuar edhe Zaevit në luftë “kundër regjimit të Gruevskit”. Sepse, kur Greuvski e mbylli televizionin më me ndikim, A1-shin dhe televizionet rivale të saj i vuri nën kontroll me para reklamash e fushatash të qeverisë, vetëm gazeta që e themeloi Gerovski ishte ai zë i fortë opozitar me ndonjë televizion të vetmuar, që nuk ishin “blerë” nga “regjimi”. LSDM-ja dhe lideri i saj, sigurisht i janë shumë falënderues Gerovskit për këtë lloj kriticizmi anti-Gruevist, që ndihmoi ardhjen e tyre në pushtet. Mirëpo, nëse dikush ka pritur përkrahje të parezervë për gjithçka që do të bëhet, kam thënë se kjo nuk është reale. Por a e “ndihmon” Gerovski “kthimin e regjimit të Gruevskit”, siç ia zënë për të madhe disa zëra proqeveritarë, madje edhe ish bashkëpunëtorët dhe miqtë e tij më të ngushtë? Penat më të njohura të gazetarisë në Maqedoni, ia thonë troç se ai është dhënë me aq afsh në shkrimet e tij, saqë vërtet mund të ndihmojë që të kthehet “ikanaku i Budapestit”, sepse më “i ka kaluar të gjithë kufijtë”.
Në të vërtetë, shkrimet kritike nuk i pëlqejnë askujt, por politikanët e urtë nëpërmjet tyre më lehtë i shohin gabimet dhe mund t’i korrigjojnë. Ndoshta ky duket të ketë qenë qëllimi kur Gerovski, verën që e lamë pas, në mënyrë bombastike paralajmëroi megaskandalin e shantazhimit(“reketimit”) të bisnismenëve nga aktorë që ai i quajti Koki, Kiki Friki. Ajo që ai paralajmëroi është sot pikërisht lënda gjyqësore “Reket”, ku si e dyshuar tashmë përveç dy nga personazhet e shkrimeve të tij të “koduara” (Boki 13(Koki) dhe Friki (Frosina Remenski, LSDM), u gjet ironikisht edhe Kryeprokurorja Speciale, Katica Janeva. Nuk ka satisfaksion më të madh për një gazetar se sa shkrimet e tij të zbulojnë ngjarje të mëdha si kjo, ku janë të involvuar ose të dyshuar, pjesëtarë të pushteteve. Një, për shkak se zbulon keqpërdorim të pozitës për përfitime parash, qoftë buxhetore, qoftë të biznesit, si në këtë rast, dhe e dyta, për shkak se i mundëson drejtësisë të merret me te, dhe e treta, ia tërheq vërejtjen pushtetit se nuk mund të bëjë çka të dojë, e kjo të kalojë pa u vërejtur.
Afera që paralajmëroi Gerovski krijoi shumë armiq të tij ndër miqtë e deridjeshëm. Ai u përpoq në gusht të vijë gjer te Zaevi për t’i treguar se çfarë informatash ka lidhur me aferën, por ai e “orientoi” te organet përkatëse që ato të merren me këtë. Shumë ish-miq të tij dhe “shfrytëzues” të “shërbimeve” mediatike deri dje, sot nuk e shohin se kauza e tij është e drejtë, aq më pak qëllimmirë, sepse kanë nisur të dyshojnë se ai nuk trajton devijime apo keqpërdorime pushtetarësh, por se këtë e bën për diçka krejtësisht tjetër, duke dyshuar madje se është vënë në shërbim të oligarkëve dhe ish-regjimistëve të Gruevskit. Akuzë e rëndë! Pas njërit prej dy shkrimeve që kanë turbulluar ujin dhe trazuar shpirtërat në fund të dhjetorit dhe në fillim të janarit, në të cilin ai aludon edhe në katër persona të tjerë nga rrethi i bashkëpunëtorëve të afërt të Zaevit si të involvuar në të njëjtin rast, sikur shtoi edhe më shumë dyshimet për gjithë prapavijën e shkrimeve të tij. Me shkrimin tjetër haptas u pozicionua për zgjedhjet e ardhshme “për ndryshime”, që është një lloj apeli indirekt, në situatë kur votuesit e bllokut maqedonas nuk kanë shumë alternativë. Ai nuk e thotë për kë do të duhej të votohet, por uji gjithsesi dihet se në mullirin e kujt mund të shkojë.
Pas këtyre dy shkrimeve fitohet përshtypja se ai është si mohikani i fundit dhe më i vetmuar se kurrë. Ish-ministri i punëve të brendshme, që ishte kolumnisti më jetëgjatë në gaztën Dnevnik, për shkak të shumë relacioneve që vetëm ata i dinë, e i cili e gjeti vetveten në shkrimin e fundit, e quajti “njeri të rrënuar” me të cilin nuk do të merret. Gjithnjë e më tepër ish-miqtë e tij, e akuzojnë Gerovskin që në shkrimet e fundit për rastin “Reket”, nuk ka më argumente por gjithçka i ka sajuar, që është një akuzë e rëndë për të.
Unë dua t’i kthehem anës profesionale, jo prapavijave të mundshme, për të cilat nuk kam mundësi t’i di. Nga ana profesionale, të shkruash për anomalitë në një shoqëri, në qeverisje, drejtësi, është e drejtë dhe obligim. As fakti që deri dje ka shkruar kundër anomalive të një garniture tjetër, nuk e bën “tradhtar” nëse zbulohen raste ku janë involvuar njerëz që lidhen me garniturën e tashme në pushtet. Ky është ai mashtrim te çdo pushtet i cili dëshiron që mediat t’ia mbulojnë të zezat, të paktën ato ose ata që e kanë përkrahur. Gerovski deri tash u tregua se nuk bie në atë grup që jep përkrahje njëherë e përgjithnjë. Ai ishte kundër qeverisjes së Cërvsnkovski, por ishte edhe kundër qeverisjes së Gruevskit, sot është kundër qeverisjes së Zaevit, për ato bëma që janë anomali ose mospërmbushje premtimesh dhe përsëritje veprimesh nga pushteti në pushtet. Kur vdiq Nikolla Mlladenovi, më së shumti e qajtën ndoshta njerëzit e opozitës së atëhershme, por e vërteta është se ai ishte njësoj i urryer nga çdo pushtet, aq sa Cërvenkovski e kishte paditur për shpifje dhe kishte gjyqin kundër tij. Pastaj të njëjtën gjë e bënë edhe nga tabori i Gruevskit (Mijallkovi). Çka ishte thelbi i angazhimit profesional të Mlladenovit? Ai e themeloi magazinin “Fokus” dhe që nga fillimi botonte shkrime “sensacionale” për skandale që kryesisht lidheshin me keqpërdorime pushtetarësh, qoftë qeveritarë, qoftë lokalë. Sa ndërronte pushteti, ai i gjuante skandalet e pushtetit të ri, i harronte ata më parë! Ishte ai rezonim se përgjegjës dhe fajtorë janë vetëm ata që kanë pushtet. Ky stil nuk është braktisur në “Fokus” as sot pas Mlladenovit, për çka dëshmojnë edhe shumë shkrime pas ardhjes së LSDM-së në pushtet.
Edhe Gruevski që disa televizione kryesore i kishe bërë zëdhënëse të politikave të tij, nuk arritën ta mbajnë në pushtet. Për mendimin tim, edhe kur ka shkrime të ngjyrosura politike(partiake), gjëja kryesore është nëse ato janë trillime ose bazohen në fakte (duket se Gerovski orientoi organet që të vijnë gjer te to). As jam me Gerovskin, as me kundërshtarët e tij, por jam në vijën e informimit objektiv, ndaj dhe do të doja të besoja që gjithë këtë betejë e ka për motive profesionale, e jo për hire a sedër, aq më pak se e kanë “blerë” për t’i ndihmuar ‘ish-regjimit”, ose njerëzve të tij që të shpëtojnë nga drejtësia, siç e akuzojnë. Ky zell aq i madh për t’iu shkuar gjerave gjer në fund, e bëjnë që t’i ngjajë shumë atij gazetarit idealist të tregimit tim, i cili gjithçka e kishte për motive të larta për të bërë një botë më të mirë.
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)